E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH, tender në korrik për 27 mijë tonë naftë për TEC-in e Vlorës



Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po përgatitet që të zhvillojë një supertender në mujuan korrik me një vlerë 40 milionë dollarë. Tenderi nuk do të jetë për shitje ose blerje energjie elektrike, por bëhet fjalë për tenderin e TEC-it të Vlorës, që kërkon naftë, tip gazoil 0.1 (disi më e pastër se nafta D2), për prodhimin energjisë elektrike. Referuar vlerës në tender dhe llojit të karburantit, vlerësohet për të paktën 30 milionë litra naftë, ose thënë ndryshe rreth 27 mijë tonë. Ky është tenderi më i madh i zhvilluar ndonjëherë, sa i takon vlerës, por i dyti për TEC-in e Vlorës, që edhe pse nuk ka prodhuar asnjë kilovat, ka shpenzuar miliona lekë nga buxheti. Sasia që do t’i ofrohet termocentralit shërben për një vit të plotë (12 muaj). Duke parë analizën e shpenzimeve, nevojiten të tjera litra karburant, pasi KESH-i pretendon se futja në punë e TEC-it kërkon të paktën 75 mijë tonë naftë në vit, ndërsa për vitin 2010 parashikojnë një shpenzim rreth 90 milionë dollarë, gjithnjë me kursin (kur është bërë analiza) 97 lekë-1 USD. Tenderi vjen në një kohë kur dollari ka pësuar rritje me gati 17 për qind dhe me tendencë rritje deri në korrik, duke rrezikuar kosto të lartë për KESH-in. “Duke pasur parasysh kontratën e shitblerjes se energjisë që do të lidhet midis shoqërisë TEC Vlorë sh.a. dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare është parashikuar mbajtja e një sasie lëndë djegëse rezervë. Kjo rezervë do të ndihmojë në sigurinë dhe stabilitetin e lidhjes midis centralit dhe sistemit energjetik shqiptar. Sipas praktikave, në këto lloj TEC-esh dhe kapacitetit të tankerave të naftës që kemi aktualisht mendohet të mbahet një rezervë prej 1500 tonësh”,- thuhet në shkresën që drejtuesit e TEC-it i dërgojnë ERE-s. Sipas studimit, rezerva realizon një punë pa ndërprerje prej 4 ditësh. Në bazë të të dhënave teknike, TEC-i i Vlorës do të ketë një prodhim nominal 97.167 megavat, (ky prodhim do të jetë në dalje të transformatorit) dhe një konsum specifik nxehtësie 7490 kJ/kg, si dhe përdorim vetjak 3 për qind. Nafta zë gati 80 për qind të shpenzimeve të TEC-it, ndërsa pjesa e mbajtur i takon stafit dhe pajisjeve të punës. Buxheti i drejtorisë që menaxhon termocentralin varion nga 78 milionë lekë deri në 133 milionë lekë në vit, ndërsa paga mesatare shkon në 60 mijë lekë (bruto).

Vodafone zbulon surprizat e verës për klientët biznes të planeve tarifore me kontratë

“Vodafone Albania” ka prezantuar në treg dy plane të reja tarifore shumë të favorshme për klientët e rinj dhe ata ekzistues të kategorisë së biznesit. Planet e reja “Vodafone Pro Unlimited” dhe “Vodafone Pro 80” reflektojnë strategjinë e Vodafone për zgjidhje komunikimi që i përgjigjen kërkesave reale të klientëve biznese, duke iu mundësuar kontroll të plotë të shpenzimeve. Këto plane të reja tarifore bazohen në paketa opsionale të cilat ofrojnë komunikim me kosto shumë të ulët jo vetëm midis abonentëve të të njëjtit grup por edhe për komunikim me numra të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Zgjedhja e këtyre paketave ofron gjithashtu edhe mundësinë për të përdorur lirshëm internetin duke ofruar tarifa të ulëta. “Vodafone Pro Unlimited” ofron komunikim pa limit (telefonata dhe SMS) me numrat brenda grupit për vetëm 1100 lekë në muaj (pa TVSH). Çdo klient, në bazë të nevojave të veta mund të zgjedhë që të shtojë njërën prej gjashtë paketave opsionale me minuta dhe SMS kombëtare dhe hapësire interneti; madje mund të zgjedhë edhe një prej dy paketave opsionale me minuta drejt destinacioneve më frekuente ndërkombëtare, duke kursyer shumë në kosto komunikimi. ”Vodafone Pro 80” ofron një paketë bazë prej 80 minutash komunikimi brenda grupit për 600 lekë (pa TVSH). Përdoruesit e këtij plani tarifor kanë të njëjtat lehtësi ashtu si në planin tarifor “Vodafone Pro Unlimited” për të përdorur paketat opsionale dhe për të përfituar çmime të favorshme, për thirrjet dhe SMS-të kombëtare, për përdorimin e internetit, si dhe për thirrjet drejt destinacioneve më frekuente ndërkombëtare. “Vodafone Albania” vendos në qendër të strategjisë së saj të biznesit nevojat e konsumatorit dhe ofron fleksibilitetin e nevojshëm që konsumatorët të gjejnë shërbimet e duhura me kostot që iu përshtaten nevojave të tyre. Vini re se këto plane tarifore janë subjekt i kushteve dhe afateve specifike. Për më shumë informacion për kushtet dhe afatet e këtyre planeve tarifore vizitoni dyqanet Vodafone, faqen e internetit “www.vodafone.al” apo kontaktoni shërbimin e kujdesit të klientit në numrin 144.

METE, “Albpetrol” drejt procesit të privatizimit

Ky vit po rezulton i mbarë për kompaninë “Albpetrol”, e cila po i nënshtrohet procesit të privatizimit. Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë, kompania ka rritur nivelin e prodhimit dhe ka shlyer detyrimet e saj. Gjatë katër muajve të parë të këtij viti, “Albpetrol”-i ka realizuar një fitim prej 2 milionë dollarë, ndërsa ka shlyer 8.1 milionë dollarë detyrime ndaj buxhetit të shtetit. Për periudhën janar-prill 2010, kompania ka prodhuar 50.328 ton naftë nga 45.905 ton të programuar.

15 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›