Drejtori, 250 mln për tenderin
Trazhgim SokolajDrejtori i Prokurimeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme i arrestuar dy ditë më parë për korrupsion dyshohet se ka kërkuar fillimisht 250 milionë lekë nga firmat që do të shpalleshin fituese në tenderin 1.7 miliardë lekë për uniformat e shtetit. Sipas burimeve nga prokuroria e Përgjithshme, ish-drejtori i Ministrisë së Brendshme Bujar Murati pasi ishte shpallur njoftimi për prokurimin ka hyrë në kontakt me përfaqësuesit e firmave të interesuara duke përcaktuar shumën 250 milionë lekë si pagesë që duhej të bëhej në mënyrë të paligjshme nga fituesi i tenderit. Pjesa kryesore e provave të prokurorisë ka për burim përgjimet telefonike që janë realizuar pas datës 11 shtator 2009, kur është marrë informacion për abuzimin në tender. Sipas bisedave të interceptuara rezulton se informacionet e para tregonin se zyrtari i Ministrisë së Brendshme po kërkonte 250 milionë lekë si kusht për shpalljen fituese të firmave. Por ndërkohë biznesmenët e interesuar, kanë kërkuar që kjo shumë të ulej ndërsa palët kanë rëndë dakord për një shumë prej 125 mijë euro. Pas administrimit të këtyre informacioneve Njësia Task Force në Prokurorinë e Tiranës ka vazhduar hetimet mbi abuzimin me tenderin me vlerë 1.7 miliardë lekë. Në këtë tender ishin ndarë 14 zëra të ndryshëm për uniforma për Gardën e Republikës, Policinë e Shtetit, Doganat, Ministrinë e Shëndetësisë, ushtrinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Kompanitë që ishin paraqitur në tender me një ofertë të vetme ishin “Malbertex” sh.p.k me pronar Artan Berberin, “Gjergjefi” sh.p.k me pronar Jani Gjergjefin dhe “Sadiku” sh.p.k me pronar Agur Sadikun (në arrest shtëpie). Këta persona, sipas prokurorisë kanë paguar një shumë prej 125 mijë euro në adresë të ish-drejtorit të Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme Bujar Murati. Ky i fundit ka implikuar në korrupsion edhe shtetasit Redi Popescu, specialist në Ministrinë e Integrimit dhe Tahir Imamin, shefin e prokurimeve në Gardën e Republikës. Sipas prokurorisë paratë në shumën 125 mijë euro janë paguar nga tre biznesmenët tek ndërmjetësit e ish-drejtorit të prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme. Të dyshuarit1. Bujar Murati, Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit të procedurave të Përqendruara të Prokurimit pranë Ministrisë së Brendshme2. Redi Popescu, specialist në Ministrinë e Integrimit3. Tahir Imami, Shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës4. Artan Berberi, pronar i Kompanisë MALBERTEX shpk.5. Jani Gjergjefi, pronar i Kompanisë GJERGJEFI shpk.6. Agur Sadiku, “arrest në shtëpi”, pronar i Kompanisë SADIKU shpkTahiri: Arrestimet s‘mjaftojnëPartia Socialiste ripërsëriti dje shqetësimin mbi përhapjen masive të korrupsionit në vend. Deputeti i PS Sajmir Tahiri tha dje në një konferencë shtypi, se tashmë është e qartë për të gjithë shqiptarët, e fatkeqësisht edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, se Shqipëria është vendi ku korrupsioni nuk luftohet fare nga Qeveria por përhapet masivisht, kryesisht për shkakun e saj. “Arrestimet e djeshme nuk tregojnë e nuk mjaftojnë për të na bindur se po luftohet korrupsioni. Arsyeja pse arrestohen për korrupsion vetëm varësit e Lulzim Bashës qoftë kur ky ishte Ministër i Transporteve, ashtu dhe sot kur është Ministër i Brendshëm, duket se është vetëm një shfaqje ekstreme e luftës për pushtet brenda të njëjtës familje politike”, tha deputeti i PS Sajmir Tahiri.