E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtori Politik

Ish-ministri i Ekonomisë dhe i Financave në Qeverinë Rexhepi, Ali Sadriu, është zgjedhur drejtor i ri i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Zgjedhjen e tij në krye të spitalit më të madh publik në vend, e kanë konfirmuar zyrtarë për media në Ministrinë e Shëndetësisë.

Për këtë zgjedhje ka vendosur paneli intervistues, i cili duke u bazuar në Ligjin mbi Shërbimin Civil në Kosovë, Urdhëresën Administrative për zbatimin e këtij ligji, Udhëzimin Administrativ 2003/1 dhe në Statutin e QKUK-së, ka intervistuar të mërkurën kandidatët, të cilët kishin aplikuar në konkurs, thuhet në një njoftim për media nga MSh-ja.

Zëdhënësi Faik Hoti bëri të ditur se intervistimi i kandidatëve është mbikëqyrur nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, ndërsa intervistimit i janë nënshtruar nëntë kandidatë.

Drejtori i ri Ekzekutiv i QKUK-së, Ali Sadriu, do të ketë kontratë dyvjeçare, ndërsa për tre muaj, ai do ti nënshtrohet periudhës provuese.

Kundër zgjedhjes së Sadriut në krye të QKU është Sindikata e Pavarur e QKU-së. Gazeta ka siguruar një letër që kryetari i kësaj sindikate, Xhemajl Selmani, i ka dërguar presidentit Fatmir Sejdiu, kryeministrit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi dhe kryetarit të komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Sadik Idrizi, ku kërkon që emërimi i drejtorit të QKU-së të mos jetë politik.

Ne jemi të shtyrë tua rikujtojmë se nuk kemi nevojë për emërime politike, të cilat mund tua konsolidojnë radhët politike në prag të zgjedhjeve, por kemi nevojë për zgjedhjen të cilën ua kemi propozuar, e cila i largon militantët dhe misionarët politikë të një krahu të caktuar edhe e stabilizon situatën, politikisht dhe financiarisht, thuhet në letrën e Sindikatës së QKU-së, drejtuar krerëve më të lartë të institucioneve të Kosovës.

Sindikalistët e QKU-së thonë se duhet vullnet i fortë që secili të heqë dorë nga interesat politike, partiake, individuale, në mënyrë që të përmirësohet gjendja në shërbimet shëndetësore, e me këtë edhe gjendja e rëndë financiare e shërbyesve shëndetësorë dhe personelit përcjellës.

Mendojmë se është koha e fundit që ju udhëheqësit më të lartë të shtetit, të ndërmerrni hapa pozitivë në drejtim të përmirësimit të kësaj situate, në të kundërtën, neve na shtyni në padëgjueshmëri qytetare, radikalizim në kërkesa dhe veprime, thonë sindikalistët e QKU-së.

Ali Sadriu deri tani ka ushtruar detyra të ndryshme. Ndër të tjera ai ka qenë për 4 vjet, drejtor financiar i Fakultetit të Mjekësisë, drejtor Financiar i BANKKOS-it, bashkëdrejtues i Autoritetit Qendror Fiskal (AQF), 5 vjet deputet në Kuvendin e Kosovës 3 vjet ministër i Ekonomisë dhe Financave, etj.

Për drejtor të QKU kanë konkurruar edhe këta kandidatë: Bedri Zahiti, Bajram Koca, Fadil Beka, Xhavit Bicaj, Salih Krasniqi, Murat Zejnullahu, Sebahate Zeqiri, Violeta Husaj, Fitim Selimi, Curr Gjocaj, Izet Sadiku, Ibrahim Shabani dhe Mehmet Maxhuni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›