E Diel, 1 Nëntor 2026

Studime universitare, Rusia ofron bursa për shqiptarët

Në bazë të marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit në fushën e arsimit, qeveria ruse ofron 25 (njëzetepesë) bursa studimi për në universitetet publike të Federatës Ruse, 20 bursa për studime universitare dhe 5 për studime pasuniversitare, për vitin akademik 2009-2010. Meqenëse masa e bursës është e vogël, studentët duhet të paguajnë vetë shpenzimet e ushqimit, të cilat shkojnë deri në 300 USD në muaj. Gjithashtu, të gjithë studentët që do të fillojnë studimet për vitin akademik 2009-2010 duhet të paguajnë siguracionin shëndetësor në shumën deri në 250 USD në vit. Për realizimin e programit të studimeve, të gjithë studentët që nuk dinë gjuhën ruse duhet t‘i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës, i cili fillon në shtator 2009. Drejtësia dhe politologjia, sipas njoftimit të Ministrisë ruse të Arsimit, kanë bursa të limituara. Vetëm dy shqiptarë do të mund të ndjekin studimet në këto degë. Aplikantët të paraqesin pranë sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, dokumentet e kërkuara, të cilat gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve në sektorin e marrëdhënieve me jashtë në MASH është data 30 prill 2009.

Dokumentet kryesore të kërkuara, për të pwrfituar bursën janw: Kërkesë e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë, vërtetimin e notave për tri vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga drejtoria ose zyra arsimore e rrethit përkatës. Pjesë e dokumentacionit duhet të jetë raporti mjekësor për aftësi studimesh, raportin mjekësor për virusin HIV/AIDS, certifikatën e lindjes me fotografi, kopjen e pasaportës. Sipas rregullit, pasaporta duhet të jetë e vlefshme deri në një vit e gjysmë mbas hyrjes në Rusi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›