E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gërdeci", sërish hetim për Mediun

Me lule dhe copa predhash në duar, katër gra, trashëgimtare të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, janë "ngujuar" për katër orë me radhë në Prokurorinë e Përgjithshme, duke kërkuar takim me zyrtarët e lartë të akuzës qendrore, në lidhje me fatin e kallëzimit për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Fillimisht kanë dorëzuar në protokoll një kërkesë për kallëzimin që kishin realizuar disa javë më parë dhe kanë depozituar në sekretarinë e Ina Ramës lulet dhe copën e predhës për Kryeprokuroren. Pas debateve me punonjësit e prokurorisë, janë pritur pas katër orësh në takim nga drejtori i hetimit dhe ndjekjes penale, Sokol Stojani, i cili u ka bërë me dije se kallëzimi që kishin depozituar është regjistruar dhe mbi të po zhvillohen hetime.

Ngujimi
Zamira Durda, nëna e Edisonit, djali 6-vjeçar që humbi jetën së bashku me 25 persona të tjerë në shpërthimin në Gërdec, më 15 mars të vitit 2008, së bashku me Drita Canon, Mimoza Krujën dhe Suzana Allën, u paraqitën në prokurori rreth orës 10:00, me shpresën se do të priteshin në takim nga numri një i akuzës shqiptare. Por, Kryeprokurorja nuk priti në takim asnjë prej familjarëve të Gërdecit. Me lot në sy, gratë deklaruan se do të presin para prokurorisë deri në një takim të mundshëm me Kryeprokuroren. Me lule në duar dhe copa predhash, zonja Durda i bëri thirrje Ina Ramës të reflektojë për tragjedinë e Gërdecit dhe viktimat që shënoi shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve.
"Lulet, janë luledele. Këto po mblidhte djali im ditën që vdiq në Gërdec. Në shenjë respekti do t‘ia çoj Ina Ramës. Kurse këto predha, i kam në shtëpi, i shoh çdo ditë. Do t‘ia çoj Kryeprokurores, thjesht në shenjë simboli, që ajo të ulet dhe të meditojë", tha Zamira Durda. Nëna e Edisonit të vogël, që vdiq në Itali pas plagëve të rënda të djegies që mori nga shpërthimi në Gërdec, ka dorëzuar një padi penale për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. "Sot do të interesohem të di, ç‘u bë me padinë time", tha Durda. Së bashku me nënën e Edisonit të vogël, u solidarizuan në këtë simbolikë edhe familjarë të tjerë të viktimave në Gërdec. Në emër të familjarëve të tjerë, Zamira tha se do të kërkojë që të përshpejtohen hetimet për këtë ngjarje.

Takimi
"Në datën 8 tetor, paraqita një padi penale për ministrin Fatmir Mediu. Kallëzimi penal është për të njëjtat arsye që ngriti herën e parë prokuroria për çështjen. Ne tani i kërkojmë prokurores t‘i drejtohet Parlamentit për heqjen e imunitetit. Është e drejta ime, ta kërkoj këtë", shprehet Zamira. Sipas saj, edhe ecuria e procesit gjyqësor është tepër e ngadaltë, gjë që ka zbehur shpresat e familjarëve për gjykim të drejtë. "Gjykata e Lartë e mbylli çështjen për Mediun. Tek procesi në Shkallë të Parë njëherë mungon gjyqtarja, njëherë avokati, nuk dimë më se çdo bëhet me këtë çështje", tha ajo, ndërsa u shpreh se nuk do të largohet nga prokuroria derisa të marrë një përgjigje për padinë penale që dorëzuan. "Të paktën të marrim një përgjigje, qoftë edhe negative, por të dimë si do shkojë më tej kjo çështje", tha zonja Durda. Pas më shumë se katër orësh, rreth orës 14:00, sportelisti në katin e parë në akuzën qendrore merr një telefonatë nga kryehetuesi i Gërdecit, Sokol Stojani. Ky i fundit i ftonte katër gratë në zyrën e tij dhe për disa minuta kanë biseduar rreth kallëzimit të depozituar. Burime brenda takimit kanë deklaruar se Stojani u ka thanë familjarëve se po bëjnë më të mirën e tyre që të gjithë përgjegjësit e tragjedisë të marrin ndëshkimin e merituar, qofshin këta persona me imunitet. Ai ka thënë se kallëzimi po verifikohet dhe po të lindë nevoja prokuroria do t‘i drejtohet Parlamentit të ri për heqjen e imunitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›