Kavajë, zinxhir në qafë vajzës pasi vetëkafshohej
Mjekët: Motrat Keshi vuajnë nga skizofrenia
SHKODËR - Pas mbërritjes së dy motrave Keshi në spitalin psikiatrik të Shkodrës, mjekët e këtij spitali kanë bërë një konsultë për të vlerësuar gjendjen e tyre. Shefja e shërbimit të repartit të grave, Valdet Hoxha (Duli), bëri të ditur se nga konsulta mjekësore e kryer ka rezultuar se diagnoza për motrat Thëllënza e Fidane Keshi është skizofreni.
Ato janë të qeta, sillen normalisht, ushqehen dhe flenë, por nuk komunikojnë. Sipas Dulit, nuk ka shenja plage apo zinxhirësh në trupin e dy motrave dhe pavarësisht se të sëmura, ato janë të mirushqyera, çka çon në përfundimin se nuk kanë pasur probleme lidhur me mungesën e ushqimit. Dy motrat Keshi kanë filluar trajtimin mjekësor me medikamentet përkatëse.
Shefi i shërbimit të psikiatrisë në kryeqytet shprehet se prindërve të tillë iu duhet hequr kujdestaria për fëmijët
Suli: Lidhja me zinxhirë, metodë e 200 viteve më parë
TIRANË - Fenomenin e ditëve të fundit mbi njerëzit me probleme mendore të cilët familjarët e tyre i lidhin me zinxhirë shefi i shërbimit të Psikiatrisë në kryeqytet, Anastas Suli, e konsideron si mangësi të gjithë shoqërisë dhe të vetë strukturave shtetërore.
Në një intervistë për "Shekulli"-n ai shpjegon se si duhet të veprohet me raste të tilla dhe se çfarë metodash praktikohen në shërbimin e tij ndaj pacientëve që janë të dhunshëm.
Profesor, ç'mund të na thoni lidhur me këtë fenomen?
Në shekullin XXI këto ngjarje të shkaktojnë dhimbje të madhe dhe çdokush prej nesh i bën pyetje vetes se si mund të ndodhin gjëra kaq të shëmtuara. Këto dukuri janë zhdukur prej më shumë se 200 vitesh dhe janë të patolerueshme.
Ajo që është më e dhimbshme, është fakti që jo vetëm prindërit tregohen të papërgjegjshëm duke lidhur fëmijët, por edhe shoqëria rrotull sillet e tillë duke mos reaguar teksa sheh këtë fenomen. Po kështu edhe strukturat shëndetësore dhe sociale. Nuk ka asnjë justifikim që një i sëmurë të mbahet i lidhur 20 vjet me zinxhirë.
Për ta jepet edhe pagesë e paaftësisë nga shteti, çka të çon në përfundimin se ka abuzim nga prindërit, por ka neglizhencë të madhe edhe nga shoqëria dhe strukturat.
Si duhet të veprohet në raste të tilla?
Sigurisht që e para që duhet bërë, është vlerësimi i shëndetit të personave që mbahen të lidhur dhe cilat janë nevojat që kanë e më pas të merren masat nga strukturat që t'u zgjidhen këto nevoja, si: strehimi, mjekimi, rehabilitimi etj. Prindërve duhet t'iu hiqet domosdoshmërisht kujdestaria dhe t'i marrë shteti në kujdestari.
Pastaj duhet vlerësuar nëse këta persona duhet të qëndrojnë apo jo përgjithmonë në Psikiatri. Kjo vendoset në varësi të gjendjes së tyre. Mund të caktohet që ata të qëndrojnë në një bujtinë, në një pension, apo shtëpi psikiatrike apo edhe të punësoheshin diku.
Justifikimi i prindërve të këtyre fëmijëve të lidhur ka qenë se "ato ishin agresivë". Si veproni në Psikiatri në rastet kur keni të bëni me pacientë të dhunshëm?
As nuk mund të mendohen gjëra të tilla. Në fakt, populli paragjykon kur një i sëmurë është agresiv, pasi i cilëson të gjithë të sëmurët psikikë si të dhunshëm.
Por në fakt nuk është kështu. I sëmuri psikik është agresiv siç mund të jetë çdo njeri në momente të caktuara. Megjithatë i sëmuri psikik nuk duhet të lidhet me zinxhirë dhe të trajtohet në një mënyrë të tillë. Nëse një i sëmurë është i dhunshëm, ne bëjmë qetësimin e pacientëve me medikamente sipas një protokolli të survejuar mirë.
