E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në gjykatë, të afërmit: Vrasja në gjykatë, të afërmit:

Pretendimi i familjarëve të viktimës disa ditë pas vrasjes së 33-vjeçarit, i cili ishte biznesmen i një firme skrapi në këtë qytet

LEZHË Disa ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në ambientet e gjykatës së Lezhës, familjarë dhe të afërm kanë hedhur dyshimin se 33-vjeçari është qëlluar me mjete të mprehta në momentin kur në duart e tij ishin vendosur prangat për ta neutralizuar pas sherrit që ishte bërë gjatë seancës gjyqësore. Të afërmit e 33-vjeçarit Endri Bejta kanë ngritur pretendimet e tyre se, sipas dëshmive të mbledhura nga vendi i ngjarjes, në momentin kur ndaj tij janë vërsulur familjarët e palës tjetër në konflikt, viktima i ka pasur duar e lidhura me pranga. Në fakt, ky është një element i ri që ndoshta mund të hedhë më shumë dritë lidhur me ngjarjen e ndodhur brenda ambienteve të Gjykatës së Lezhës.

Pretendimi

Në fakt, pretendimi se biznesmeni i skrapit ishte i lidhur me pranga në çastin e vrasjes kur nuk kishte mundësi për vetëmbrojtje, ka ardhur nga miq e të afërm të viktimës.

Njëri prej miqve të tij thotë se nga dëshmitarët okularë ka mësuar se u qëllua disa herë me mjete të mprehta dhe me kaçavide në ambientet e gjykatës, në kohën kur policia vazhdonte ta kishte të prangosur për shkak të konfliktit që kishte nisur në sallën e gjyqit. “E vërteta e vetme është se Endri u qëllua me kaçavidë në sallën e gjyqit teksa kishte ende në dorë prangat e policit. Më e keqja është se në duart u shtetit, ai u vra nga krimineli. Drejtësia të zbardhë të vërtetën dhe ta dimë se çfarë bëhet”, - thotë një prej miqve te tij. Ndërkohë, sasia e madhe e gjakut e derdhur në ambientet e gjykatës të lë të dyshosh se brenda gjykatës nuk ka pasur thjesht shkëmbim grushtesh. Viktima 33-vjeçar ishte i regjistruar si biznes i madh në QKR dhe ishte pronar i një firme skrapi “Frensis and co”. Punëtorët e ngelur pa punë të kësaj firme që nga momenti i ekzekutimit të pronarit të tyre, kërkojnë nga shteti një hetim të drejtë, duke pasur parasysh edhe pozicionin shoqëror të viktimës.

Përplasja

Ermal Ndreu, Viktor Bershimi Sokol Sejdia, Mhill Ndreu, u arrestuan nga policia si autorë të vrasjes së 33-vjeçarit Bejta dhe plagosjes së katër të tjerëve për një konflikt pronësie. Përplasja me armë zjarri mes dy grupeve ndodhi në oborrin e gjykatës së qytetit të Lezhës. Shkak i konfliktit ishte një sipërfaqe toke në bregdetin e Shëngjinit, për të cilën palët pretendonin pronësinë dhe për këtë i ishin drejtuar gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›