Drejtori i Tiranës, kolaudime të rreme nga Lushnja në Skrapar
Zbardhet vendimi i gjykatës për masën e arrestit “burg pa afat” për drejtorin e Metrologjisë për Tiranën, Moisi Musabelliun. Skema e shpërndarjes së dëshmive false në këmbim të lekëve dhe e presioneve për bizneset që nuk pranonin të paguanin
Moisi Musabelliu ishte drejtor i Metrologjisë për Tiranën, por kjo nuk e ka penguar aspak të urdhëronte kontrolle në Elbasan, Lushnjë, Përrenjas e deri në Çorovodë. Inspektorët e tij gjendeshin kudo ku mund të fitohej para, pavarësisht ankesave për shkelje juridiksioni a veprimesh të paligjshme. Në vendimin për masën e arrestit me burg, Gjykata e Tiranës ka sqaruar të gjitha provat që gjendeshin në ngarkim të tij, kryesisht vëzhgime në terren e përgjime telefonike, të cilat zbardhin skemën e mashtrimit, duke përdorur punën e shtetit. Sipas këtyre fakteve, ryshfetet për zyrtarët e Metrologjisë kalonin drejt e në llogaritë bankare të tyre, a thua se flitej për ndonjë biznes të ligjshëm. “Mapo” boton vendimin e gjykatës për arrestin me burg të Moisi Musabelliut, ku zbulohen të gjitha detajet e një vjedhjeje të organizuar.
Në datë 12.10.2011, shtetasi Kristaq Thanasi, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë së Metrologjisë Tiranë, në numrin 06XXX, ora 15:40 merr një telefonatë nga numër, i cili pas verifikimeve të bëra rezulton se është biznesmeni A. K. Ky i fundit, në hyrje të Porto Romanos ka ndërtuar një pikë për peshimin e automjeteve me dy peshore të reja elektronike automobilistike. Nga biseda me Kristaqin, rezulton se ai është i interesuar për kolaudimin e tyre, meqenëse i kishte ardhur një anije dhe i duheshin dokumentet (librezat e kolaudimit) me qëllim për t’ia treguar kapitenerisë së anijes. Kristaqi e pyet nëse do vetëm dokumentacionin, apo donte kolaudimin e saktë, ndërsa biznesmeni i thotë se si fillim i interesonte vetëm ana dokumentare, për t’ia treguar kapitenerisë. Pas kësaj, Kristaqi i ka telefonuar shtetasit Rolandi Çelmeta, me detyre Zv/drejtor i Përgjithshëm, dhe i ka treguar këtë fakt duke i thënë që biznesmenit, të cilin Rolandi nuk e njeh, i duheshin dokumentet e kolaudimit, pasi ai priste të bënte evadimin e një ngarkese nga një anije në port. Rolandi i jep leje për të vepruar, duke i thënë që: thuaji Benit të vijë në Tiranë t’ia japim letrat në dorë, të mbyllin punën. Kristaqi i ka thënë se gjithsesi do njoftonte dhe Moisiun. Pas kësaj, Kristaqi ka telefonuar shtetasin Moisi Musabelliu, me detyrë drejtor i Metrologjisë, dega Tirane dhe e vë në dijeni që e ka marrë miku i tyre dhe i ka kërkuar kolaudimin e peshoreve dhe Moisiu i thotë për të nesërmen. Në datën 13.10.2011, biznesmeni i ka telefonuar Kristaqit dhe ky i fundit i ka lënë një takim në Tiranë dhe të vijë pas një ore t’i marrë. Beni i thotë se do dërgojë një person tjetër me emrin Vasil. Nga raportet e shërbimit të datës 13 Tetor 2011, rezulton se Kristaqi ka qëndruar gjatë gjithë kohës në Tiranë, ndërsa tek peshoret në Porto Romano, mbas një pike gazi nuk ka shkuar as Kristaqi, as ndonjë inspektor tjetër.
