Kavajë, pas rikthimit në detyrë, kreu i Hipotekës Gjuzi njihet me akuzën
Pas rikthimit në detyrën e tij të mëparshme, regjistruesi i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Kavajë, Fatos Gjuzi është njohur zyrtarisht me akuzën. Para pak ditësh në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë është zhvilluar seanca e parë, ku 7 të pandehurit e skandalit të trojeve në plazhin e Gjeneralit janë njohur zyrtarisht me akuzën. Pas ndryshimit të masës së sigurisë për Gjuzin nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje, Fatos Gjuzi u rikthye në detyrë, madje një javë më parë, ndaj akuzës për falsifikim të dokumentave zyrtare, Gjuzi ka qenë i pranishëm në inaugurimin e punimeve për rrugën hyrëse të Kavajës në të cilin mori pjesë kryeministri i vendit Sali Berisha.
Ndryshimi i masës së sigurisë është bërë nga gjykata e Apelit në Tiranë, e cila vendosi të lehtësojë pozitat e Gjuzit, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje. Në momentin që Gjuzi u detyrua të rrijë në arrest shtëpi, drejtoria e përgjithshme e ZRPP-së caktoi zëvendësin e tij si drejtues të komanduar për Hipotekën e Kavajës, por qëndrimi i tij në këët detyrë ishte mjaft i shkurtër. Tashmë Fatos Gjuzi është rikthyer në detyrën e tij të mëparshme, megjithëse prokuroria e Tiranës e akuzon si autor të falsifikimit të dokumentave të vjetra të pronësisë për përfitimin e paligjshëm të një sipërfaqeje toke prej 48 hektarë në plazhin e Gjeneralit. Nga ana tjetër për Fatos Gjuzin nuk është dhënë asnjë masë administrative, megjithë akuzën që rëndon mbi të. Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur 7 persona për skandalin me falsifikimin e dokumentave për kompensimin e 48 hektarëve tokë për familjen Shijaku në plazhin e Gjeneralit. Të pandehurit janë 5 ish-zyrtarë të AKKP-së, një biznesmen dhe avokati i tij mbrojtës. Mes të pandehurve është edhe ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, ndaj të cilit është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, ish specialisti në drejtorinë rajonale të AKKP-së Petrit Kullolli dhe regjistruesi i ZVRPP-së së Kavajës Fatos Gjuzi. Nga hetimet që ka mbyllur për këtë çështje prokuroria e Kavajës është konfirmuar se dokumentet e vjetra të pronësisë për përfitimin e paligjshëm të 48 hektarëve tokë në vendin e quajtur Plazhi i Gjeneralit janë falsifikuar në Hipotekën e Kavajës, veprim për të cilin është marrë në përgjegjësi penale drejtori Fatos Gjuzi, i cili nga ana tjetër vazhdon ta ushtrojë ende detyrën.