Drejtoresha e shkarkuar nuk dorëzon vulën dhe zyrën
Shkarkohet nga detyra, por drejtoresha e shkollës nuk dorëzon dokumentacionet zyrtare. Ka më se një muaj që në shkollën nëntëvjeçare "Vilson Blloshmi" të qytetit të Librazhdit nuk funksionon institucioni zyrtar i drejtorit të shkollës. Shkak është bërë ish-drejtoresha e këtij institucioni arsimor, Pëllumbesha Popa, e cila nuk ka dorëzuar gjithë dokumentacionin. Çelësat e drejtorisë ku ndodhen dokumentet e ndryshme, amzat e shkollës, si dhe rreth 700 mijë lekë të vjetra të mbledhura nga nxënësit për riparime dhe pagesë për rojën etj., mbetën në çantën e ish-drejtoreshës. Sipas drejtuesit të Zyrës Arsimore të Rrethit të Librazhdit, Ferit Hysa, Popa është shkarkuar nga detyra për ulje të figurës së mësuesit para kolegëve dhe nxënësve dhe në vend të saj është emëruar dikush tjetër, ndërkohë që Popa është emëruar mësuese në një shkollë tjetër, po në Rrethin e Elbasanit. Mësohet se më 13 mars të këtij viti, ish-drejtoresha ka goditur me shpullë publikisht para mësuesve dhe nxënësve një mësuese të kësaj shkolle, pas një konflikti personal me të. Ndërkohë, kreu i arsimit të këtij rrethi ka pohuar se do të jetë i detyruar të kërkojë ndihmën e organeve të policisë për zhbllokimin e situatës.