Zyra e Tiranës, kolaudime në Elbasan e Lushnjë
Dyshohet se kolaudimi është bërë në mënyrë fiktive. Në datën 20 shtator 2011, në orën 11:34, Kristaqi ka folur me Moisiun dhe i ka thënë se e ka thirrur Shaba, i cili është një person që ka një karburant afër Liqenit Artificial. Më pas, Kristaqi është telefonuar nga Shaba, i cili i ka thënë se a është takuar me Moisiun. Në datë 22.10.2011, Kristaqi i ka telefonuar Moisiut dhe i ka thënë se Shaba e ka telefonuar disa herë dhe Moisiu i thotë ta marrë vetë Drejtorin në telefon. Kristaqi i thotë që të flasë në telefon se pastaj vete dhe i merr vetë pa problem. Moisiu e adreson te Arta (dyshohet punonjëse) dhe i thotë ik merre aty dhe t’i shërbejmë shpejt. Në datë 27.09.2011, ora 12.32 Kristaqit i telefonon Shaba përsëri nga nr. i telefonit dhe kanë folur për një pasaportë kolaudimi për karburantin. Në orën 14.15, sipas raportit të shërbimit, Kristaqi ka dalë nga zyra me një letër të bardhë në dorë dhe një libreze ngjyrë blu në dorë, e cila dyshohet se është pasaporta e karburantit. Personi tjetër që dyshohet të jetë Shaba, pasi është takuar me Kristaqin, ky i fundit i ka dorëzuar letrën me librezën ngjyrë blu. Personi i panjohur ka shkuar te karburanti te Liqeni Artificial. Në datën 03.10.2011 ora 14.27, Moisiun e telefonon numri që përdoret nga shtetasi Armand Shuaipi dhe bën një bisedë për një shtetas nga Lushnja dhe një nga Elbasani. Dyshohet se Armandi është një sekser që ka marrë dy porosi dhe më pas ia ka dhënë Moisiut. Moisiu e pyet që t’ia japë atij të Lushnjës në dorë apo t’ia japë Mandit dhe më pas ky i fundit t’ia japë atij të Lushnjës. Mandi i thotë Moisiut që t’ia jepte, ndërsa atë tjetrën që i bie pasaporta e kolaudimit për një subjekt në Elbasan, t’ia dorëzoje Armandit. Armandi i kërkon Moisiut që t’i krijojë një kontakt me Kristaqin dhe ta pyesë se sa është pagesa, bëhet fjalë për shumën që duhet të arkëtohet në shtet. Në datën 04.10.2011, rreth orës 20:00, Kristaq Thanasi është takuar me Armand Shuaipin, sipas raportit të shërbimit të datës 04 Tetor 2011 tek një lokal mbrapa Gjykatës së Lartë. Është parë që Kristaqi hapi një dosje dhe po diskutonte me Mandin në lidhje me disa dokumente në dosje. Në orën 20:27, Moisiu flet me Kristaqin dhe ky i fundit e pyet Moisiun t’ia jepte ato Armandit. Moisiu i thotë që t’ia japë dokumentacionin, ndërkohë që Kristaqi informon drejtorin se Mandi nuk i kishte sjellë. Moisiu i thotë që t’ia japë pa merak se Mandi i sjell ato. Dyshohet se bëhet fjalë për pasaportën e kolaudimit për subjektin e Elbasanit. Ndërkohë, Kristaqi i nxjerr në telefon Moisiut, Mandin dhe Moisiu i thotë t’i marrë ato pa problem dhe t’i plotësojë të tjerat. Në datën 06.10.2011, në ora 19:41 Mandi flet me Kristaqin.
“Do të të sjell abetare për çunin dhe stilolaps”
Gjatë kësaj bisede, Armando Shuaipi i thotë Kristaqit që të mos harronte librin (pasaportën e kolaudimit), ndërsa Kristaqi ia kthen se është libër i bukur. Kristaqi e pyet Armandin nëse ia ka sjellë ato dhe biseda vazhdon dhe Armandi i thotë se i ka sjellë abetare për çunin, leximin dhe po deshi, ndonjë stilolaps. Pas kësaj bisede, Armandi flet në telefon me Moisiun dhe i thotë që të mos bëhet merak, se s’ka mbaruar punë me të gjitha, por do e mbarojë shumë shpejt. Në datë 10.10.2011 në orën 15.14 Moisiu telefonohet nga Kristaqi, i cili i thotë se i ka telefonuar M. A. dhe i ka thënë që: si guxon që bën kolaudime në Fier dhe në Lushnjë. Kristaqi i ka thënë asaj që ç’punë ke ti, se ai zbaton vetëm urdhra, ndërsa Moisiu i thotë qe s’ka problem se e sqaron ai nesër këtë punë. Në datën 18.10.2011, inspektorët Hetem Basho, Armand Xhika, Kristaq Thanasi dhe drejtori Moisi Musabelliu kanë shkuar me shërbim në Elbasan dhe Përrenjas. Rrugës Mandi Xhika i telefonon Moisiut dhe i thotë që është bashkë me Hetem Bashën te unaza e Elbasanit, te karburanti dhe se ata: nuk paguajnë, s’bëjnë dhe se këta po s’erdhe ti si drejtor, nuk duan t’ia dinë.Pas kësaj, Moisiun e merr në telefon Hetemi dhe i thotë përsëri të kalojë nga karburanti që t’i bëjë një presion se ndërkohë, Hetemi u kishte thënë punonjësve të karburantit që po vinte dhe drejtori. Sipas raportit të shërbimit, rezulton se Moisiu dhe Kristaqi që ishin me makinën e Kristaqit të dy qëndruan te karburanti në unazë të Elbasanit dhe po shikonin distributoret shpërndarës të naftës dhe gazit. Më pas u nisën të gjithë së bashku ne Përrenjas dhe bënë koalidimin e një karburanti në dalje të Përrenjasit. Në kthim, kanë qëndruar te lokali përballë stadiumit dhe u takuan me tre persona.
