E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoresha e lartë e BB në Tiranë, sot takohet me Berishën

TIRANE- Drejtoresha e Lartë e Bankës Botërore, znj. Ngozi Okonjo-Iweala ndodhet në Tiranë për një vizitë tre ditore. Kjo është vizita e saj e parë në Shqipëri.

Burime zyrtare të Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë bënë të ditur, se qëllimi kryesor i vizitës së Drejtores së Lartë të BB, është të theksojë rëndësinë e "Axhendës së re të rritjes" për Shqipërinë dhe të shprehë mbështetjen që Banka i jep qeverisë, bazuar në Strategjinë e Partneritetit për Vendin.
Gjithashtu, Ngozi Okonjo-Iweala do të shprehë solidaritetin e Bankës me të dëmtuarit nga përmbytjet e fundit masive në zonën e Shkodrës si dhe do të diskutojë mbi mbështetjen e mundshme për zbutjen e rreziqeve në të ardhmen.

Gjatë ditës së sotme zonja Ngozi Okonjo-Iweala është parashikuar të zhvillojë takim me kryeministrin Sali Berisha me të cilën do të mbajë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ajo do të ketë takime dhe me anëtarë të kabinetit qeveritar, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kreun e opozitës, Edi Rama, përfaqësues të shoqërisë civile dhe sektorit privat. Do të vizitojë gjithashtu edhe disa projekte të financuara nga Banka Botërore si dhe do të mbajë ligjëratën "Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor: Si t'i përgjigjemi krizës - Sfida dhe mundësi" për akademikët dhe studentët e universiteteve publike dhe private në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›