E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, familjet rome kërkojnë karta falas, në të kundërt bojkot zgjedhjeve

Kryetari i romëve, Arben Kosturi: Nuk kanë mundësi të paguajnë vlerën prej 1200 lekësh
Familjet rome kërcënojnë, se do të bojkotojnë votimet, nëse nuk do të pajisen falas me karta identiteti. Gjendja e tyre e vazhdueshme si dhe statusi social që ata kanë, duket se i ka mbajtur larg procesit të pajisjes me kartë identiteti. Kryetari i romëve në Korçë, Arben Kosturi jep alarmin për më shumë se 2 mijë votues të cilët në masën 90 për qind janë pa pasaportë dhe pa asnjë mundësi financiare të përballojnë çmimin e kartës së identitetit. Rreth 800 familje rome me banim në qytetin e Korçës jetojnë në kushte të vështira ekonomike, ndërsa përveç papunësisë këto familje nuk kanë strehë madje shumë prej tyre jetojnë në çadra. Sikur të mos mjaftonte kjo gjendje e tyre gati e pandryshuar në dekada me radhë, shqetësimi i tyre mbetet pajisja me kartë identiteti. Por, kushti që këto familje të këtij komuniteti të zgjeruar në rajonin e juglindjes është ai i pajisjes falas me këto karta. Arben Kosturi kryetari i komunitetit rom në Korçë në një prononcim për gazetën ka kërkuar ndërhyrjen e strukturave të shtetit për të parë me përparësi çështjen e romëve. Ne jemi të braktisur nga shteti, ndaj kërkojmë vëmendjen e tij në këto momente dhe në rastin konkret për kartën e identitetit. Familjet rome nuk kanë mundësi të paguajnë vlerën prej 1200 lekësh ndaj dhe kërkojmë që ato të jepen falas për këta njerëz. Në të kundërt askush nga familjet rome nuk do shkojë në zgjedhje për të mos u  përdorur politikisht si ndodh në çdo fushatë zgjedhore, u shpreh Kosturi. Në qytetin e Korçës numri i zgjedhësve romë është i madh, ndërsa këtë herë kërcënimi i tyre është i hapur. Të gjitha familjet sipas Kosturit jetojnë në një varfëri të tejskajshme dhe të papërfytyrueshme, ndërkohë që shteti nuk ka patur politika ekonomike lehtësuese për ta. Madje një numër i konsiderueshëm i këtyre familjeve jetojnë me ndihmë ekonomike, ndërsa pjesa me madhe e fëmijëve të këtyre romëve nuk shkojnë as në shkollë pasi nuk figurojnë të regjistruar në regjistrin themelor të gjëndjes civile. Familjet rome mbartin probleme të shumta madhore, madje njëra prej tyre është dhe familja Kalla. Kryefamiljari i saj Bajram Kalla 67 vjeçar tregon gati i përlotur se jeton në një apartament të vogël në lagjen Radanec të Korçës e cila popullohet kryesisht me banorë të këtij komuniteti. Ai thotë se në shtëpinë e tij me frigorifer të boshatisur dhe me ushqim të limituar ku konsumohet ushqim vetëm një herë në ditë, ndërsa jetojnë 16 vetë djemtë e tij të martuar me fëmijë dhe natyrisht e vetmja e ardhur është pensioni i tij prej 10 mijë lekësh. Përsa i përket kartave të identitetit është gati një herezi për këtë familje ku kryefamiljari i saj thotë se është më e udhës që ata të mos shkojnë në votim sesa të sakrifikojnë ekzistencë e tyre për një kartë identiteti, vlera e të cilit është një çmim i frikshëm për ta.

Last Updated on Tuesday, 31 March 2009 23:40

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›