PS, Imeraj: “Berisha ti lërë shpifjet dhe ti hapë rrugë transparencës”
Partia Socialiste, nëpërmjet zëdhënëses Armela Imeraj, ka reaguar ndaj kryeministrit Sali Berisha që t’i lërë shpifjet dhe sharjet ndaj Bashkisë së Tiranës. “Shqetësohemi për gjendjen psikologjike të kryeministrit, i cili, me sa duket, nuk po e mban dot ngarkesën e madhe të të gjitha atyre që fsheh për zgjedhjet, drejtësinë ekonominë. Qetësohuni zoti Berisha! Çlirohuni nga pesha e rëndë e kutive të mbyllura dhe lëreni lojën e dështuar të përbaltjes me shpifje e të shara ndaj Bashkisë së Tiranës. Të gjithë e kanë marrë që ju i keni vjedhur zgjedhjet dhe që rrënimi ekonomik është vepra juaj”, - u shpreh Imeraj, duke i bërë thirrje kreut të Ekzekutivit që t’i hapë rrugë transparencës së zgjedhjeve dhe të bëjë transparencë edhe mbi gjendjen ekonomike.
“Qetësohuni, hapini rrugë transparencës, tregoni të vërtetën për gjendjen e ekonomisë që të shpëtoni nga makthet të cilat ju bëjnë të flisni përçart për të bërë pis kundërshtarët. Dhe nga doktori i dikurshëm i Bllokut këto makthe ju bëjnë të dukeni sot si i sëmuri i atij Blloku që ekziston tanimë vetëm në përçartjet tuaja”, - tha Imeraj.
15 Qershor 2010