Fiorentina, Prandeli interesohet për Adrianon
Trajneri i Fiorentinës, Çezare Prandeli, kërkon të rindërtojë dyshen Mutu-Adriano, e cila disa vite më parë te Parma i çuditi të gjithë, duke shënuar gola me vazhdimësi dhe duke i kthyer këta sulmuesa në emrat më të kërkuar të merkatos. Prandeli nuk gaboi me Mutu, duke kthyer një lojtar që e njihte mirë dhe për të cilin dha garanci edhe përballë drejtuesve të Fiorentinës. Tashmë ai kërkon të bëjë të njëjtën gjë edhe me Adrianon. "Mua më kujtohet si një djalë i mirë, përveç faktit që ishte një sulmues i shkëlqyer", u shpreh Prandeli për mediat, duke lënë të kuptohet se nuk është i shqetësuar nga problemet që ka kaluar sulmuesi te Interi. 26-vjeçari aktualisht po luan te Sao Paolo, ku ka shënuar 14 gola në tre muaj, të mjaftueshëm për të bindur edhe trajnerin e kombëtares braziliane, Dunga, i cili po planifikon ta grumbullojë në ndeshjet e radhës. nëse Interi do të jetë dakord, Adriano pritet të kalojë në formën e huazimit te Firence, ku do të formojë dyshen e sulmit me Mutu ose me Pacinin, në varësi të kundërshtarëve. Problemi i vetëm mbetet rroga e lartë e futbollistit, por Morati duket se është gati të paguajë gjysmën e saj vetëm për të kënaqur "Perandorin".