Guvernatori i BSH-së, Fullani, takohet në Kukës me kreun e Bankës së Kosovës
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, zhvilloi një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Hashim Rexhepi. Në të u diskutua kryesisht për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh që ekziston midis dy institucioneve, si ai në fushën e mbikëqyrjes bankare, mbarëvajtjes së sistemit të pagesave, zhvillimit të trajnimeve për burimet njerëzore të të dyja institucioneve etj. Një vend të veçantë zuri dhe diskutimi mbi intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e edukimit të publikut. Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Hashim Rexhepi, vlerësoi si shumë të dobishme dhe interesante përvojën e Bankës së Shqipërisë në këtë fushë. Në vijim të vizitës së tij në Kukës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, së bashku me drejtues e punonjës të Bankës së Shqipërisë ka zhvilluar në degën e Fakultetit Ekonomik të Tiranës në Kukës “Ditën e Bankës së Shqipërisë”. Ky aktivitet mbahet në ditë të veçanta të vitit dhe deri më tani është zhvilluar në qytetin e Tiranës dhe Elbasanit. Ai u krijon mundësinë studentëve që të ndjekin prezantime dhe të zhvillojnë takime e biseda të hapura me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, me drejtues e specialistë të saj. Në ditë të tilla, Banka e Shqipërisë organizon në hollet e universiteteve edhe minipanaire, ku ekspozohen botimet e saj si: raportet e ndryshme periodike, librat e konferencave, materialet e diskutimit, si edhe broshurat e saj edukative.
13 Shtator 2008