Drejtori vjedh bankën e vet, i humb paratë në kazino
TIRANË- Arrestohet drejtori i bankës, vodhi kasafortën pasi humbi paratë në kazino. Pas më tepër se një muaji hetim të Njësisë së Antikrimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës zbuloi vjedhjen e zyrave të një banke të nivelit të dytë, në një shumë që kap shifrën e 340 mijë eurove. Julian Lipe 28 vjeç, drejtori i filialit të bankës së nivelit të dytë, u arrestua nga Policia, e cila ekzekutoi vendimin e masës së arrestit të gjykatës së Tiranës, masë e kërkuar nga prokuroria e Tiranës.
Njësia Task- Force e Prokurorisë së Tiranës e akuzon Julian Lipen me profesion financiar, për vjedhje, shpërdorim detyre, si dhe falsifikim dokumentesh. Kjo pasi nga hetimi i kryer ky i fundit ka vjedhur dhe përvetësuar nga financat e bankës në një shumë prej 340 mijë eurosh. Kjo shumë parash mësohet se është vjedhur nga kasaforta e bankës, që ndodhej në zyrën e tij, gjatë kohës që zyrat e kësaj të fundit ishin të mbyllura, pas orarit zyrtar. Vjedhja mësohet të ketë nisur afërsisht tre muaj të shkuara, kur drejtori i bankës i vetëidentifikuar para hetuesve si kumarxhi, ka pohuar se paratë i ka marrë dhe i ka shpenzuar në kazinotë e kryeqytetit.
Me kërkesë të njësisë së Task- Force, të prokurorisë së Tiranës, Gjykata e Shkallës së Parë caktoi me 9 mars, masën e sigurisë arrest me burg për të dyshuarin Julian Lipe, mbi të cilin kishte nisur hetimi, për akuzën e vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës. Vjedhja sipas hetuesve është kryer gjatë orëve të mbrëmjes, duke nisur tre muaj të shkuar, kur drejtuesit qendror të bankës së nivelit të dytë, kishin vërejtur lëvizje të dyshimta të shumave të mëdha parash, kryesisht në euro.
Paratë mësohet se ishin transferuar nga drejtori i filialit të kësaj banke në Rrugën e Dibrës. Paratë pasi ishin transferuar në këtë degë, kishin kaluar më pas në gjendje CASH, në kasafortën e filialit e cila ndodhej në zyrën e drejtorit Julian Lipe. Ky i fundit pasi i kishte transferuar paratë, në mënyrë të herë pas hershme, gjatë pasdites futej, shkonte në zyrën e tij dhe duke përfituar nga fakti se kishte edhe çelësat e kasafortës tërhiqte prej saj shuma të majme parash.
Por Lipe duke shfrytëzuar pozicionin e tij të punës si drejtues filiali, mësohet se ka tërhequr para, edhe përpara përfundimit të orarit zyrtar të bankës. Hetuesit thanë për Shekullin se i arrestuari ka tërhequr pas përfundimit të orarit zyrtar, afërsisht 110 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër gjatë orarit zyrtar. Ndërkaq një pjesë të parave, hetuesit kanë konstatuar se Lipe, i ka përfituar duke falsifikuar kartat e kreditit, të debitit apo formularë të ndryshëm me qëllim kredie, apo edhe në dëm të klientëve të ndryshëm.
Një pjesë të parave të tërhequra nga i arrestuari në llogaritë e klientëve të ndryshëm të bankës, janë rikthyer në bankë, por sipas hetuesve mungojnë ende shuma të mëdha parash, për të cilat Lipe duhet të përgjigjet në Gjykatë.
