Ish-të burgosurit politikë kërcënojnë me grevë urie
DURRËS - Ish-të burgosurit Politikë të Durrësit kanë kërcënuar se do të kalojnë në grevë urie në rast se nga ana e qeverisë nuk do të vihen në zbatim kërkesat e ltyre.
Në një deklaratë të dhënë të enjten, ata kanë theksuar se do të futen në grevë urie në rast se të drejtat e tyre të mohuara do të vijojnë të nëpërkëmben. Ish-të burgosurit kanë kërkuar nga qeveria shqiptare plotësimin 5 pikave në mënyrë urgjente.
Kështu, kërkohet përfundimi sa më shpejt i shpërndarjes së parave të këstit të parë brenda vitit 2009. Së dyti, ata kërkojnë që të shkurtohet afati prej tetë vjetësh që është lënë për dëshmpërblimin e ish-të dënuarve politikë, kjo për faktin se në atë kohë shumë prej tyre do të kenë vdekur.
Së treti kërkohet që këstet e tjera të paguhen në përqindjen e interesit sipas normave bankare. Hartimi i një strategjie nga qeveria për strehimin dhe punësimin e kësaj shtrese ishte një tjetër pikë e kërkuar nga ish-të burgosurit, teksa u theksua edhe shkurtimi i afatit të daljes në pension.
"Në rast të mosplotësimit të këtyre kushteve ne do t'i përshkallëzojmë kërkesat tona deri në grevë urie pa afat" u shprehën përfaqësues të ish-të dënuarve politikë në deklaratën e tyre të dhënë për mediat në qytetin e Durrësit.
Braktisja e shkollës, përpjekje për uljen e rasteve
SHKODËR - Braktisja e shkollës në arsimin e detyrueshëm është në rënie dhe në bashkëpunim me faktorë të tjerë, po synohet minimizimi deri në eliminim i këtij fenomeni. Kjo pohohet nga drejtoresha rajonale e arsimit në Shkodër Atrida Ferketi , e cila e mbështet këtë në të dhënat zyrtare që ka ky institucion.
Në vitin mësimor 2007-2008 në Shkodër ka patur 264 raste të braktisjes së shkollës në nivelin e arsimit të detyruar . Në vitin mësimor 2008-2009 kanë qenë 242 raste braktisjeje të shkollës, ndërsa në vitin mësimor aktual, 2009-2010, deri tani janë 164 raste braktisjeje.
Sipas Ferketit, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe faktorë të tjerë, po synohet që arsimi i detyrueshëm 9-vjeçar të frekuentohet nga të gjithë dhe të mos ketë raste braktisjeje. Duke qenë se arsyet ekonomike janë ato që ndikojnë në braktisjen e shkollës, pasi fëmijët e familjeve të varfra shesin nëpër rrugë, mbledhin kanaçe apo dhe lypin, po bashkëpunohet me njësitë e qeverisjes vendore për identifikimin e familjeve fëmijët e të cilëve braktisin shkollën dhe gjetjen e mundësive për punësimin e personave të rritur të këtyre familjeve, me qëllim që fëmijët e moshës 6-15 vjeç të ndjekin arsimin bazë të detyrueshëm.
Në zona që njihen për varfëri të thellë dhe ku ka mjaft familje e fëmijë me probleme, është bashkëpunuar dhe me biznesin, për t'i afruar ndihmë fëmijëve në moshën e shkollës duke u blerë libra dhe dhënë ato falas. Një rast i tillë është ai i 140 fëmijëve të komunitetit egjiptian në lagjen "Liria", që janë paisur me tekste mësimore falas.
Lidhur me fëmijët me probleme gjakmarrjeje, Ferketi thekson se projekti "Shansi i dytë" i nisur tre vjet më parë do të vazhdojë dhe këtë vit dhe në të janë të përfshirë 43 fëmijë të ndarë në 22 vatra, ku mësuesit u zhvillojnë mësim në kushte shtëpie tri herë në javë në 25 javë mësimore.
Ferketi apelon që të gjithë faktorët të bashkohen dhe të bëjnë të mundur që fëmijët e moshës së arsimit bazë të detrueshëm të mos përfshihen në fenomenin e ngujimit, që i privon ato nga e drejta e arsimimit njëlloj si të tjerët.
Rama dënon veprimin: Policia ndërtimore ka shkelur kompetencat e saj
Policia ndërtimore "shkatërron" qendrën e kryeqytetit
TIRANË - Policia ndërtimore ka ndërhyrë të enjten për prishjen e një objekti në qendër të Tiranës. Fadroma e cila shoqërohej edhe nga furgonë të policisë së shtetit ka shkatërruar jo vetëm objektin, por edhe gjithçka ekzistonte përreth tij.
Ngjarja e ndodhur në orët e para të ditës së enjte nuk është paralajmëruar nga asnjë institucion. Askush nga pronarët, ndërtuesit apo institucionet e tjera mësohet se nuk kanë qenë në dijeni të kësaj ndërhyrjeje që u zhvillua.
Zona e dëmtuar ndodhet në qendër të Tiranës, aty ku bashkohet Rruga e Kavajës me Rrugën e Durrësit. Prej vitesh kjo zonë është përdorur si parking, por që prej ditës së djeshme ajo është mbuluar me dhe, e nuk dihet se çfarë do të ndodhë më tej.
Hapësira nuk është mbuluar e gjitha për shkak të disa makinave të cilat gjendeshin të parkuara aty në momentin e ndërhyrjes. Fadroma e policisë gjithashtu ka shkatërruar murin rrethues të objektit, si dhe disa tabela reklamash që ishin vendosur përgjatë murit.
Të pyetur, burime nga Bashkia e Tiranës, si dhe kreu i saj, Edi Rama, deklaruan se nuk kanë pasur asnjë informacion në lidhje me këtë ndërhyrje. Megjithatë, kryebashkiaku Rama ka reaguar për këtë incident gjatë inspektimit të punimeve në bllokun nr.59.
Kryetari i Bashkisë ka dënuar një veprim të tillë, duke deklaruar se policia ndërtimore ka shkelur kompetencat e veta pasi ka prishur një objekt pa pasur asnjë mandat. Pas shkatërrimit të objektit policia ndërtimore nuk është kujdesur për sistemimin e dherave dhe mbeturinave, detyrë të cilën e kanë kryer autoritetet bashkiake.