E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i Përgjithshëm i Koordinimit dhe Zgjerimit në KE Michael Leigh: Shqipëria ka bërë progres për të arritur standardet evropiane

Kryeministri Berisha priti sot në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Koordinimit dhe Zgjerimit në Komisionin Europian Michael Leigh. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Zoti Leigh u prononcuan për mediat në lidhje me bisedimet që patën mes tyre.

Kryeministri Berisha: Me Drejtorin e Përgjithshëm të Koordinimit dhe Zgjerimit të Komisionit Europian Michael Leigh patëm një bisedë të zgjeruar, të hapur dhe shumë të frytshme. Ishte një rast i veçantë për mua t’i shprehja mirënjohjen më të thellë zotit Leigh, Komisionit Europian  dhe të gjithë donatorëve që me solidaritetin e jashtëzakonshëm, bujarinë e madhe që u dëshmuan shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve, bënë të mundur që Shqipëria më datën 4 prill të jetë e përshtatshme për anëtarësim të plotë në NATO. Komisioni Europian është donatori më i madh i vendit me rreth 2 miliard euro. Gjithashtu, ne diskutuam gjerësisht për reformat në Shqipëri, duke pasur si një hartë rruge MSA-në.

Vizita e zotit Leigh koencidon me një ditë shumë të rëndësishme në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE, koencidon me hyrjen në fuqi të MSA-së, pasi ajo u ratifikua nga të gjitha vendet anëtare. Ishte një rast për të shprehur zotimin tim të plotë se qeveria mbetet e vendosur dhe tërësisht e përkushtuar për zbatimin e kritereve të Kopenhagenit, të demokracisë dhe shtetit ligjor. Në këtë kontekst, zgjedhjet e ardhshme përbëjnë testin më të rëndësishëm për qeverinë dhe vendin në tërësi. Unë, nëpërmjet zoti Leigh, e sigurova Komisionin Europian se qeveria ime është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, si qëllimi i saj më i parë. Sikundër kërkova që Komisioni të inkurajojë vendet anëtare të BE-së për të sjellë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve.  

Gjithashtu, diskutuam për procesin e  liberalizimit të vizave, si dhe për procesin e aplikimit. Unë shpreha vlerësimin dhe falënderimin, sepse për mua dhe KE-në procesi integrimit është i pandalshëm.  Ndërkohë, unë e sigurova zotin Leigh se qeveria ime e koncepton kandidimin për anëtare të BE-së si një proces, i cili duhet të ndjekë të gjitha rregullat e procedurat dhe se Shqipëria e shqiptarët duhet tui faktojnë të gjitha vendeve anëtare përkushtimin e tyre ndaj një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm, të denjë për një komb e vend demokratik europian. Po kështu, edhe në kuadrin e procesit të vizave. Shpreh kënaqësinë që grupet nga Komisioni Europian, që sapo janë larguar, kanë realizuar këtu mbi 100 takime me zyrtarët tanë. Ky proces, përveç të tjerave, ka një kusht shumë të rëndësishëm, pajisjen e qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike. Unë i kërkova Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit, Zotit Leigh, meqenëse ne jemi të detyruar dhe madje sot ne kemi vendosur të bllokojmë tërësisht lëshimin e pasaportave për t’i dhënë përparësi letërnjoftimeve për shkak të votimeve, Komisioni të dërgojë një ekip në fillim të vjeshtës, që të njihet me progresin e bërë në fushën e lëshimit të pasaportave në mënyrë që të merren vendimet e duhura.

Edhe një herë, e falënderoj shumë Zotin Leigh për këtë vizitë dhe ju informoj se zoti Leigh ka ardhur për të kryesuar, së bashku me mua, konferencën rajonale të donatorëve, që fillon nesër dhe që përbën një ngjarje shumë të rëndësishme. Dua ta falënderoj shumë që ka zgjedhur Tiranën, si kryeqytet të këtij aktiviteti.

Z. Leigh:  Faleminderit shumë zoti Kryeministër. Ne patëm mundësinë të bisedojmë gjatë dhe shumë hapur për zhvillimin e marrëdhënieve Shqipëri me BE-në, si dhe për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit europian.

Është privilegj për mua të jem në Shqipëri në një moment kaq historik për popullin shqiptar. Sot, në fakt është dita kur hyn në fuqi MSA-ja. Faza e MSA-së është faza kontraktuale, e cila duhet të zhvillohet në mënyrë që të kalojmë në hapa të mëtejshëm që kanë të bëjë me anëtarësimin e  Shqipërisë në BE. Në disa mënyra, MSA-ja është si marrëveshjet e tjera që janë bërë me vendet e tjera të Europës Qendrore e Lindore, që janë tashmë shtete anëtare të BE-së.

Po ashtu, ky është një moment historik, sepse jemi kaq afër një momenti tjetër tepër të rëndësishëm për Shqipërisë, në momentin kur Shqipëria ka për të hyrë në NATO dhe për këtë ju përgëzojmë.

