E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, makinat ngecen mes baltës te shtegu i Kalimashit



KUKES - Dhjetëra pasagjerë përjetuan orë paniku dje, teksa u munduan të ngjiten sipër tunelit të Kalimashit në shtegun e improvizuar nga shoferët e linjës Kukës-Tiranë. Pika më delikate është një segment 1 km i gjatë sipër grykës së tunelit nga Thirra. Shoferët ngecin në një pjerrësi mbi 40 gradë. Për këtë situatë nevojitet një automjet i rëndë i një banori të zonës, i cili për 1 mijë lekë tërheq zvarrë automjetet, ndërsa pasagjerët e shtyjnë nga pas. Ora 13:00-15:00 shënoi edhe kulmin kur autoveturat në tentativë për t’u ngjitur morën mbrapsht, duke rrezikuar jetën e pasagjerëve. As zinxhirët në goma, megjithëse nuk ka akull, nuk kanë mundur të ngjisin automjetet në Qafën e Kumbullës, ku ende ka pllaja dëbore sipër rrugës. “Kam ardhur nga Italia dhe tani ngela këtu. Nuk e dija se nuk kalohej. Nuk kishte asnjë tabelë që paralajmëronte se këtu është e rrezikshme për të kaluar. Mbase më ndihmon ai kamioni i madh, t’i jap paratë dhe të mund të shkoj në shtëpi”, u shpreh Murati, i cili vinte nga Italia me destinacion Suharekën në Kosovë. Disa pasagjerë u shprehën se në çdo metër të këtij shtegu të rrezikohet jeta. Po të dalësh nga rruga, mund të gremisesh dhe 500 metra poshtë. Kjo rrugë nuk ka sinjale, as patrulla të policisë. Drejtuesit e automjeteve presin datën 15 maj, ku sipas Qeverisë do të hapet njëra galeri e tunelit të Kalimashit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›