Eksperti, lënda e përzier me paracetamol ishte heroinë
28/04/2005 TIRANË – "Nga ekspertimi ka rezultuar se sasia e lëndës që ishte përzier me paracetamol dhe si pronar ka të pandehurin Petrit Sulejmani, ishte heroinë e pastër". Këtë përgjigje dha dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda një prej ekspertëve, i cili ishte kërkuar nga ana e mbrojtjes. Avokatët pretendonin se klienti i tyre, Petrit Sulejmani, nga Fieri, ka patur në makinë 10 kilogramë e 800 gramë paracetamol. Nga ana tjetër ishin prokurorët ata që kundërshtuan, duke thënë se paracetamoli ishte i përzier me heroinë. Kjo sasi përzierje do të dilte në treg për t’u shitur. Por policia, sipas organit të akuzës, kishte vënë në rreth të kuq Sulejmanin, i cili u arrit të kapej pas disa përgjimeve të bisedave telefonike. Sulejmani është edhe pronar i sasisë prej 1 kilogram e 45.6 gramë kokainë, që do të kalonte kufirin grek në datën 24 qershor 2004, me ndihmën e shoferit Aleksandër Furrxhi. Ky i fundit do të kalonte këtë sasi në këmbim të një shume parash. Por "fatkeqësisht" operacioni i policisë ishte më i shpejtë. Sulejmani, në kohën kur do të jepte udhëzimet e fundit shoferit të taksisë, u kap nga policia. Operacioni i datës 24 qershor 2004 bëri të mundur edhe kapjen e sasisë së kokainës, që do nisej drejt Greqisë. Ndërsa shoferi Aleksandër Furrxhi pranoi akuzën, Petrit Sulejmani e mohoi.