Siç e tha edhe vetë zoti Kryeministër, një aspekt tjetër i vizitës sime në Shqipëri është edhe fakti që Shqipëria u zgjodh vendi ku do të zhvillohet konferenca rajonale për donatorët dhe të gjithë institucionet e tjera financiare. Kjo konferencë duhet parë edhe në sfondin e gjërave që po ndodhin sot në Europë, pra, me recensionin. U kënaqa kur dëgjova nga zoti Kryeministër se ndikimi i krizës financiare botërore për Shqipërinë ka qenë deri tani tepër i kufizuar. Komisioni Europian ka përgatitur një paketë ndihmëse, në mënyrë që të asistojë vendet e rajonit që ato të përballen me këtë sfidë. Konferenca e nesërme ka për të qenë një vend shumë i mirë, ku donatorët, institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare dhe qeveri të tjera në marrëdhënie dypalëshe kanë për të pasur mundësinë të diskutojnë, sesi do të ndihmohet Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit për t’u përballur me këtë sfidë.

Siç e tha zoti Kryeministër, në diskutimet tona sot ne biseduam edhe për zgjedhjet në Shqipëri dhe rëndësinë që kanë ato për ecurinë e mëtejshme dhe përparimin që do të ketë Shqipëria drejt BE-së. Për sa i përket anëtarësimit në BE, zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të drejta është një parim kyç. Kryeministri më shpjegoi faktin se qeveria ka një plan, me anë të të cilit do të përshpejtohet dhënia e kartave të identitetit, gjatë muajve që do të vijnë. Ne kemi besim se kjo gjë do ta ndihmojë Shqipërinë dhe publikun shqiptar të kalojnë vështirësitë që mund të ketë për sa ka të bëjë me regjistrimin e votuesve, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ne diskutuam gjithashtu, edhe qasjen konsensuale që ekziston në Shqipëri për sa i përket ecurisë së mëtejshme dhe përparimit të saj drejt BE-së. Pata mundësinë të përgëzoja Shqipërinë për konsensusin ndërpartiak që ajo ka pasur, sidomos në aspektet e gjyqësorit dhe zgjedhjet. Për sa i përket gjyqësorit, një gjyqësor i pavarur dhe efikas është tepër thelbësor për Shqipërinë. Siç e dini, për sa i përket ecurisë së Shqipërisë në BE, edhe BE-ja vetë është një komunitet shtetesh anëtare, në të cilat gjyqësori luan një rol të rëndësishëm. Prandaj duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit dhe ajo e institucioneve kushtetuese.

Një çështje tjetër që kemi diskutuar kanë qenë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Unë pata përsëri mundësinë që të përgëzoja Shqipërinë për hapat dhe progresin që është arritur në këtë fushë. Por ka ende sfida dhe këto sfida nuk janë vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera të rajonit. Për këtë arsye, para mundësinë që ta përgëzoja Kryeministrin për punën që është bërë, pasi kjo është një çështje tepër e rëndësishme, e rëndësishme jo vetëm në vetvete si çështje e tillë, por e rëndësishme edhe për fuqizimin e klimës së biznesit, e rëndësishme për të gjithë Shqipërinë. Që nga nëntori i kaluar, kur KE-ja ka nxjerrë progresraportin për vitin 2008, ka pasur sërish progres në disa fusha, në veçanti për standardet evropiane, po ashtu në lëvizjen e lirë të mallrave, konkurrenca dhe politikat radiovizuale që kanë të bëjnë me transmetimet dhe telekomunikacionin. Po ashtu, kemi parë ecuri edhe në aspektin që ka të bëjë me të drejtat e minoriteteve, sidomos komunitetit rom, me planin e veprimit për romët, si dhe për ligjin e azilimit.

Jemi tepër të kënaqur që Shqipëri ka luajtur një rol kaq të rëndësishëm dhe konstruktiv në rajon në përgjithësi dhe sidomos në lidhje me çështjen e Kosovës.

Po presim që të ketë ecuri të mëtejshme në muajt që do të vijnë, sidomos për çështje që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. Për këtë arsye, në Shqipëri, gjatë ditëve të fundit patëm disa misione me ekspertë të shteteve anëtare të BE-së dhe pikërisht Komisioni do të na japë raportet e tyre, gjatë javëve në vijim.

Po ashtu, ka pasur ecuri edhe në fushën e menaxhimit të kufirit, si dhe një ulje të trafikimit të qenieve njerëzore. Por fusha tjetër, ku ne po kërkojmë që të ketë më shumë ecuri është ajo që ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve dhe përshpejtimin e dhënien e pasaportave biometrike.

Me pak fjalë, mund të themi që gjërat që unë kam pasur mundësinë të diskutoj sot me Kryeministrin e Shqipërisë kanë të bëjnë me çështjet që janë thelbësore për ecjen e mëtejshme të Shqipërisë. BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë dhe do të punojë me Shqipërinë, duke përdorur këtë kuadër që na jep MSA-ja, me qëllim që Shqipëria të arrijë qëllimin e saj kryesor që është t’i afrohet gjithnjë e më tepër BE-së. Ne i bëjmë thirrje të gjitha forcave politike në Shqipëri që të punojnë së bashku, të luajnë rolin e tyre për të  treguar angazhimin në kryerjen e reformave që duhet të bëjë Shqipëria.

Pyetje: Zoti Kryeministër, sot më 1 prill, në ditën e gënjeshtrave, zoti Rama ka deklaruar se do të kandidojë për deputet dhe do të japë dorëheqjen nga bashkia e Tiranës?

Kryeministri Berisha: Vështirësitë e tij për të qenë i besueshëm në ditë të zakonshme janë të mëdha, pale më në këtë ditë. Por, në qoftë se kjo është  e vërtetë, ju siguroj se do t’ia pranoj menjëherë dorëheqjen dhe do ta bëjmë Tiranën me një kryetar të ri bashkie që meriton.


01/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›