E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët krijojnë ekspozitë me materiale të riciklueshme

Më mirë se çdokush tjetër, në Ditën Botërore të Tokës, kanë qenë fëmijët ata që përcollën mesazhet më të vyera për ndërgjegjësim. Brezat e rinj të cilët edukohen me mendimin për të ripërdorur, për të reduktuar dhe ricikluar materialet e mundshme për një botë më të pastër, më të pasur dhe më natyrale do të ndihmojnë edhe tokën të gjejë ekuilibrin me natyrën.

Dje në Ditën Botërore të Tokës, investimet për energjinë e rinovueshme për të ndaluar ndryshimet klimatike, ka qenë tema e përzgjedhur këtë vit nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin. Dje, Bashkia Tiranë, qendra "Eden" dhe Ambasada Amerikane organizuan aktivitete nën moton "Bashkohu me ne, jeto shëndetshëm redukto, ripërdor riciklo". Në Shqipëri, Dita Ndërkombëtare e Tokës ka filluar të festohet që prej vitit 2002.

Në pavijonin e qelqtë në sheshin "Skënderbej" janë ekspozuar punime artistike të fëmijëve të realizuara me materiale të ricikluara, ndërsa përmes një skeçi të shkurtër të improvizuar është përcjellë prej të vegjëlve dhe mesazhi ndërgjegjësues për të kontribuar në reduktimin, ripërdorimin dhe riciklimin e mbetjeve për një të ardhme më të mirë.

Dita e Tokës është vendosur në datën 22 prill në vitin 1970. Në këtë datë 20 milionë amerikanë morën pjesë në demonstratën mjedisore nga më spektakolaret, që u quajt Dita e Tokës.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, Drejtoritë e Shërbimit Pyjor në rrethe kanë mbyllur tashmë fazën e mbjelljeve, ku për tri vite me radhë janë mbjellë 1 milion fidanë pyjorë dhe pemë dekorative çdo vit, në zonat rreth qyteteve, në zonat kodrinore dhe malore. Ky është veprim ndikon jo vetëm në shtimin e gjelbërimit dekorator të zonave të qyteteve, por dhe në zbutjen e efekteve negative të mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›