E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në katër vjet mbajtëm premtimet dhe ia dolëm të shënojmë ndryshimet më të thella në historinë e këtij vendi

-          Qeveria ka investuar në Peqin, gjatë 4 viteve, 1.4 miliardë lekë. Gjithashtu, në 4 vjet, janë investuar në zonat rurale 1.6 miliardë dollarë. U premtojmë fermerëve të qarkut të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë se, gjatë katër viteve të tjera të mandatit tonë të dytë, këto investime do të jenë trefish më të mëdha.

Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha ishte sot pasdite në Peqin, ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës Pajovë – Belsh, një investim i buxhetit të shtetit prej 328 milionë lekë.

Kryeministri Berisha tha se kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e kësaj zone, duke vënë në dukje faktin se, në Peqin, qeveria ka investuar gjatë këtyre katër viteve 1.4 miliardë lekë, kundrejt 180 milionë lekë të investuara në këtë zonë në tetë vite të marra së bashku nga qeveria e mëparshme.

Kryeministri renditi disa investime kryesore në infrastrukturën rrugore, në qarkun e Elbasanit: si nisja shumë shpejt e rrugës Qafë Plloc - Qukës, ndërtimi i autostradës së re Tiranë-Elbasan, ndërtimi i rrugës së Gjinarit, një investim prej 416 milionë lekë, rruga  Librazhd- Qafë Plloçë, loti i dytë, me një fond 560 milionë lekë, hyrja e qytetit të Gramshit, investim prej 37 milionë lekë, rruga Kuçovë- Belsh-Cërrik, me vlerë 877 milionë lekë, rruga Qafë Plloçë-Qukës, investim prej rreth 100 milionë dollarë, riveshja e segmentit rrugor Elbasan- Cërrik-Gostimë, investim prej 18 milionë lekë, etj.

“Ju ftoj të vazhdojmë rrugën së bashku, sepse kjo rrugë është drejt zhvillimeve të mëdha. Me alternativën time dhe të qeverisë që unë drejtoj, të koalicionit tonë, ne ju ofrojmë, rrugë të reja, ura të reja, shkolla të reja, ujësjellës, kanalizime, urbanizim, tregun për prodhimet tuaja, etj”, u shpreh Kryeministri.

Duke uruar qytetarët shqiptarë për ditën e madhe të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri siguroi se pas këtij akti, më i madhi në historinë tonë kombëtare, pas pavarësisë, do të vijohet me liberalizimin e plotë të vizave, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të udhëtojnë si qytetarë të lirë në mbarë Evropën. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se, më tej, do të vijohet me hapa shumë të mëdha në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të pajisen me Kartat e Identitetit, si një dokument thelbësor për të votuar si qytetarë të Europës.  “Duhet të merrni letërnjoftimet elektronike, sepse me to ju do të mund të votoni si qytetare të të gjithë Evropës, të zgjidhni qeverinë dhe të vazhdojmë së bashku rrugën që kemi nisur. Çdo kthim majtas është kthim pas dhe asnjë nga ne nuk e dëshiron atë”,  theksoi Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

“Së pari, ju përshëndes vëllazërisht të gjithëve dhe shpreh gëzimin dhe krenarinë time të madhe që inaugurojmë sot së bashku rrugën më të rëndësishme për rajonin, që lidh Pajovën, Pekishtin dhe Belshin. Kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për këtë zonë, e cila është zonë me njerëz punëtor dhe me një prodhimtari të zhvilluar. Rruga ka standardet më të mira, me dy korsi, me një gjatë prej 15 kilometrash dhe një investim prej 328 milionë lekë. Me këtë rrugë, në rrethin e Peqinit ne arrijmë asfaltimin e 40 kilometrave rrugë, kundrejt asnjë kilometri rrugë në zonat rurale te Peqinit, në 8 vitet e marra së bashku.

Ne Peqin, qeveria e kësaj mazhorance ka investuar gjatë këtyre katër viteve 1.4 miliardw, kundrejt 180 milionë lekë të investuara në Peqin në tetë vite të marra së bashku të qeverive të mëparshme.

Vetëm pas pak javësh, ne inaugurojmë bashkë fillimin e punimeve në rrugën Lushnje-Ballagat-Peqin. Po ashtu, brenda fare pak kohësh do të inaugurojmë sw bashku rrugën Belsh - Kosovw. Ne jemi të vendosur që sw bashku me ju, fermerët e Peqinit dhe mbarë Shqipërisë,  të ndërtojmë infrastrukturën me moderne që ju meritoni, të ndërtojmë rrugë të reja, shkolla të reja dhe t’i ristrukturojmë ato ekzistuese, të ndërtojmë ujësjellës, kanalizime, kanale vaditëse.