Ka raste që bëhen edhe kufizime, por meqë nuk jemi në nivelin e duhur për kufizime, unë i kam ndaluar ato. Këtu nuk ka kufizim fizik që prej 20 vjetësh. Por natyrisht ne bëjmë qetësimin me mjekime dhe ka raste që i fusim në një dhomë, e cila është mëse normale. Eglantina Bardhi
Një tjetër rast denoncohet në fshatin Rreth-Greth të Kavajës, ndërsa mësohet se vajza është e sëmurë prej 16 vjetësh
KAVAJË - Një rast i ri i lidhjes me zinxhirë të fëmijës denoncohet në fshatin Rreth-Greth të Kavajës. Bëhet fjalë për një 22-vjeçare, e cila, sipas deklaratës së dhënë nga babai i saj, Spiro Tani, ka qenë në gjendje të rëndë psikologjike e mendore që në moshën 6-vjeçare, pasi kishte tendenca të vetëdëmtimit duke u vetëkafshuar.
Ai ka deklaruar se vajza është e rrezikshme për komunitetin dhe se për shëndetin e saj përdorte vetëm qetësues.
Sipas kryefamiljarit, vajza nuk është trajtuar asnjëherë me mjekim të posaçëm shëndetësor dhe vetëm e ëma ka marrë pagesë për një vit kujdestari ndaj të sëmurës, kujdestari e cila më pas është hequr nga komisioni shëndetësor i Kavajës. Spiro Tani është shprehur se e bija është e sëmurë mendore e kategorisë së parë dhe se nuk mund të kujdeset për veten.
Mësohet se ajo ka marrë një pagesë ndihme prej rreth 87 mijë lekësh në mua. Vajza ndiqet vetëm nga mjeku i familjes, ndërsa ende nuk është bërë e njohur diagnoza e saj. Sipas Spiro Tanit, ai e lidhte të bijën në momente të veçanta. Vajzës i vinin një zinxhir në qafë për faktin se ajo kafshon. Kryefamiljari shprehet se 22-vjeçarja është kuruar nëpër spitale, por jo në spitale speciale.
Ai thotë se kërkon që t'i kthehet kujdestaria e hequr për vajzën, pasi janë të varfër dhe jo në gjendje të mirë për të përballuar jetesën.
Ndërkohë mësohet se mjeku i familjes nuk e di se cila është diagnoza e 22-vjeçares dhe se vajza lidhet me zinxhirë vetëm në rastet e acarimit të gjendjes së saj shëndetësore. Frika e madhe e familjarëve qëndronte në faktin se ajo mund të vriste veten në një gjendje krizash nervore.
Rasti i vajzës nga Rreth-Grethi përbën edhe rastin e tretë brenda pak ditësh të zbuluar në vend për lidhjen e fëmijëve me zinxhir nga familjarët. Në rastin e parë një 26-vjeçar në Levan të Fierit mbahej prej 3 vitesh i lidhur nga gjyshi i tij për shkak se, sipas tij, ishte i dhunshëm.
Në rastin e dytë, dy motra mbaheshin prej 22 vitesh të lidhura nga babai i tyre në kushte shumë të këqija. Thëllënza dhe Fidane Keshi kishin qenë përkatësisht 25 dhe 16 vjeçe kur ishin lidhur me zinxhirë. Ndërsa rasti i fundit në Rreth-Greth përbën edhe rastin e fundit të zbuluar deri më tani.
Gjithsesi, krahasuar me gjendjen tepër të mjerueshme të të dy rasteve të Levanit e të Maqellarës, kushtet e 22-vjeçares ishin më të mira. Prindërit e saj ishin kujdesur që ajo të kishte një dhomë të përshtatshme dhe të lyer mirë, një krevat të rregullt dhe të ishte e mirushqyer.
Kavajë, 15 vjet i izoluar në një dhomë
Pëllumb Elmadhi, sot 40 vjeç është rasti i katërt i publikuar i lidhjes së të sëmurëve. Prej 15 vjetësh dhe në gjendje të rënduar shëndetësore, i izoluar nga bota, ai qëndron në një dhomë.
Sëmundja i ka filluar në moshën 25-vjeçare. Vëllai i tij Qaship Elmadhi dhe bashkëshortja Dëshira Elmadhi pohojnë se në moshë të re Pëllumbi shfaqi depresion dhe shenja agresiviteti. Më pas, gjendja e tij u rëndua edhe më tej për arsye të mungesës së mjekimeve të duhuara dhe mungesës së një diagnoze nga specialistët. Në këto kushte ata e kanë lidhur në një dhomë ky qëndron i izoluar