Drejtori optimist
Njihej si regjisor i filmit, përderisa nuk u zgjodh si drejtor i ri i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK). Sot ndërkaq, Fatos Berisha pohon se tashmë e ka prezantuar vizionin dhe planin e tij për ecjen e QKK’së përpara. Ideja themelore e tij është që QKK’në shumë shpejtë ta bëjë pjesë të rrjeteve dhe institucioneve ndërkombëtare të filmit.
Derisa i sqaron të rejat që do të ndodhin në QKK, Berisha nuk ndalet shumë në problemet me të cilat ky institucion përballej deri më tani. Sipas tij, megjithëse ende nuk i ka parë dokumentacionet paraprake që lidhen me filmat e financuar në vitin 2010, të gjitha premierat e tyre do të mbahen me kohë.
Drejtori i ri i QKK’së mohon të ketë mbetur ndonjë borxh nga drejtori i mëparshëm, ndonëse nuk e përjashton mundësinë që të ketë ende projekte filmike të papërfunduara. Me to thotë se do të merret personalisht, deri në përfundimin e plotë të tyre. Express ka realizuar një intervistë me Fatos Berishën, pak kohë pas zgjedhjes së tij për drejtor të QKK’së.
Express: Si drejtor i ri i QKK’së, çka mendoni të ndryshoni?
Berisha: Gjatë procesit të intervistimit para Bordit të QKK’së, kam prezantuar vizionin dhe planin tim për ecjen e QKK’së përpara. Kjo, në pika të shkurta, është hapja e QKK’së ndaj botës, futja e QKK’së në rrjetet dhe institucionet ndërkombëtare të filmit, prezenca e QKK’së në festivalet prestigjioze ndërkombëtare dhe në tregun e kooproduksionit, riadaptimi i mënyrës së shpërndarjes së fondit - duke pasur parasysh kërkesat e mëdha të filmbërësive debutantë, dhe përmirësimi i mënyrës së komunikimit me publikun.
Express: Si do të shkojë puna me Armond Morinën, gjegjësisht në lidhje me projektin e tij “Mysafir në Sofër”?
Berisha: Ende jam në javën e parë të punës, dhe në QKK nuk kam hasur në asnjë dokumentacion ose informatë lidhur me projektin filmik ‘Mysafir në Sofër’. Pasi që edhe unë vij nga komuniteti i kineastëve, kam dëgjuar për problemet me këtë projekt në të kaluarën. Dhe, si kineast, sinqerisht ndjej keqardhje për problemet rreth këtij projekti. Por, si QKK nuk e kemi informacion zyrtar se si qëndron puna me këtë projekt, sepse ky projekt nuk ka shkuar përmes QKK’së, por drejtpërsëdrejti përmes Ministrisë së Kulturës.
Express: Çka do të bëhet me filmat të cilët QKK’ja i ka financuar, por premierat e tyre ende nuk janë dhënë?
Berisha: Çdo film i subvencionuar nga QKK i ka afatet që përcaktohen me kontratë. Deri më tani të gjitha projektet e vitit 2010 ose kanë ende afat për premierë, ose Bordi i QKK’së iu ka dhënë një afat shtesë me kërkesë të tyre. Pra, afatet për premiera janë ende në akordancë me qendrën.
Express: A paraqet konflikt interesi për ju të qenit në Prishtina Film Fest, dhe a është përkrahur ky festivali nga QKK’ja?
Berisha: QKK’ja nuk i financon festivalet e filmit. Prandaj edhe nuk ka ndonjë konflikt interesi që lidhet me angazhimin tim të deritashëm në festival. edhe pse, sipas planit tim, QKK’ja tash e tutje do të jetë prezent në të gjitha festivalet e rëndësishme ndërkombëtare, por edhe ato vendore.
Express: Konkursi për projekte filmike është shpallur në maj. Sa ishte numri i konkurrentëve dhe a janë zgjedhur fituesit? Nëse po, kush janë ata?
Berisha: Në konkursin e shpallur në maj kanë konkurruar gjithsej 48 projekte filmike, ose më saktësisht 14 për filma të metrazhit të gjatë, 18 të metrazhit të shkurtër, 11 dokumentarë dhe 5 për filma të animuar. Në ndërkohë, producentët kanë tërhequr 3 projekte, kështu që kanë mbetur për t’u shqyrtuar 45. Është ky një numër rekord i aplikacioneve, dhe ky mendoj se është një lajm i mirë. Por, vështirësia është se fondi për vitin 2011 është në disproporcion të madh me kërkesat, sepse na është thënë se kemi në dispozicion vetëm 400,000 euro për të gjitha projektet për këtë vit. Nga ana tjetër, jam optimist, sepse menjëherë në fillim të vitit të ardhshëm do të hapim konkursin e ri, me buxhet të rritur. Kjo nuk është vetëm kërkesë e imja, por është e evidentuar edhe nga vetë ministri dhe nga Ministria e Kulturës.
Express: A ju ka lënë borxhe drejtori i mëparshëm? Nëse po, sa është borxhi i përgjithshëm?
Berisha: Nuk ka borxhe financiare, por ka projekte filmike që ende janë në vijim. Dhe, natyrisht që unë do ta vazhdoj punën deri në përfundimin e plotë të atyre projekteve.