Në katër vjet, ne kemi investuar në zonat rurale 1.6 miliardë e dollarë, janë investuar më shumë se 18 vite të marra së bashku. Unë u premtoj ju, fermerëve te Peqinit, të qarkut të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, se gjatë katër vitet e tjera të mandatit tonë të dytë, këto  investime do të jenë trefish më të mëdha. Në rast se në këtë mandat ne ia dolëm që të lidhnim, në qarkun tuaj, çdo qendër komune me akset kombëtare, nëpërmjet rrugëve të asfaltuara, në mandatin tjetër do të lidhim fshatrat e komunave me rrugë të asfaltuara, me qendrat e komunës.

Qarku i Elbasanit është një nga qarqet më të mëdha të Shqipërisë. Qeveria ime është e angazhuar në investime të mëdha dhe të paprecendentë në këtë qark. Së shpejti, ne nisim rrugën Qafë Plloc-Qukës, sikundër gjatë këtij viti nis ndërtimi i autostradës së re, Tiranë-Elbasan, e cila shkurton distancën tuaj me kryeqendrën e vendit. Ne do të ndërtojmë rrugën e Gjinarit, për të cilën janë parashikuar në buxhet 416 milionë lekë. Ne do të asfaltojmë rrugën, Librazhd- Qafë Plloçë, loti i dytë, me një fond 560 milionë lekë. Ne do të asfaltojmë hyrjen e qytetit të Gramshit, investim prej 37 milionë lekë, do të asfaltojmë rrugën Kuçovë- Belsh-Cërrik, me vlerë 877 milionë lekë. Gjithashtu, rruga Qafë Plloçë-Qukës, është një investim prej rreth 100 milionë dollarë, ndwrkohw qw do riveshim segmentin rrugor Elbasan- Cërrik-Gostimë, investim prej 18 milionë lekësh.

Pra, janë dhjetëra e dhjetëra projekte të tjera, për rrugët e këtij qarku, për shkollat dhe kanalizimet e këtij qarku, në pritat për mbrojtjen nga përmbytjet dhe kanalet vaditëse.

Në katër vite, ne ia dolëm të shënojmë ndryshimet më të thella në historinë e këtij vendi. Por, ndryshimi i të gjitha ndryshimeve për ne, për çdo qytetar të Peqinit dhe për çdo qytetar shqiptar është anëtarësimi në NATO.  Sot, pas depozitimit të dokumenteve të anëtarësimit në Departamentin e Shtetit, të Shtëpisë së Bardhë, nga ky moment Shqipëria është anëtare me të drejta të plota të NATO-s.

Gëzuar të gjithëve!

Unë ju ftoj të vazhdojmë rrugën së bashku, sepse së bashku rruga është drejt zhvillimeve të mëdha. Me alternativën time, të qeverisë që unë drejtoj, të koalicionit tonë, ne ju ofrojmë juve, rrugë të reja, ura të reja, shkolla të reja, ujësjellës, kanalizime, urbanizim, tregun për prodhimet tuaja.

Më datën 1 maj, pas një muaji dhe dy ditëve, pensionistët në fshatrat e Peqinit dhe të mbarë Shqipërisë do të marrin dyfishin e pensionit që ka marrë në vitin 2005. Unë ju siguroj se ky ishte vetëm hapi i parë, sepse hapi me të vërtetë i madh do të jetë barazimi i pensioneve tuaja me ato të qytetit. Unë ju garantoj se anëtarësim në NATO, si akti më i madh në historinë tonë kombëtare, që pas shpalljes së pavarësisë, do të vijohet me liberalizimin e plotë të vizave, qw ju tw udhëtoni si qytetarw të lirë në mbarë Evropën. Më tej, do të vijohet me hapa shumë të mëdha të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Ndaj, unë jam këtu për t’u drejtuar një thirrjen më vëllazërore që të merrni kartat e identitetit, të merrni letërnjoftimet elektronike, sepse me këto letërnjoftime ju do të mund të udhëtoni në mbarë Evropën. Duhet të merrni letërnjoftimet elektronike, sepse me to ju do të mund të votoni si qytetare të të gjithë Evropës, të zgjidhni qeverinë që do të vazhdojmë së bashku rrugën që kemi nisur. Çdo kthim majtas është kthim pas dhe asnjë nga ne nuk e dëshiron atë.

Qytetarë dhe qytetare të Peqinit,

Kjo ditë është një ditë e madhe për shqiptarët, sepse sot hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, kontrata më e madhe e kombit me Bashkimin Evropian. Sot është një ditë e madhe sepse u dorëzuan në Departamentin e Shtetit Dokumenti i Pranimit dhe Shqipëria u shpall anëtare e NATO-s.

Do ta mbyll këtë fjalë, duke ju kërkuar që, të gjithë së bashku, le t’i urojmë Edi Ramës t’ia lerë ditës së tij të gjitha bukëvalet e veta dhe të dalë pas kësaj dite si të gjithë të tjerët, le të të çlirohet nga dita e Nastradinit dhe të kthehet tek dita jonë, dita e shqiptarëve”


01/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›