E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori Stojku: Menaxhimi i kaskadave, sipas rregullores

KESH-i do të vijojë të kryejë shkarkime për aq kohë sa prurjet në hidrocentrale do të jenë tej normales. Drejtori i përgjithshëm, Muharem Stojku, garantoi opinionin publik se sistemi i digave është i sigurt dhe se ajo çka po ndodh aktualisht është rrjedhojë e paparashikimeve. Sipas tij, niveli i prurjeve në Fierzë ka prekur rekordin, duke u dyfishuar brenda një dite, kurse në hidrocentralet e tjera situata duket e stabilizuar. “Prurjet në HEC-e kanë pësuar ulje të lehtë, nga 1800 metër/kub në sekondë, në 1500 metër.
Situata paraqitet drejt normalitetit, pavarësisht prurjeve të mëdha, të rritura gjatë natës”, tha Stojku. Kreu i KESH-it rrëzoi pretendimet e opozitës se gjoja po kryhet import, si edhe sqaroi edhe një herë se menaxhimi i kaskadës së Drinit është kryer sipas rregullores.
KESH-i ka nisur të shkarkojë ujë nga HEC-et në datën 27 dhjetor dhe në datat 2-3 janar situata u rëndua, duke dalë jashtë planit. Prodhimi i energjisë elektrike ka pësuar ulje me rreth 2 milionë kilovat/orë, kurse eksporti vijon të jetë në nivelet më të larta.
Nga monitorimi i situatës rezulton se Fierza po rritet çdo orë me 1-2 cm dhe se ndodhet 4 metra larg pikës kritike.
Ndërkaq, sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, niveli i shkarkimeve në tre hidrocentralet mbi Drin është rritur si pasojë e shtimit të prurjeve.
Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Ekonomisë, shkarkimi nga portat është 650 metër kub/sekondë dhe 500 metër kub/sekondë nga turbinat; në Koman derdhet nga tuneli 1500 metër kub/sekondë dhe 500 metër kub/sekondë nga turbinat dhe në Vaun e Dejës 1700 metër kub/sekondë derdhet nga tuneli dhe 560 nga turbina. Në konferencën për shtyp, ministri Prifti reagoi edhe ndaj deklaratave të një dite më parë, lidhur me kuotat e nivelit të liqeneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›