Korçë, i riu tenton vetëvrasjen në publik
Ka tentuar t‘i japë fund jetës në sy të kalimtarëve. Për arsye që ende mbeten të paqarta, një person ka pirë një sasi medikamentesh për të shkaktuar vetëvrasjen në një nga lagjet e qytetit. Por personi që ende nuk ka një identitet, ka zgjedhur ta kryejë këtë veprim në afërsi të spitalit civil të qytetit dhe ka marrë menjëherë ndihmën e specializuar, që mund t‘i shpëtojë jetën. Policia e Korçës njoftoi se një person që dyshohet se ka tentuar të vrasë veten, është gjetur nga punonjësit e spitalit civil të Korçës përballë ndërtesës së spitalit. Personi i seksit mashkull, i moshës 30-35 vjeç, u gjet i shtrirë në shkallët e një dyqani përballë spitalit në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ka bërë të ditur se pranë trupit të tij janë gjetur disa medikamente qetësuese, me mbishkrimin LORAM. Ka qenë ora 19:30 kur në shkallët e dyqanit përballë spitalit një nga infermierët ka parë trupin e shtrirë që ende shfaqte shenja jete, por që ka qenë në gjendje kritike nga intoksikimi, pasi kishte konsumuar një sasi të madhe të medikamentit që kishte me vete. Menjëherë nga ana e spitalit është njoftuar policia lokale, ndërkohë që personi ende i paidentifikuar plotësisht është transportuar me shpejtësi për t‘iu nënshtruar ndërhyrjes mjekësore. Policia ka deklaruar se nga hetimet ka rezultuar që disa kalimtarë të rastit e kanë parë këtë person duke gëlltitur një grusht me medikamente dhe janë përpjekur ta ndalojnë, por kjo ka qenë e pamundur.