E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa: Kombet e Bashkuara të promovojnë paqen

 

Papa Benedikti i XVI, mbajti sot një fjalim para diplomatëve të kombeve të bashkuara. Ai u tha përfaqësuese të këtyre shteteve se respekti për të drejtat e njeriut është çelësi i zgjidhjes së shumë problemeve në botë, por shtoi se bashkëpunimi ndërkombëtarë është kërcënuar nga vendimmarrja e një numri të vogël shtetesh. Gjatë një adresimi në Asamblenë e Përgjithshme, Papa tha se Kombet e Bashkuara kanë mision promovimin e paqës dhe drejtësisë në botë. 

Ai u shpreh se nëse shtetet janë të paafta të garantojnë një mbrojtje të tillë, atëhere komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë me mjetet që i jep Karta e Kombeve të Bashkuara dhe instrumentet e tjera ndërkombëtare.

Ati i Shenjtë tha se përmirësimi i gjendjes së të drejtave të njeriut vazhdon të jetë strategjia më e efektshme për shtimin e sigurisë dhe eliminimin e pabarazive midis vendeve dhe grupeve shoqërore.

Papa Benedikti i 16-të falenderoi personelin e Kombeve të Bashkuara për punën e tyre dhe nderoi ata punonjës të OKB-së, që kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Ai u prit me duartrokitje të shumta në sallën e Asamblesë së Përgjithshme, e mbushur plot e për plot. 

Papa 81 vjeçar do të vizitojë edhe një sinagogë në New York dhe do të mbajë një shërbesë lutjesh në një kishë katolike me rreth 250 udhëheqës kishtarë protestantë, ortodoksë dhe katolikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›