Basha: Fëmijët e policëve të vrarë, pagë dhe bursë studimi
TIRANE - Fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, deri në moshën 18 vjeç, do të trajtohen me pagën e prindit të tyre njësoj sikur të ishte i pranishëm në familje, duke përfituar edhe rritjen në gradë që do përfitonte. Ata do të kenë bursë të plotë për të studiuar në universitete të ndryshme, deri në përfundim të studimeve. Këto janë pikat kryesore të projektligjit për trajtimin financiar të familjeve të policëve të vrarë që është hartuar nga ekspertë të Ministrisë së Brendshme. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë një feste të organizuar për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, shpjegoi se ky projektligj tashmë është gati dhe së shpejti do të jetë në qeveri. “Sot është nisur nga Ministria e Brendshme për mendim në ministritë e tjera të linjës dhe së shpejti do të jetë në qeveri, një projektligj që do ta miratojë Kuvendi i Shqipërisë. Me këtë ligj do t’i jepet trajtimi çdo familjeje deri sa çdo fëmijë e familjes të arrijë moshën 18-vjeçare sikur punonjësi, oficeri i policisë i rënë në krye të detyrës të ishte i pranishëm pranë familjes, duke përfshirë këtu edhe rritjen në grada që do të përfitonte gjatë gjithë periudhës së karrierës së tij”, u shpreh gjatë festës ministri Basha. Basha shtoi se në projektligj parashikohet që duke nisur nga mosha 18-vjeçare, fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës do të përfitojnë deri në përfundim bursat për studime të plota universitare në universitetet e Shqipërisë. e.d