Drejtori i Doganave: “Zhdoganimi i karburanteve rrit të ardhurat e buxhetit”
Muaji gusht ka shënuar rekorde në zhdoganimin e karburanteve dhe pesha e tyre në të ardhurat e buxhetit ka pasur një rritje të ndjeshme. Këtë e ka konfirmuar dje drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, i cili dha dhe arsyet pse ndodhi kjo rritje e të ardhurave. "Po të krahasojmë gushtin e vitit 2007 me gushtin e vitit 2008, të dy janë periudha piku, influencuar nga shumë faktorë, përfshi këtu edhe emigracionin që vjen për pushime në Shqipëri. Do të thosha që në gusht të vitit 2008 kemi zhdoganuar karburante së bashku me disa varietete të tjera, afro 50 mijë ton, kurse një vit më parë kemi zhdoganuar rreth 47-48 mijë tonë", -deklaroi kreu i DPD-së, Përparim Dervishi. Por rritja e zhdoganimeve po shoqërohet me një paradoks sa i takon çmimit të naftës në vend. Ndonëse në bursa ai bie, në shifrat doganore çmimi i tyre në gusht ka qenë më i lartë se në korrik. "Ne jemi në gjendje që t’ua japim këto llogaritje se si kanë qenë si çmime për karburantin, por më mirë do t’u japim një tregues tjetër. Domethënë sa kanë qenë të ardhurat doganore për 1 mijë lekë karburante. Pra, jo çmimin, por po ju japim të ardhurat doganore për 1 mijë lekë karburante. Për korrikun 2008 ka qenë 728 lekë për një mijë lekë importe, për gushtin 2008, 785 lekë për një mijë lekë import",- vijoi Dervishi. Drejtori i doganave ka raportuar për mediat rezultatet e planit doganor për këto 8 muaj të vitit.
Thellohet deficiti tregtar me 14 për qind gjatë 8 muajve të parë të vitit
Deficiti tregtar ka vijuar të thellohet gjatë 8 muajve të parë të këtij viti. Sipas shifrave të dhëna nga Doganat në tetë muajt e parë të këtij viti deficiti tregtar ka qenë 203.5 miliardë lekë nga 178.3 miliardë lekë që ishte të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithëse në total si eksportet dhe importet janë rritur, deficiti ka vijuar të thellohet, dhe kjo tregon se prodhimet e importit kanë vijuar të mbytin tregun vendas. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, u shpreh se “në total janë arritur të mblidhen rreh 66.9 miliard lekë”. Sipas tij, në rritjen e të ardhurave kanë ndikuar mallrat e akcizës. Të dhënat e Doganave tregojnë se muaji gusht ka shënuar fluksin më të madh të importeve në vend.
Karburantet, cigaret, kafeja dhe birra janë zhdoganuar më shumë gjatë këtij viti, kjo krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
13 Shtator 2008