Ra nga shkallët e shkollës, vdes nxënësi i klasës së tretë
Një fëmijë 10 vjeç nga Fieri ka gjetur vdekjen pas rënies nga parvazet e shkallëve të shkollës. Dëmtimet e rënda në kokë që mori pas rrëzimit, e futën në gjendje kome për dy javë, ndërsa dje në mesditë zemra e vogëlushit pushoi së rrahuri në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Kevi Kuka, 10 vjeç, lindur e banues në Fier, ra dy javë më parë nga parvazet e shkallëve të shkollës së muzikës, "Jakov Xoxe". Sipas mësuesve, fëmija me disa shokë të tij po luante duke rrëshqitur në këto parvaze. "Ai rrëshqiti disa herë nga kati i tretë drejt katit të parë. Kur u ngjit përsëri në katin e tretë, dora nuk u pozicionua mirë dhe për pasojë u rrëzua me kokë nga një lartësi prej afro 12 metrash", tregon Rajnita, mësuesja e vogëlushit. Më pas ai u transportua në spitalin e Fierit, nga ku mjekët e dërguan në Tiranë. Të afërm të tij tregojnë se Kevi, që nga momenti i rrëzimit e deri dje, nuk ka dalë nga gjendja e komës. Ndërsa mesditën e së mërkurës familjarët janë lajmëruar për vdekjen e tij në Spitalin Ushtarak të Tiranës. "Ishte i pamundur shpëtimi i tij, pasi kishte dëmtime të mëdha në kokë", tha një nga të afërmit e nxënësit të klasës së tretë. Ngjarja e rëndë ka shokuar edhe stafin pedagogjik të shkollës "Jakov Xoxe". Gjatë dy javëve të fundit, mësuesit kanë marrë masa të rrepta për të mos lejuar asnjë fëmijë që të dalë në korridore gjatë pushimeve mes orëve. Gjithashtu edhe Drejtoria e Arsimit Fier ka lëshuar një urdhër të brendshëm për të gjitha shkollat dhe mësuesit. Ky urdhër përfshin masa për një kujdes më të madh për nxënësit edhe kur ata janë në pushimin mes orëve dhe në pushim të gjatë.