Berisha: Ngjitja e maleve, ogur fitoreje

Kryeministri Berisha uron shqiptarët për vitin e ri nga maja e Dajtit
Ka zgjedhur malin e Dajtit për të kaluar fundjavën së bashku me familjen e tij kryeministri Berisha, duke treguar se turizmi malor dhe Shqipëria, mbeten destinacionet e preferuara. Kur shumëkush mes radhëve të politikanëve preferon që pushimet t’i kalojë jashtë vendit, kreu i qeverisë ka zgjedhur atë që ai vetë e quan si “të bukurën e dheut”, vendin që agjencitë më prestigjioze turistike në botë e rekomandojnë në krye të listës së destinacioneve turistike. E nuk do të kishte reklamë më të mirë të Shqipërisë turistike se kjo fundjavë e kryeministrit në Dajt, nga ku, nën shoqërinë e njërës prej mbesave të tij, Dalilës, ai ka preferuar t’u urojë shqiptarëve edhe njëherë një vit të mbarë. “Erdha për t’iu uruar nga kjo majë, edhe një herë të gjithë shqiptarët,Gëzuar Vitin e Ri. Deti më jep kthjellësinë, majat frymëzimin dhe fuqinë”- u shpreh kryeministri Berisha. Ngjitja në lartësi është shndërruar tashmë në një formë rituali në prag të fushatave elektorale. Një sfide, por edhe një ogur i mirë që siç thotë kryeministri, i jep mbarësi e fitore. “Dimri më është bërë si rit ku në çdo prag fushate ngjitem nëpër maja. E kam si mbarësi. Maja më jep fitore”- vuri në dukje kreu i qeverisë. Më pas kryeministri Berisha i apasionuar edhe pas historisë ka shfrytëzuar lartësinë dhe mundësinë që të jep maja e Malit të Dajtit për të parë tej në horizont dhe për t’i shpjeguar mbesës së tij gjurmën nga ku do të kalojë Rruga e Arbërit dhe historikun e këtij segmenti të rëndësishëm kombëtar. Ndërtimi i kësaj rruge është një tjetër premtim i qeverisë së kryeministrit Berisha, që do të shkurtojë distancën mes Tiranës dhe Dibrës, me afro 70 kilometra. Ndërtimi i saj është parashikuar të përfundojë brenda vitit 2013.
...