Tre lushnjarët e Don "Bosko", Prokuroria s’ka përcaktuar kompetencat
28/04/2005 TIRANË – Mario Hasani, Elvis Perthi dhe Ardian Llapushi, megjithëse kanë marrë nga gjykata masën e arrestit burg pa afat për veprën penale të fshehjes së provave që zbulojnë të vërtetën, ende nuk e dinë se nga cila prokurori do të hetohen. Prokurori Besnik Muçi, që deri tani ka patur në dorë këtë çështje, shprehet se ende nuk është bërë kalimi i kompetencave Prokurorisë që do të vazhdojë hetimet. Pra, hetimet e deritanishme nuk kanë përcaktuar qartë se kush do të merret me këtë çështje, Prokuroria e Krimeve të Rënda, apo ajo e Shkallës së Parë. Për të shkuar deri në këtë pike, do të duhet të përcaktohet më parë lidhja e të pandehurve me viktimën e "Don Boskos" dhe roli i tyre në këtë ngjarje. Asnjë prej të pandehurve nuk e ka pranuar veprën penale për të cilën u vunë në pranga në mesin e muajit mars. Deri tani kanë dhënë deklarata nga më të shumtat, të cilat në një farë mënyre kanë hedhur poshtë versionet e akuzës. Por ndryshe janë shprehur prokurorët që janë marrë me kompleksitetin e çështjes. Ata janë të sigurtë se të pandehurit kanë dijeni për ngjarjen e ndodhur në lagjen "Don Bosko", madje kanë komunikuar me viktimën. Është kjo e fundit, pra komunikimi ai që ka mbetur i pazgjidhur. Prokuroria ka arritur të marrë prej tyre disa copëza bisedash të zhvilluara në momentin e ndalimit dhe vendosjes në të njëjtën dhomë në Drejtorinë e Policisë. Të ndaluarit janë përgjuar dhe në shiritin e kasetës së inçizimit ndodhen zërat e tyre së bashku me disa fjali jo shumë të qarta. Nuk kanë treguar emra konkretë, madje kanë porositur njëri-tjetrin të mos identifikonin numrin e telefonit që ndodhej në kartën e secilit. Tashmë, Prokuroria ka në dosje një provë. "Dëgjoni, të jemi të gjithë në një mendje. Askush të mos tregojë se i kujt është numri i telefonit". Këto janë fjalët që kanë thënë të ndaluarit në polici gjatë përgjimit. Të ndaluarit, dhjetë ditë rresht para se të ndodhte shpërthimi, kanë komunikuar me viktimën. Por në telefonat e tyre nuk është identifikuar emri i personit. Policia ka arritur të identifikojë numrat e telefonit që kanë patur thirrje me viktimën në rrugë operative. Fillimisht janë marrë numrat në kartën telefonike të gjetur pranë trupit të viktimës. Më pas, me këto numra kanë punuar persona operativë. Është bërë identifikimi i thirrjeve dhe emrave të personave që kishin folur me viktimën.