Kryeministri Berisha inauguron në Kamzë tre vepra publike, me vlerë 400 milion lekë
Gjatë vitit 2009, ne kemi investuar në Kamës 1 miliard lekë, ose janë investuar sa 15 vite të marra sëbashku, në këtë bashki.
Qeveria do të bëjë çdo investim në këtë bashki, për ta shndërruar atë në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremonitë e inaugurimit të tre veprave publike në bashkinë e Kamzës, të rrugës Azem Hajdari, të sistemit të kanalizimeve dhe rrugën që lidh këtë qytet me Tapizën, investime me vlerë 400 milion lekë.
Në përshëndetjen drejtuar banorëve të Kamzës, Kryeministri Berisha u ndal në investimet në vepra publike që janë bërë në këtë bashki, të cilat vetëm për vitin 2009 kapin vlerën e 1 miliard lekëve dhe në projektet e ardhshme në infrastrukturën rrugore, në kanalizime, ujësjellës, në shkolla etj. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Qytetarë e qytetare të bashkisë së Kamzës,
Ju përshëndes vëllazërisht, shpreh gëzimin tim të madh që ju takoj sot dhe të ndaj me ju kënaqësinë e inaugurimit të veprave që kapin shumën prej 400 milion lekë. Para pak çastesh, së bashku inauguruam rrugën që mban emrin e tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve, heroit të lëvizjes studentore, të pavdekshmit Azem Hajdari. Azem, ti je gjallë.
Në një lagje të Kamzës, inauguruam sistemin modern të kanalizimeve dhe këtu, në këtë shesh, autostradën që lidh Kamzën me Tapizën, një investim madhor, me katër korsi, me trotuare, ndriçim dhe me sistemet më moderne sinjalistike për rrugët e vendit.
Qytetarë dhe qytetarë të Kamzës,
Sot, vij krenar para jush, sepse gjatë vitit 2009, ne kemi investuar në qytetin tuaj 1 miliard lekë, ose janë investuar sa 15 vite të marra sëbashku, në këtë bashki. Në vitet 2009-2010, në qytetin tuaj u ndërtuan 4 shkolla të reja, me vlerë rreth 500 milion lekë, janë në vazhdim dhe po ndërtohen edhe 3 të tjera, me vlerë prej 450 milion lekë. Deputetit tuaj, ministrit të Arsimit i kam kërkuar të bisedojë me kryetarin e bashkisë për të gjetur truallin dhe të nisim ndërtesën e një apo dy të tjerave, derisa fëmijët tuaj, pa përjashtim, të ulen në bankat e shkollave më moderne, të standardeve europiane. Këtu është ndërtuar edhe qendra e arsimit profesional, me vlerë prej 500 milion lekë, apo 3.8 milion euro, si dhe pallati i kulturës, i standardeve më të mira.
Zonja dhe zotërinj,
Unë dua t’ju garantoj se qeveria ime do të bëjë çdo investim në këtë bashki, për ta shndërruar atë në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë. Ka përfunduar rrjeti i shpërndarjes dhe furnizimit me energji prej 20 mijë kilo/volt, investim prej 10 milion euro. U rindërtua tërësisht rruga kryesore Institut-Bulqesh, me vlerë prej 2 miliard lekë. Por projekte të mëdha kemi përpara. Së shpejti do të bëhet fizibiliteti i një projekti për ujësjellësin dhe kanalizimet, me vlerë prej afër 6 miliard lek investime, nga të cilat 18 milion euro është ujësjellësi dhe 27 milion kanalizimet. Ju do të merrni ujë 24 orë pa ndërprerje.
Qytetarë e qytetarë të Kamzës,
Në këto 4 vitet e fundit, në bashkinë tuja janë asfaltuar 30 kilometra rrugë të standardeve nga më të mira në qytetet e vendit. Gjatë vitit 2010, do të asfaltohen edhe 15 kilometra të tjera. Zoti kryetar i bashkisë, brenda këtij mandati ne, sëbashku, do të asfaltojmë çdo rrugë e rrugicë të këtij qyteti. Kjo është rruga që ne kemi zgjedhur për të ecur të sigurt drejt Europës. Kjo rrugë nuk ka qenë dhe nuk është një bulevard, por është një rrugë e ndershme, e sigurt, e suksesshme, në të cilën asgjë në botë nuk mund të na pengojë.
Siç e dini, bulevardi kryesor i kombi prej 13 ditësh është i bllokuar nga një grevë urie. Jam këtu për t’u angazhuar edhe një herë, se do të respektoj çdo të drejtë kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, se qytetarët e këtij vendi do të kenë të garantuar lirinë e të drejtën e protestës paqësore. Por më duhet t’i them Ramiz Alisë dhe bllokqenëve të tjerë, të mos u qeshë buza, se jeni gabim, jeni gabim rëndë. Prandaj, keni bërë, ç’keni bërë me njëri-tjetrin, keni vrarë dhe eliminuar njëri-tjetrin, ne, demokratët, jemi të përcaktuar të ecim drejt Europës. Ndërsa zotit Edi Rama i kërkoj këtu, duke i respektuar plotësisht protestën, të mos tentojë të mundojë qytetarët e Shqipërisë, duke u dalë përpara rrugëve. Të puthet tre herë në ditë me Ramiz Alinë, por qytetarët të mos i lëndojë, sepse ky është rregulli. Rrugët janë të publikut, janë të qytetarëve, janë të atyre që transportojnë, janë të të sëmurëve dhe të të shëndoshëve, të halleve dhe problemeve, të urgjencave dhe askush nuk mund të mendojë se do të mund të ndëshkojë qytetarët shqiptarë, duke u dalë përpara në rrugë.
Edhe një herë ju përshëndes, ju uroj gëzuar. Festa dhe inaugurime të tjera do të kemi. Gëzuar!”
12/05/2010