E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori Ekzekutiv Rajonal i Transparency International: Qeveria shqiptare ka arritur progres kundër korrupsionit

Marschall: Jam i impresionuar nga paketa që kjo qeveri ka krijuar për të nxitur ekonominë. Kjo është një nga pak ekonomitë, mendoj jo vetëm në Europë por në botë, që nuk është tkurrur gjatë krizës financiare dhe ekonomike. Pra padyshim ju jeni në rrugën e duhur në këtë kuptim.

Marschall: Unë mendoj se ka patur progres të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe se qeveria shqiptare ka bërë progres.

Kryeministri Berisha dhe Drejtori Ekzekutiv Rajonal i Transparency International, pas hapjes sw punimeve të konferencës vjetore të Tranpsarency International për Evropën dhe Azinë Qendrore, u shprehën në konferencën e përbashkët për shtyp:

Kryeministri Berisha:

“Dua të shpreh falënderimin tim të përzemërt për drejtorin rajonal të Transparency International z. Miklos Marschall dhe për Transparency International në përgjithësi që kanë përzgjedhur Shqipërinë për organizimin e kësaj konference të rëndësishme rajonale, e cila trajton një nga problemet më themelore të Shqipërisë, të rajonit, të qytetërimit njerëzor në tërësi, problemin e korrupsionit. Pata rastin të bëj një ekspoze të të gjitha përpjekjeve të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Këto përpjekje kanë qenë të shumta dhe multidimensionale. Ato janë bazuar në dy shtylla kryesore: në reforma të gjithanshme për zvogëlimin dhe parandalimin e tij, në penalizmin e autorëve të korrupsionit. Nuk dua të zgjatem, por të theksoj një moment. Këto reforma kanë bërë që qeveria ime të ketë fituar betejën dhe ndoshta edhe më shumë sesa betejën, por lufta mbetet për tu fituar. Ajo çka është arritur deri më sot do të thotë se është plotësisht e mundur që shqiptarët të kenë të kthjellët një perspektivë tjetër dhe jo perspektivën e një shoqërie ryshfeti.

Unë mbetem thellësisht i vendosur që të bëj çdo përpjekje për të konsoliduar suksesin e kësaj lufte; për të rritur vetëdijen e qytetarëve shqiptarë ndaj këtij armiku të egër të lirive të tyre; për të rritur transparencën në çdo qelizë të veprimtarisë publike të këtij vendi.

Më duhet të falënderoj Transparency International për të gjithë mbështetjen dhe ndihmën që i ka dhënë këtyre përpjekjeve. Dua të falënderoj Millenium Challenge Account Coorporation dhe USAID për programet jashtëzakonisht të rëndësishme që kanë sponsorizuar dhe implementuar në luftën kundër tij. Dua të falënderoj mediat shqiptare që me guxim dhe kurajo kanë denoncuar dhe denoncojnë në mënyrë të vazhdueshme fenomenin. Dua të falënderoj shoqërinë civile dhe ta garantoj se do të përpiqem që të vendos një bashkëpunim më të frytshëm në interesin më të mirë në luftën kundër korrupsionit.

Faleminderit!”

Z. Miklos Marschall, Drejtori Ekzekutiv Rajonal i Transparency International:

“Shumë faleminderit zoti Kryeministër,

Më quajnë Miklos Marschall dhe përfaqësoj Transparency International për Europën dhe Azisë Qendrore. Siç e dini, Transparency International ka një sekretariat global, shumica e punës sonë bëhet nga kapitujt kombëtarë, kapitujt e lëvizjes globale, një prej të cilëve është edhe Transparency International në Shqipëri. Jemi një organizatë e shoqërisë civile, por jemi shumë krenar që në 15-20 vitet e fundit kemi arritur të vendosim agjendën e antikorrupsionit në tryezën botërore. Ne jemi një watch-dog, jemi shumë të vendosur në parimet tona, kritikojmë qeveri dhe komunitetin e biznesit, por ne jemi një partner konstruktiv, punojmë me qeveritë. Ne punojmë me sektorin privat, sepse lufta kundër korrupsionit është e mundur vetëm nëse ne punojmë së bashku. Dhe jemi shumë mirënjohës që kemi këtë konferencë në Tiranë, Shqipëri, sot dhe në ditët në vijim. Dhe jemi shumë mirënjohës ndaj qeverisë shqiptare që organizoi një konferencë të tillë, në këtë vend të madh, në këtë qytet të madh. Dhe i jam veçanërisht mirënjohës Kryeministrit Berisha që u sigurua personalisht që ne të mbanim këtë konferencë. Ai është i interesuar për të luftuar korrupsionin, jo vetëm si një politikan, Duke e dëgjuar krijova përshtypjen që ai është gjithashtu thellësisht i interesuar për këtë çështje si një intelektual, si dikush që ka qenë pjesë e jetës publike për shumë dekada dhe ai ka disa ide shumë interesante, origjinale, të vendosura si të luftohet korrupsioni.

