Bllokohet rruga para Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Tension në Elbasan dhe Vlorë
Vonesat në pajisjen me pasaportat e reja biometrike kanë krijuar sërish tensione mes aplikuesve. Pjesa më e madhe e tyre janë emigrantë, të cilët veç radhëve të gjata ankohen se po u rrezikohen vendet e punës dhe arsimimi i fëmijëve.
Durrës
Emigrantët kanë bllokuar dje rrugën pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës dhe kanë kërkuar vëmendjen e qeverisë dhe ndaj tyre, pasi rrezikojnë të humbasin vendet e punës në shtetet fqinje. “Mund të humbasim vendet e punës, fëmijët rrezikojnë shkollën për shkak të mungesave të pajustifikuara dhe ne jemi akoma këtu. Askush nuk na thotë qartë kur do të mund t’i marrim pasaportat”. Emigrantët kanë bllokuar për pak minuta rrugën kryesore “Aleksandër Goga”, e cila lidh qendrën e qytetit me gjykatën, policinë, spitalin dhe pjesën veriore të Durrësit.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë për të zhbllokuar situatën dhe kanë shoqëruar një prej protestuesve në ambientet e komisariatit të policisë. Emigrantët që kanë aplikuar në bashki e komuna të ndryshme të Durrësit tregojnë për gazetën mbi sorollatjet dhe vështirësitë që po hasin gjatë këtyre ditëve, si edhe mungesën e seriozitetit në mosrespektimin e datave të dhënies së pasaportave.
Vlorë
Radhët e gjata dhe përplasjet mes qytetarëve në pikën e aplikimit të kartave të identitetit në qytetin e Vlorës, ka bërë që të jetë e pranishme Policia e Shtetit. Sipas burimeve nga pika e aplikimit, kjo masë merret me qëllim për të evituar përplasjet apo sherret në radhë, të cilat nuk kanë qenë të pakta dhe është dashur ndërhyrja e policisë. Dje, disa emigrantë janë përplasur me njëri-tjetrin për radhën deri në përplasje, fizike ku edhe është dashur ndërhyrja e policisë, e cila ka ardhur duke e qetësuar situatën. Ndërkohë që numri i personave që kanë aplikuar ditët e fundit ka qenë i lartë.
Elbasan
Emigrantët shqiptarë po përjetojnë në vendin e tyre kohën kur flinin jashtë në shtetin grek, teksa ishin pa dokumente qëndrimi. Arsyeja e vetme mbetet pajisja me pasaporta biometrike, pa të cilat nuk hyjnë në kufi. Gjatë ditëve të para të këtij fillimviti, situata është rënduar së tepërmi, ku dhjetëra emigrantë flenë në makinat e tyre para sporteleve për të zënë radhën e aplikimit për mëngjesin e çdo dite.