E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimet e Çelmetës: Aty e ka marrë “bukën” Telja para 3 muajsh

SHKRUAN: Leonard Bakillari 19-11-2011 15:18

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë, Roland Çelmeta tradhtohet nga celulari kur miraton kolaudimet fiktive të vartësve dhe i urdhëron ata të turren në aksion, për pronarët e pabindur të pikave të karburanteve

Tiranë Roland Çelmeta, me detyrë zv/drejtor i Përgjithshëm i Metrologjisë, sipas hetimit rezulton të jetë një nga njerëzit kryesorë në skemën e mashtrimit me kolaudimet fiktive të pajisjeve të matjes së peshës. Për herë të parë, emri i tij përmendet nga një prej inspektorëve tashmë të arrestuar, lidhur me kolaudimin e dy peshoreve elektronike për automjetet në Porto Romano. Edhe pse nuk ka njohje me biznesmenin që kërkonte kolaudimin e peshoreve, Çelmeta adreson inspektorin tek drejtori i Metrologjisë për Tiranën, Moisi Musabelliu, tashmë i arrestuar për të njëjtën akuzë. Hetimet dhe përgjimet telefonike kanë treguar se zv/drejtori i Përgjithshëm është përfshirë në të paktën pesë raste abuzimi me detyrë, të cilat sipas hetimit janë të provuara tashmë. Hetimet ndaj tij kanë nisur pas telefonatës së inspektorit Kristaq Thanasi, i cili e vë në dijeni për kolaudimin e kërkuar nga një biznesmen në Durrës. Në bisedën me inspektorin Kristaq Thanasi, biznesmeni A. është i interesuar për kolaudimin e peshoreve elektronike për automjete, meqenëse i kishte ardhur një anije dhe i duhej libreza e kolaudimit. Menjëherë pasi ka mbyllur telefonin me biznesmenin, inspektori i ka telefonuar Roland Çelmetës duke i treguar për rastin në fjalë. Përgjimi i telefonatës tregon se zv/drejtori i Përgjithshëm i ka dhënë leje për të vepruar, duke orientuar vartësin e tij të porosisë biznesmenin e interesuar për të ardhur në Tiranë, ku do të pajisej dorazi me dokumentet. Sipas zv/drejtorit Çelmeta, për këtë fakt duhej të vihej në dijeni edhe Moisi Musabelliu, me detyrë drejtor i Metrologjisë për Tiranën. Dy ditë më pas, biznesmeni i interesuar ka telefonuar sërish inspektorin duke i thënë se për të marrë librezën do të dërgonte një tjetër person, ndërsa pranë peshoreve elektronike nuk ka shkuar asnjë inspektor për të kryer kolaudimin në terren. Vetëm pak ditë pas këtij episodi, një tjetër telefonatë e përgjuar tregon se Çelmeta urdhëron vartësit e tij të ushtrojnë kontroll në një pikë karburanti, duke u thënë se pas kontrollit pronari do i respektojë. “Në datën 28 tetor 2011, Rolandi i telefonon inspektorit Armand Xhika. Ndër të tjera, Rolandi i thotë që të shkojë të kontrollojë një pikë karburanti në Yzberisht me pronar L. Gj., sepse pas kontrollit pronari do t’i respektonte”, - thuhet në përgjime, duke porositur gjithashtu se kur të kalojnë të karburanti në Ndroq, të mos futen fare për kontroll, pasi është miku i tyre i përbashkët. Katër ditë më pas policia regjistron një tjetër telefonatë të Çelmetës, ku porosit një nga inspektorët e tij që t’i shkojnë t’i bëjnë presion pronarit të një karburanti në Ndroq, pasi nuk është kujtuar fare. “Më datë 08.11.2011, Landi (Roland Çelmeta) i kërkon përsëri që të shkojë t’i bëjë presion atij të Ndroqit dhe ndërkohë Mandi (Armand Xhika) i thotë që ‘e ke gati atë”- thuhet në dosje. Sipas hetimit rezulton se në datën 2 nëntor, Roland Çelmeta i ka telefonuar inspektorit Agron Damsi, të cilin e ka porositur që të nesërmen të shkonin për kontroll në një fabrikë në fshatin Bubq. “Mirë pra, nesër mo të marr unë në telefon e ikim, turrna”, - thuhet në përgjimin mes Çelmetës dhe inspektorit Agron Damsi. Sipas hetimeve, ky kontroll është realizuar në datën 3 nëntor, ku sipas të dhënave Agron Damsi me mjetin e tij të punës TR 2987 S, është takuar me Roland Çelmetën në fshatin Bubq dhe kanë shkuar në një karburant në hyrje të fshatit. “Kontrolluan me sy pompat e karburantit dhe më pas u larguan. Më pas shkuan dhe ndaluan në një karburant në afërsi të kryqëzimit të fshatit Likmetaj me fshatin Ishëm. Dhe këtu ata kontrolluan pompat me sy. Në orën 13:00, kanë shkuar te një karburant tjetër pranë fshatit Murqim dhe këtu kontrolluan me sy pompat e karburantit. Më pas dhe në një karburant tjetër ngjitur me të”, - thuhet në dosje. Pesë ditë më pas, sipas përgjimeve telefonike, Roland Çelmeta i ka telefonuar sërish inspektorit Armand Xhika, të cilit i ka thënë që në atë pikë, para tre muajsh ka mbaruar punë Hetem Basho (Tele). “I Teles ai, i Teles, e ka marrë Telja bukën aty, e ka marrë Telja para tre muajve bukën aty”, - thuhet në përgjimin e kësaj telefonate. Sipas prokurorisë, Roland Çelmeta me detyrë zv/drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Metrologjisë, dyshohet për shpërdorim detyre.

