E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejtori Hysi, kemi marrë firmat e atyre që nuk pranojnë ushqimin

28/04/2005  Greva, të paraburgosurit refuzojnë ushqimin e familjarëve

TIRANË – E filluan grevën të bashkuar, por dje numri është reduktuar. Pasi është kërkuar që fillimi i grevës të jepej me shkrim, disa nga të paraburgosurit janë tërhequr. Ata që nuk i janë trembur grevës dhe kanë refuzuar marrjen e ushqimit nga familjarët, janë vetëm katër. Ka hyrë në ditën e saj të tretë greva e urisë, e filluar nga një numër të paraburgosurish të Burgut 302 Tiranë. Ndërsa dy ditë më parë, lista e të paraburgosurve që do të fillonin grevën ishte më e gjatë, dje me vajtjen e specialistëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ajo është reduktuar në 4. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Engjall Hysi, i pyetur për këtë problem, e konfirmoi lajmin e dhënë dy ditë më parë nga gazeta "Metropol", duke shtuar se nga ana e institucionit që drejton janë marrë të gjitha masat. Sipas Hysit, të paraburgosurit janë pyetur një për një në dhoma dhe u është marrë firma përkatëse. Ai shtoi se çdo njeri ka të drejtë të futet në greve urie, ndërsa përmendi faktin se është i detyruar të mbajë në mbikëqyrje duke i dhënë ndihmën e shpejtë në rast përkeqësimi. Dje që në orët e para të mëngjesit, në dhomat e të paraburgosurve për krime të rënda është bërë kontroll. Të pandehurit që firmosën dhe pranuan fillimin e grevës, nuk iu lejua mbajtja e ushqimeve në dhoma. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, konfirmohet se të paraburgosurit kanë njoftuar futjen në grevë urie për shkak të disa problemeve që kanë me sistemin e drejtësisë, prokurorinë dhe gjykatën. Për këto probleme, të pandehurit kanë njoftuar edhe organizatat monitoruese si dhe ministrin e Drejtësisë. Drejtoria e Përgjithshme pas marrjes së këtij informacioni i njohu të paraburgosurit për të drejtat dhe detyrimet në rast hyrje në grevë urie dhe në bazë të ligjit kërkoi që kërkesa të bëhet me shkrim. Të paraburgosurit kërkojnë zbutje të vendimeve gjyqësore dhe moszvarritje në gjykim.

Letra e të burgosurve drejtuar institucioneve dhe trupit diplomatik

Të burgosurit: Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar

Të nderuar zotërinj!

Me anën e kësaj letre, ne të paraburgosurit e Krimeve të Rënda, pranë Burgut 302 Tiranë, u drejtohemi Juve, që me autoritetin që ju jep ligji dhe ndërgjegjen Tuaj juridike, si dhe misionin fisnik të informimit të opinionit, të ndërhyni në respektimin e ligjit penal dhe atij procedurial si dhe atij kushtetues, për të garantuar një proces të rregullt ligjor dhe një trajtim të barabartë përpara ligjit. Tashmë është bërë publike dhuna që është ushtruar në ambientet e Burgut 302 Tiranë dhe që nga ana e autoriteteve përgjegjëse u morën masa energjike dhe ligjore në vendosjen e normalitetit, akt për të cilin u jemi mirënjohës dhe ju falenderojmë. Por përveç trajtimit human, ajo që na shqetëson më shumë është respektimi i ligjit në hetimin dhe gjykimin tonë nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Eshtë bërë tashmë e zakonshme që masa e sigurimit për shumicën e të pandehurve, që i përket juridiksionit të këtyre organeve, është burg pa afat në mungesë jo vetëm të provave, por as edhe të një dyshimi apo indicjeje. Gjykata vetëm dëgjon palët dhe miraton pa asnjë argumentim kërkesat e prokurorit. Po kështu, gjatë hetimit, mbrojtësit dhe të akuzuarit nuk kanë mundësi të njihen me provat në ngarkim të tyre. Ka raste, dhe jo rrallë, që mbrojtësit dhe të pandehurit nuk njihen me materialet e çështjes as dhe në përfundim të hetimeve dhe po kështu çështja niset për gjykim pa dijeninë e tyre. Në Prokurorinë për Krime të Rënda ekziston një qëndrim i orientuar dhe i gjithëpranuar për të rrëzuar çdo kërkesë të mbrojtjes apo të të pandehurit, pavarësisht nga bazueshmëria e saj në ligj. Ky është një nga precedentët më të rrezikshëm dhe një nga shkeljet më flagrante të ligjit procedurial dhe të të drejtave kushtetuese në një proces penal.

Po e njëjta situatë sundon edhe në Gjykatën për Krime të Rënda. Eshtë e paimagjinueshme që një gjykatë në mungesë absolute të provave, siç parashikon Kodi i Procedurës Penale, të japë dënim me burgim të përjetshëm. Po kështu është bërë praktikë mospranimi i gjykimit të shkurtuar të kërkuar nga të pandehurit, me të vetmin qëllim, që i gjykuari të dënohet maksimalisht dhe të mos përfitojë nga favoret që gëzon nga ligji. Nuk ndodh që në këtë gjykatë të pranohen kërkesat e mbrojtjes, ndërsa nga ana tjetër vendimi i gjykatës është kopje e njëjtë me kërkesën për gjykim të prokurorit. Sigurisht që një situatë e tillë absurde dhe e padenjë për akuzën dhe për më tepër për gjyqësorin, që përfaqëson drejtësinë, përveç gjatë procesit penal, është bërë objekt diskutimi edhe midis kolegëve në biseda të ndryshme profesionale dhe për hir të së vërtetës, konfidencialisht, gjyqtari apo prokurori u deklarojnë mbrojtësve tanë se e dimë që nuk ka prova, por nuk kemi se ç'të bëjmë. Kjo është një situatë sa komike aq edhe tragjike, që paguhet jo lirë nga ana jonë. Prandaj, përpara këtij korrupsioni moral, është detyra Juaj të nderuar zotërinj që të ndërhyni në eksplorimin dhe pastaj zgjidhjen e kësaj situate.

Si pasojë e kësaj situate, masa e parë që ne si të paraburgosur po ndërmarrim, është greva e urisë, e nisur qysh sot me anën e së cilës nuk duam të imponohemi, por të sensibilizojmë Juve në zgjidhjen e kësaj situate. Sa më sipër, ju lutemi që të kontaktoni me ne dhe krahas kësaj të ngrihet një grup i posaçëm specialistësh, që verifikojë pretendimet tona, duke rishikuar proceset e deritanishme për të prevenuar shkeljet në të ardhmen. Nuk kërkojmë të lirohemi nga burgu, por kërkojmë me forcë garantimin e një procesi të drejtë mbi bazën e provave. Fajtorët të dënohen, ndërsa të pafajshmit të marrin pafajësinë që u takon. Ju lutemi që të veproni sa më shpejt, pasi siç dihet, drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

Tiranë më 25.04.2005

TE PARABURGOSURIT E BURGUT 302 TIRANE

1. Genc SANXHAKU

2. Gëzim GJONI

3. Blenard Fejzullai

4. Muhamet Fejzullai

MINORENET

5. Ismail RAJA

6.Genc DAJLANI

7. Eduart RRESHKA

8. Mariel FIERZA

9. Muhamet BAKALLI

10. Agim HOXHA

11. Gjergj GJIRAKO

12. Euglen ISMAILI

13. Gëzim COFI

14. Bardhyl RUSTEMI

15. Gjergj CUKALI

16. Liman LLESHI

17. Alban ELEZI

18. Vilson JAHO

19. Besnik KETA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›