E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani si "kantier ndërtimi", ja strategjitë e merkatos

Drejtuesit e Milanit kanë filluar punën për të rindërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm. Presidenti Berluskoni i ka lënë dorë të lirë Adriano Galianit, por duke saktësuar se nuk duhet bërë një revolucion i plotë, por vetëm korrigjime në të gjitha repartet, duke ruajtur kontingjentin ekzistues.

Portieri - Problemet kanë lindur gjatë pauzës së ndërrimit të viteve, kur Ançeloti vendosi për zëvendësimin e Didës me Kalac. Tani po kërkohet një portier tjetër, ndërsa po ndiqen me vëmendje Gomez i PSV Eindhoven, Boruc i Sëlltik, Loris i Nicës dhe Diego Alvesh i Almerias. Në Itali, i vetmi emër bindës është Frei i Fiorentinës, por më parë duhet sistemuar Dida, që ka një rrogë shumë të lartë për të qëndruar në stol.

Mbrojtës - Kuqezinjtë kanë mbyllur prej kohësh bisedimet me Zambrotën, i cili është dakord për transferimin, por tani duhen bindur drejtuesit e Barcelonës. Marzorati do të kthehet nga huazimi tek Empoli, ndërsa në grupin kryesor do të përfshihet edhe i riu Darmian. Objektivi kryesor mbetet Mekses i Romës, ndonëse verdhekuqtë nuk heqin dorë lehtë nga francezi. Favali, Serxhinjo dhe Kafu pritet të mos kenë një rinovim të kontratave të tyre.

Mesfushorë - Tre lojtarë janë të paprekshëm: Gatuzo, Pirlo dhe Ambrozini. Duke parë aktivizimin e tyre të vazhdueshëm, po mendohet për alternativa po aq të vlefshme në këtë repart dhe emri më i përfolur është ai i Flamini të Arsenalit. Mbetet për t‘u përcaktuar e ardhmja e Gurkuf, i cili nuk ka bindur asnjëherë gjatë këtyre dy sezoneve. Nëse francezi do të shitet përfundimisht, atëherë kuqezinjtë do të vendosin për një tjetër investim të rëndësishëm në mesfushë.

Sulmues - Pato, Kaka, Inzagi dhe Paloski janë të konfirmuar. Pritet të mësohet se çfarë do të ndodhë me Ronaldon, i cili është në fundin e kontratës së tij. Çështje më vete është edhe ajo e Xhilardinos, i cili nuk gjen më hapësira në formacion dhe i intereson Fiorentinës e Romës, të vetmet që janë në gjendje të paguajnë rrogën e tij të lartë. Duket e sigurt mbërritja e Shevçenkos, edhe pse ukrainasi do të ketë një rol dytësor në sezonin e ardhshëm. Pritet edhe Ronaldinjo, që do të krijonte më shumë alternativa në skemën e lojës së kuqezinjve. Berluskoni ka paralajmëruar për një tjetër sulmues qendre, ku përveç emrit të Drogba, gjatë ditëve të fundit ka lindur edhe ideja Van Nistelroi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›