E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i Portit: Nuk ka më shpresa për marinarët e zhdukur

Edmond Doraci ka deklaruar se do të vazhdojnë kërkimet vetëm nga anija turke, pas një vendimi të marrë nga drejtuesit e operacionit të kërkim-shpëtimit

DURRËS Gjatë ditës së djeshme ka vijuar operacioni për kërkimin e 8 trupave të zhdukur të ekuipazhit të anijes turke, “Reina” vetëm nga një anije turke, ndërkohë që anija shqiptare i ka ndërprerë kërkimet. Anija u mbyt katër ditë më parë në detin Adriatik, për shkak të përplasjes me tragetin e linjës Bari- Durrës, “Ankara”, ku humbën jetën 2 marinarë dhe tetë të tjerë rezultojë të zhdukur. E ndërsa ditët kalojnë, bëhen akoma dhe më të zbehta shpresat se mund të gjenden trupat e tetë marinarëve turq të zhdukur.

Ndërprerja

Kapiteni i Përgjithshëm i Porteve, Edmond Doraci ka deklaruar se anija “Iliria”, e flotës tonë detare është ankoruar në port dhe ka ndërprerë operacionin e kërkim-shpëtimit. Ndërsa anija turke ka vazhduar kërkimet, pasi qëllimi i saj është edhe dokumentimi i ngjarjes dhe gjetja e provave që më pas do të paraqiten në gjykatë.

“Kjo është një pjesë e vendimmarrjes së drejtuesve të operacionit të kërkim-shpëtimit”, - nënvizoi Doraci. Ai u shpreh se shanset për t’u gjetur të gjallë nuk ka më, ndërsa ka ende shpresë për gjetjen e trupave të vdekur të 8 anëtarëve të ekuipazhit.

Informacioni i vetëm që kapitaneria e portit ka, është që një pjesë e bazës materiale të anijes së mbytur është gjetur nga anija e Guardia di Financa italiane, e cila ndodhet në portin e Durrësit. Materialet janë depozituar pranë rojës bregdetare për hetimet. Doraci sqaron se moti, pavarësisht se duket një kohë jo fort e qëndrueshme, lejon vazhdimin e operacionit të kërkim-shpëtimit. Anije ushtarake turke “Barbarosa” që vazhdon kërkimet është e destinuar për kërkime në det. Ajo është e pajisur me aparatura moderne të kërkimit në sipërfaqe, por edhe në thellësi të detit.

Sinjali

Dy ditë më parë, kapiteni i portit të Durrësit, Hysni Aruçi deklaroi për median se trageti “Ankara” dhe anija “Reina 1”, nuk lëshuan asnjë sinjal alarmi me përjashtim të sinjalit satelitor, i cili është interceptuar në Mal të Zi dhe Itali, por jo në Shqipëri. "Sinjali satelitor është kapur nga pajisjet në Mal të Zi dhe Itali, në vendin tonë mungojnë pajisjet për kapjen e sinjaleve satelitore", - tha Aruçi. Sipas ligjeve ndërkombëtare për incidentet detare, hetimet do të kryhen në Itali nga autoritete të investigimit turk dhe maltez. Ndërkohë dhe anija turke, e cila ka mbërritur në vendin tonë pak kohë pasi ndodhi përplasja, përveç operacionit për kërkimin dhe shpëtimin e të zhdukurve do të merret dhe me dokumentimin e provave nga ana ligjore, në mënyrë që ato të përdoren më pas në gjykatë. Anija “Reina 1”, që udhëtonte me flamur maltez, është goditur në mes nga trageti “Ankara”, disa herë më i madh se ajo, duke u ndarë menjëherë në dy pjesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›