Më lejoni të parashtroj disa pika hyrëse rreth asaj çfarë kemi mësuar gjatë viteve në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në ekonomitë e tranzicionit. çdo program i suksesshëm kundër korrupsionit kërkon të paktën tre komponentë themelor, dhe unë besoj që kjo aplikohet për Shqipërinë gjithashtu. Së pari duhet të ketë një vullnet politik. Udhëheqja politike duhet të jetë me të vërtet dhe ndershmërisht e përkushtuar ndaj reformave kundër korrupsionit. Komponenti i dytë, është nevoja për të kuptuar se të gjitha reformat e suksesshme kundër korrupsionit zhvillohen paralelisht me reforma të tjera të mëdha, si reformat makroekonomike, reformat sociale, reforma e administratës publike. Sepse korrupsioni siç e dimë të gjithë, është një rrjedhojë e institucioneve të dobësuara . Korrupsioni shpesh nuk bëhet me zgjedhje, por është mundësia e vetme për shumë. Sepse institucionet si faktori juridik, nuk funksionojnë mirë dhe supozohet të mbrojnë shtetin ligjor dhe ligjshmërinë e vendit. Dhe komponenti i tretë, që është absolutisht thelbësor, është se ju keni një shoqëri të fortë civile, një trysni nga shoqëria civile, që me të vërtetë vetë shoqëria është frustruar mjaftueshëm dhe është gati të kërkojë ndryshime. Dhe unë mendoj se, sigurisht është shumë herët për mua për të dhënë një gjykim, por bazuar në eksperiencën time mbi Shqipërinë, ndërsa korrupsioni pa dyshim është një problem i madh i këtij vendi, dhe duhet bërë shumë. Padyshim shoh se ka një vullnet të madh politik, ka një mirëkuptim se reformat sistemike janë mjetet më të mira për të ndaluar korrupsionin. Unë gjithashtu kam parë se ka një mirëkuptim se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm për të luajtur. Nëse flasim për reformat kundër korrupsionit, bazuar në përvojën time, jam hungarez, kam jetuar në një ekonomi në tranzicion, kam lindur në një shoqëri komuniste dhe i kuptoj këto probleme. Mendoj se reformat duhet të fokusohen në të paktën tre drejtime, asgjë nuk mund të jetë më e dobishme se një politikë ekonomike e përshtatshme , që fokusohet në rritjen ekonomike. çfarëdo që e ndihmon ekonominë të rritet është gjithashtu shumë e mirë kundër korrupsionit. Dhe jam i impresionuar nga paketa që kjo qeveri ka krijuar për të nxitur ekonominë. Kjo është një nga pak ekonomitë, mendoj jo vetëm në Europë por në botë, që nuk është tkurrur gjatë krizës financiare dhe ekonomike. Pra padyshim ju jeni në rrugën e duhur në këtë kuptim.

Grupi i dytë i reformave duhet të fokusohet në mjedisin e biznesit. Sa më e lehtë të jetë të bësh biznes në një vend, aq më të suksesshëm do të jeni kundër korrupsionit. Sepse sërish, korrupsioni shpesh nuk bëhet më zgjedhje, por është një mjet që pronari i biznesit të vogël duhet të paguaj 25 lloj taksash, duhet të takoj 5-7 inspektor në javë. Nuk mund të presim që ky biznes të respektoj ligjin sepse do të falimentonte. Prandaj është e rëndësishme të ndihmohen këta sipërmarrës të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të jenë të ligjshëm, duke thjeshtësuar legjislacionin. Dhe duke krijuar një mjedis më aftësues të biznesit. Unë mendoj se Shqipëria mund të shënoj disa rezultate pozitive në atë aspekt gjithashtu. Mendoj se reforma e sistemit të taksave është një hap shumë i rëndësishëm, prokurimi elektronik është një arritje impresionuese, shërbimi one-stop shop është një mjet i rëndësishëm i ndërmar në këtë drejtim. Mendoj se ka një sërë faktesh pozitive që mund t’i mirëpresim si një organizatë watchdog ndërkombëtare kundër korrupsionit.