“Gjobat” jashtë Tiranës
Më datë 20.10.2011, ora 11:25, Moisiu ka komunikuar në telefon me Kristaqin dhe gjatë bisedës, Kristaqi i thotë se ka folur me shtetasin Fatos Themelko, që nga verifikimet rezulton të jetë drejtor i Metrologjisë Ligjore dhe ky i fundit i ka kërkuar llogari që përse ke kryer veprime në Çorovodë, duke qenë se është jashtë juridiksionit të tij. Kristaqi i ka thënë Fatosit se unë këtë punë nuk e bëj as në Tiranë pa urdher dhe jo në Çorovodë. Në këtë kohë, Moisiu e pyet që: E ka bërë drejtori i the? Kristaqi i përgjigjet se nuk i ka thënë drejtori fare, por unë marr urdhra nga drejtori (debatojnë në telefon). Në datën 30 tetor 2011, Moisiu ka folur me Mandin dhe ky i fundit i ka thënë që të nesërmen në orën 10 e kanë të mbyllur atë punë. Moisiu i është përgjigjur që s’ka problem se e pret. Të nesërmen, në datën 31 tetor 2011, ora 09:07, Mandi i telefonon numrit, të cilin e posedon një person që i thërrasin Ymer dhe gjatë bisedës, Mandi i thotë Ymerit se e ka mbyllur punën dhe duhet bërë pagesa. Për këtë, ai i thotë këtij personi që të dërgojë njeri aty për të marrë paratë ose t’ia kalojë në bankë në llogarinë e tij, pasi ajo punë, sipas Mandit duhej mbyllur atë ditë, pasi është bërë gati kartoni. Mandi i thotë se duhet bërë pagesa e faturës prej 30.000 (tridhjetë mijë) lekësh, se të tjerat i ka Mandi. Ymeri i kërkon me mesazh numrat e llogarisë, ndërkohë që Mandi i thotë që do dërgojë një shok tjetër që quhet Kol L. Ymeri pranon, që të shkojë Koli. Në orën 09:24, Mandi i telefonon Kolës. Mandi i kërkon Kolës që të shkojë tek Ymeri në Labinot dhe t’i thotë që e ka dërguar Mandi, dhe Ymeri duhet t’i japë 60.000 lekë. Në bisedë flitet 600.000 (gjashtëqind mijë) lekë, Mandi i thotë Kolës, që ky i fundit t’i thotë Ymerit që, pasi ti marrë, do i kalojë në bankë për Mandin. Nga transkriptet rezulton se Kola ka një karburant. Në orën 09:44 Mandi ka folur përsëri me Ymerin dhe i ka thënë përsëri që do shkojë Kola dhe Ymeri t’ia japë të gjitha, ndërsa Ymeri i thotë që s’ia jep dot të gjitha, pasi nuk ka. Të tijat, pra pjesën e tij ai s’e ka dhe do t’ia sjellë të nesërmen në Tiranë. Në orën 10:30, Mandi ka folur me Kolën dhe i kërkon që të shkojë pasdite pasi Ymeri ka vetëm 30 dhe pasdite i bën 60 (gjashtë dhjetë mijë). Ndërkohë, Mandi e sqaron Kolën se ai ka vetëm 300, vetëm për pagesën e asaj. Në orën 11:18, Mandi i telefonon Moisiut dhe e informon se është në pritje të atij plehrës (Ymerit). Moisiu i thotë që ta mbyllë sa më shpejt, se i prêt dikush tjetër (shumat e lekëve). Nga hetimet e kryera rezulton se ka dyshime te arsyeshme, të bazuara në prova se shtetasi Moisi Musabelliu është autor i kryerjes së veprës penale të “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i K.Penal.
Përgjimet: Me 600 mijë lekë,
e merr kartonin në dorë
Biznesmeni-Kristaq Thanasit: Dua kolaudimin e peshoreve, se po vjen një anije dhe më duhet t’ia tregoj kapitenerisë.
Kristaqi: Do vetëm dokumentacionin, apo kolaudimin e saktë?
Biznesmeni: Si fillim më interesojnë dokumentet, për t’ia treguar kapitenerisë.
Kristaqi-Çelmetës: Benit i duhen dokumentet, se pret të bëjë evadimin e një anijeje në port.
Çelmeta: Thuaji të vijë në Tiranë, t’ia japim letrat në dorë, të mbyllim punën.
Kristaqi: Po i them edhe Moisiut.
Armando Shuaipi-Kristaqit: Mos harro librin!(Pasaportën e kolaudimit)
Kristaqi: Është libër i bukur.
Mandi Xhika-Moisiut: Jam bashkë me Hetem Bashën te unaza e Elbasanit, te karburanti dhe ata nuk paguajnë, s’bëjnë dhe se këta po s’erdhe ti si drejtor, nuk duan t’ia dinë.
Kristaqi-Moisiut: Fola me Fatos Themelkon dhe ai më kërkoi llogari pse kemi kryer veprime në Çorovodë, se është jashtë juridiksionit. Unë i thashë që këtë punë nuk e bëj as në Tiranë pa urdhër dhe jo në Çorovodë.
Moisiu: E ka bërë drejtori i the?
Kristaqi: Nuk i thashë drejtorit fare, por se unë marr urdhra nga drejtori. (Debatojnë në telefon)
Mandi-Ymerit: Është mbaruar puna, por duhet bërë pagesa, që të bëhet edhe kartoni. (Në bisedë flitet për 600 mijë lekë).