E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndodh çudia, 90% e pacientëve të kënaqur me shëndetësinë

Shërbimi shëndetësor parësor ka bërë hapa të rëndësishëm, madje mund të themi se është reformuar. Pavarësisht kushteve të infrastrukturës, mungesës së sallës së pritjeve, problemeve me ambientet apo pastërtinë, pothuajse të gjithë qytetarët shqiptarë janë të kënaqur nga sistemi shëndetësor. Janë të kënaqur për marrëdhënien pacient-mjek dhe për shërbimin që u ofrohet.

Një studim i fundit i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor raporton se psikoza e pacientëve për pagesat nën dorë në këmbim të shërbimit, për mungesën e pajisjeve apo për komunikimin mes mjekëve dhe pacientëve, tashmë është venitur.

Rreth 1 mijë pacientë të pyetur teksa kanë lënë poliklinikat, qendrat shëndetësore, pas trajtimit apo marrjes së përgjigjeve, kanë qenë të mendimit se shërbimi i ofruar është i kënaqshëm dhe marrëdhënia, komunikimi me mjekët ka qenë pozitiv.

Studimi

"Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka bërë një studim për të parë efektin e reformës, sikurse te qendrat shëndetësore, edhe te pacientët dhe nga të gjitha rezultatet e dala nga pyetësori i organizuar del se pacientët që janë marrë në pyetje janë në masën 92 për qind të kënaqur me shërbimin që marrin në qendrat shëndetësore", tha drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana.

Sipas saj, ky shërbim është falas dhe paguhet jo te mjeku, por nëpërmjet sistemit të ngritur. "Do t‘u bëja thirrje të jenë më të vëmendshëm ndaj paketave të shërbimit, në mënyrë që të dinë se çfarë ata vërtet duhet të marrin te mjeku. Ne aktualisht kemi një paketë shërbimesh në parësor, e cila është mjaft e detajuar dhe për të qenë tërësisht transparente, brenda pak ditësh do të afishohet në çdo qendër shëndetësore", sqaroi Hana. Janë pyetur gjithsej 756 pacientë lidhur me marrëdhënien mjek-pacient, si dhe për përshtypjen lidhur me ofrimin e shërbimit në qendrat shëndetësore. Rreth 76 për qind e pacientëve të pyetur se si e cilësonin shërbimin e ofruar në sistemin parësor janë përgjigjur: "mirë". Rreth 4 për qind e të intervistuarve i kanë dhënë notën "çka", etikës së mjekëve dhe shërbimit të ofruar.

Ndërsa 20 për qind e pacientëve ishin më shumë se të kënaqur nga mënyra se si ju shërbehet gjatë kohës së qëndrimit në qendrat shëndetësore. Plot 92 për qind e pacientëve të pyetur janë përgjigjur se janë të kënaqur me shërbimin që ofrohet në poliklinika, qendra shëndetësore.

Reforma

Një element tjetër që tregon ecurinë pozitive të reformës është edhe fakti se 250 mijë veta e kanë frekuentuar qendrat shëndetësore në 2 vitet e fundit më shumë se në vitin 2006".

"Ne u bëjmë thirrje pacientëve që të kenë një vëmendje më të madhe në momentin që marrin shërbimin në qendrat shëndetësore të parësorit dhe spitalor, për të njohur të drejtat e tyre", sqaroi kreu i ISKSH-së. Qendrat Shëndetësore janë institucion juridik, publik, jobuxhetor, jofitimprurës me llogari bankare të veçantë. Në sistemin parësor tashmë është vendosur koncepti i pagesës bazuar në performancë dhe cilësi shërbimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›