Fusha e tretë e çdo reforme është modernizimi i administratës publike. Në një farë mënyre është më e thjeshtë të ndryshosh mjedisin e biznesit, sepse nga natyra ka gjithmonë më shumë dinamizëm në faktorin e biznesit. është më e vështirë të modernizosh administratën publike, sektorin shëndetësor, burokracinë vetë. Por gjithashtu dua të shpreh se masat që Kryeministri i quajti: qeveria, administrata në dietë, e cila është një përpjekje e mirë për të ndaluar burokracinë dhe infektivitetin. Sigurisht, siç e dinë të gjithë, ka ende shumë për të bërë, dhe lufta kundër korrupsionit gjithmonë kërkon një lloj konsensusi politik.

Unë shpresoj se elita politike në Shqipëri do të gjejnë më në fund një konsensus ndoshta rreth çështjes së korrupsionit dhe luftës kundër korrupsionit.

Së fundi, doja të bëja këto vërejtje të shkurtra. Si gjithmonë i jam shumë mirënjohës Kryeministrit, isha këtu vitin e kaluar, dhe vitin përpara,ky nuk është takimi ynë i parë, dhe personalisht i kam pëlqyer, dhe mund të premtoj në emër të kapitullit tonë në Shqipëri, gjithashtu në emër të TI, që do të mbetemi kritikë të fortë dhe të ashpër, por gjithashtu partner të mirë.”

Pyetje: Ju thatë që keni qenë një dhe dy vjet më parë në Shqipëri, si e shikoni Shqipërinë në raport me korrupsionin, krahasuar me një, dy apo pesë vjet më parë?

Miklos Marschall: Unë mendoj se ka patur progres të rëndësishëm, mendoj se hapat të cilave iu referova, dhe ato që përmendi Kryeministri në fjalën e tij, janë tregues të mirë se është bërë progres në ato tre fusha. Masat për të nxitur rritjen ekonomike, masat për të bërë mjedisin e biznesit më tërheqës dhe unë shoh ende shumë për t’u bërë janë reformat në administratën publike. Por, nëse më lejoni të jap një përshtypje subjektive, personalisht, si dikush që ka udhëtuar në shumë vende në Europë, gjithmonë më kanë impresionuar aspiratat, shpresat, energjia që shoh në këtë vend. Mendoj se mentaliteti është shumë i rëndësishëm, dhe disa herë si vëzhgues të jashtëm nuk e kuptojmë këtë konflikt të nxehtë politik që keni, ne të gjithë e shohim se njerëzit duan të jenë pjesë e BE. kjo është një aspiratë e fortë, për t’iu bashkuar sistemit të BE-së dhe unë mund ta ndiejë atë lloj frymë sipërmarrëse, është shumë subjektive sigurisht, shoh më pak pesimizëm se në vende të tjera. Jam i impresionuar nga forca nxitëse për të ecur përpara. Me fjalë të tjera ky vend është rritje, me gjithë konfliktet, problemet, dhe varfërisë së rëndësishme për të përballuar, dhe padyshim korrupsioni është akoma një çështje serioze. Por padyshim unë shoh një ndryshim mbresëlënës për modernizimin.

Zoti Berisha, është publikuar një sondazh i fundit i financuar nga USAID, që fliste për një perceptim të qytetarëve, ku 92% e qytetarëve shqiptarë mendojnë se ka shumë korrupsion në Shqipëri. Si e shihni këtë shifër të perceptimit në këtë sondazh.

Kryeministri Berisha: Lidhur me perceptimin, perceptimi për korrupsionin fatkeqësisht është i lartë dhe në vendet me korrupsion më të ulët. Perceptimi i tillë është, po të marrësh eurobarometrin e nxjerr 70% në vendet anëtare. Mendoj se detyra e vendim-marrësve është të luftojë në çdo hallkë për parandalimin, zvogëlimin ose ndëshkimin e tij, dhe natyrisht duhet të jenë të mësuar, dua të pranoj se perceptimin do ta marrin si një paralajmërim për të vazhduar këtë betejë. Por a ka një dallim midis Shqipërisë dhe vendeve që unë citova nga eurobarometri? Padyshim që ka një dallim, se nëqoftëse në ato vende perceptimi vërtetë është 70%, shkalla e ryshfetit është 6%, 9% pra është shumë e ulët. Në Shqipëri kjo shkallë është më e lartë, qartësisht më e lartë dhe detyra, gjykoj unë, kryesore është të marrim mbas çdo hallke, një gjë është e sigurt, rezultatet tona në luftën kundër korrupsionit janë konkrete, janë të prekshme. Nëqoftëse pranimet universitare para katër vitesh ishin panairi i korrupsionit siç e dini, ka tre vjet që ka 0 korrupsion, pra mbeten hallka të tjera për të nxjerr jashtë. Dhe më duhet të them, një fenomen që kurrë nuk çrrënjoset, por një fenomen që luftohet.”


12/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›