Zyrtarët e Metrologjisë, të afërmit

“përplasen” në dyert e gjykatës

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 8 zyrtarët e Metrologjisë, ndërsa të afërmit janë ndarë në dy grupe, duke hedhur akuza për politikën dhe policinë

Tiranë Vetëm një ditë pas arrestimeve të bujshme në Drejtorinë e Metrologjisë, institucion ky vartës i Ministrisë së Ekonomisë, gjykata ka rikonfirmuar masat e arrestit të dhëna në mungesë. Ditën e djeshme, Gjykata e Tiranës ka verifikuar kushtet e zbatimit të masës së sigurisë “arrest me burg” në mungesë ndaj tetë zyrtarëve të prangosur për abuzim me detyrën. Roland Çelmeta, me detyrë zv/drejtor i Përgjithshëm i Metrologjisë, Moisi Musabelliu, drejtor i Metrologjisë për Tiranën, si dhe gjashtë inspektorë të këtij institucioni janë paraqitur në Gjykatën e Tiranës, ku kanë dhënë gjeneralitetet e tyre. Por seanca e djeshme ka nisur me një konflikt mes familjarëve të të arrestuarve, të cilët ndodheshin në rrethimin e jashtëm të godinës së gjykatës penale. Duke tentuar të shihnin të afërmit e tyre që sapo ishin sjellë në gjykatë nga togat e shoqërimit, familjarët e njërit prej të arrestuarve të cilët ishin mjaft të tensionuar, kanë hedhur akuza se arrestimi i tij është për motive politike. Menjëherë kanë reaguar familjarë të tjerë të të arrestuarve, të cilët thanë se e gjitha kjo është bërë nga policia me qëllime të caktuara. Palët arritën t’i shpëtojnë një konflikti fizik mes tyre pas ndërhyrjes së personave të tjerë të pranishëm në dyert e gjykatës, të cilët thanë se aty ndodheshin për të njëjtin hall të përbashkët. Pas ndërhyrjes, situata është qetësuar, ndërsa familjarët e të arrestuarve kanë vijuar të qëndrojnë në rrethimin e jashtëm të gjykatës në pritje të përfundimit të seancës gjyqësore ndaj të afërmve të tyre. Pas dy orësh, gjykata ka lënë në fuqi vendimin për masën e sigurimit “arrest me burg” ndaj tetë zyrtarëve të arrestuar për abuzim me detyrën. Sipas burimeve mësohet se gjatë seancës me dyer të mbyllura, disa prej të arrestuarve nuk kanë pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria. Por, pavarësisht këtyre pretendimeve, provat e mbledhura gjatë hetimeve 6-mujore kanë qenë bindëse për gjykatën, e cila ka vendosur të lërë në qeli për një afat të pacaktuar tetë zyrtarët e Metrologjisë. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›