E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja shpartallon Partizanin



Leonard Karaj

Partizani humbet në Lushnjë, duke u kaluar në renditje nga Kamza, e cila fitoi me Skraparin. Tri pikë edhe për Elbasanin, i cili fitoi me Burrelin.Humbja, ndër më të paparashikuarat për të tilla shifra, 4-0, ka larguar Partizanin nga zona që të ngjit në Superligë dhe shton oreksin e skuadrës lushnjare për këtë objektiv. Një ndeshje që ka filluar me gol nga skuadra e drejtuar nga Artan Bano, që ka realizuar që në minutën e 6-të, me anë të Byzhytit, i cili ka realizuar edhe një herë tjetër, përveç dy golave të tjerë, që kanë vulosur dështimin total të “demave të kuq”. Në dy ndeshjet e tjera kanë fituar pretendentët për në Superligë. Elbasani ka mundur lehtësisht dhe pastër 3-0 Burrelin, ndërsa Kamza ka vuajtur jo pak me Skraparin, të cilin gjithsesi e ka mundur 2-0, nga një gol në ekstremitetet e 90 minutave. Kujtojmë se ka humbur një penallti edhe Klevis Dalipi. Sikurse shihet, Elbasani konfirmon pozitat e veta në vendin e dytë në klasifikim, ndërsa Kamza me Lushnjën i ndjekin hap pas hapi verdheblutë. Ndeshjet e javës së ardhshme do të jenë jo pak vendimtare për to, kur dihet se Elbasani do të luajë në Skrapar, ndaj ekipit vendës, që rrezikon seriozisht për të zbritur nga kategoria, Kamza në Librazhd, ndaj Sopotit, që mban vendin e fundit dhe ka fare pak shpresa për të mbijetuar, ndërsa Lushnja do të ketë transfertën më të vështirë në Ballsh ndaj Bylisit, i cili nëse luan futboll të pastër, sikurse ka bërë deri më tani, do t’i nxjerrë duarbosh lagunarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›