Borxhi nga pensionet dhe pagat, në fund të vitit kalon atë të investimeve
Ervin KOÇI
Skema e falimentuar e sigurimeve, po i hap një gropë gjithmonë e më të madhe qeverisë, e cila deri në fund të këtij viti do të ketë krijuar një borxh të konsiderueshëm. Ky borxh i krijuar, është prej kreditë që qeveria ka marrë nga bankat e ndryshme ndërkombëtare, ku një pjesë të madhe të parave i ka përdorur pikërisht për subvencionimin e skemës së pensioneve dhe pagave. Por ecuria me ritme të shpejta e borxhit për këtë qëllim duket se do të thellohet ndjeshëm deri në fund të vitit 2010. Të dhënat zyrtare të marra nga Ministria e Financave, tregojnë se deri në fund të vitit 2010, shpenzimet për fondet speciale, pjesa dërrmuese e të cilave përbëhet nga fondi i pensioneve dhe ai i sigurimeve shëndetësore, parashikohen 110.2 miliardë lekë ose 60 për qind më shumë se tre vjet më parë. Të dhënat zyrtare të buxhetit tregojnë se financat e qeverisë më shumë se nga investimet publike, po vihen në vështirësi nga një tjetër zë që ka të bëjë me shpenzimet për sigurimet shoqërore, ato shëndetësore dhe për pagat. Një raport i fundit i Bankës Botërore, i prezantuar pak ditë më parë në Tiranë nga kryeekonomisti për Europën dhe Azinë, Intermid Gill, theksonte se pikërisht rritja e pensioneve, së bashku me investimet publike, janë dy faktorët që kanë sjellë rritjen e deficitit buxhetor dy vitet e fundit, e për rrjedhojë dhe atë të borxhit publik.
Përkeqësimi
Të dhënat tregojnë se në tre vjet, deficiti i fondeve speciale është përkeqësuar me mbi 20 miliardë lekë, kryesisht si pasojë e rritjes së pensioneve, por edhe shpenzimeve për sigurimet shëndetësore. Qeveria edhe për këtë vit ka parashikuar një fond prej 2.7 miliardë lekësh për rritjen e pensioneve, e cila pritet të zyrtarizohet më 1 korrik. Edhe pse tashmë skema e sigurimeve shfaq një tendencë të qartë deficitare, si pasojë e rritjes së përvitshme të pensioneve dhe uljes së kontributeve për sigurimet shoqërore, qeveria pretendon se e ka nën kontroll atë. Në vitin 2010, qeveria u detyrua të ulë në mënyrë drastike investimet publike për të mbajtur nën kontroll financat e saj. Disa ekspertë të opozitës thonë se kjo është pasojë e politikave të qeverisë, e cila, sipas tyre, po i kanalizon paratë publike jo në investime që krijojnë punësim dhe rritje ekonomike, por në shpenzime për të financuar politikat e saj populiste.
Mungesa e parave
Përtej euforisë së zyrtarëve, se “ekonomia është në gjendje të shëndoshë”, qeveria nga ana tjetër po bën çmos të gjej borxh, për të mbushur arkën e shtetit. Nisma më e fundit për të marrë hua në tregun e brendshëm në valutë, pas dështimit të eurobondit, vlerësohet si një masë që do të frenojë kreditimin e biznesit vendas. Ish-ministria e Ekonomisë, Ermelinda Meksi, shprehet se, ky është rezultati i keqqeverisjes me financat publike, ndaj është e nevojshme të rishikohet me urgjencë buxheti i shtetit. “Kjo nuk është gjë tjetër veçse një bono thesari në valutë që tregon nevojën e qeverisë për para dhe sigurisht që do të ketë efekte negative. Të gjithë e dinë që kreditimi i biznesit është motori i rritjes ekonomike, por nëse qeveria do t’i drejtohet bankave të nivelit të dytë, për të plotësuar nevojat e saj për likuiditet, atëherë biznesi nuk do të ketë mundësi të marrë kredi”- ka deklaruar Meksi. Por edhe deputetë të mazhorancës janë dorëzuar përball zhvillime jo pozitive që ka sjellë 5-mujori i parë i këtij viti, në të ardhurat publike, ku evidentohet një deficit mbi 8 miliard lekë. Kohë më parë Ministri i Financave, Ridvan Bode, doli para mediave për të deklaruar kthesën e madhe që pësoi ekonomia gjatë muajit mars. Sipas tij, të dhënat gjatë këtij muaji ishin pozitive dhe jepnin shpresë që buxheti të mos ndryshohej. Por në fakt gjendja aktuale e financave detyron qeverinë që të shkurtoje buxhetin edhe me më shumë se 30 miliard lekë, nga sa ishte parashikuar në fillim të vitit.
15 Qershor 2010