E Shtunë, 31 Tetor 2026

I indinjuari

Share

Mllefi i ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë pasi nuk po dëmshpërblehen. Historia e Gjergj Ndrecës dhe incidenti me Ilir Rusmajlin, Ridvan Boden dhe Agim Tiranën. Edhe durimi ka një kufi

Nga Sebi Alla*

Mjaft e dhimbshme duhet të ketë qenë jeta e Grigor Zaharisë, ish të burgosurit politik që u nda nga jeta në mesin e muajit shkurt. Por historinë e tij nuk ka kush ta tregojë. Vdiq i vetmuar, nuk kish të afërm, pasi në moshën e martesës si dhomë bashkëshortore pati qelinë e burgut. Kërkush nuk iu gjend tek koka, asnjë pikë loti nuk u derdh për të. Thjesht një njeri më shumë u shtua në listën e të vdekurve, por trupi i tij qëndroi 20 ditë në morg. Kufoma e të moshuarit u mor nga ish të dënuarit politikë. U fol se i ishin kryer eksperimentime. Ky ishte tmerri i parë për vargun e gjatë të shokëve të idealit që mund të mos e kishin njohur kurrë Zaharinë, por i bashkonte vuajtja e përbashkët. Ndoshta në ato momente shumëkujt prej tyre iu kanë kujtuar torturat çnjerëzore, mbylljet nëpër spitale, zhdukjet pa nam e nishan. Dhe kur inati ndaj shtetit demokratik kishte kapur majat, pikërisht në ceremoninë e varrimit të Zaharisë pranë Kuvendit, ish të burgosurit politikë shohin të kalojë atypari deputeti Ilir Rusmajli. Gjergji Ndreca dhe Lirak Bejko u nisë drejt deputetit demokrat. Grushtat e shtrinë përdhe, atë deputet demokrat që Ndreca dhe kolegë të tij e njohin si të birin e Çajup Rusmajlit, zyrtarit të lartë komunist që kapi edhe postin e Sekretarit të Parë të Rrethit. Ishte sinjali i parë se Gjergj Ndreca do të ndërmerrte të tjera veprime.

Në selinë e ish të përndjekurve politikë, ku ditë më parë u shtri trupi i pajetë i Grigor Zaharisë, flitet me pasion e mllef, për vuajtje dhe para. Diskutohet edhe për politikë, debatojnë edhe për ngjarjet aktuale. Të gjithë duan të flasin, por duket se vetëm njëri prej tyre u lodh me të folur dhe zgjodhi forcën, në vend të fjalës. Kjo e fundit thuhet se është e para, por për shtresën e ish të burgosurve dhe internuarve politikë fjala ka shumë kohë që nuk ka më vlerë, pavarësisht se për lirinë e saj shpesh u dënuan me burgime të zgjatura. Gjergji Ndreca, babai i katër fëmijëve, që ka gjashtë frymë për të ushqyer përfshi edhe veten, ka ndërmarrë një tjetër hap: ka vendosur të sulmojë fizikisht me grushta e shkelma çdo politikan që ti zërë syri. Por qejfin më të madh e ka me ministrat dhe deputetët e mazhorancës. Ata që janë në vitin e shtatë në pushtet, por që kategorinë e ish të përndjekurve ende nuk e kanë vlerësuar nga ana monetare. Ndonëse një lëmoshë e kanë hedhur sa për ti afruar në raste zgjedhjesh elektorale.

Në selinë qëndrore të ish-të përndjekurve politikë është e pamundur të mos gjesh shumë njerëz. Shumë prej ish të përndjekurve e vlerësojnë veprimin e Gjergj Ndrecës, kur goditi me grusht kryetarin e Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmajlin. Nuk kanë si të mos mbivlerësojnë edhe veprimin tjetër, kur nuk ngurroi të shtrijë përtokë edhe ish-hetuesin e tij Agim Tirana, që sipas Ndrecës e kishte dhunuar gjatë kohës që mbahej në qeli në vitin 1984. Me fjalë e mbështesin, ndërsa për ti dalë në krahë, shumë bëjnë bisht. Disa janë të vjetër e të vrarë nga jeta dhe nuk kanë fuqi për boks ndaj deputetëve të mirëpaguar, mirëushqyer dhe të përkëdhelurit e përhershëm të të gjithë pushteteve. Mirëpo disa të tjerë, shokë të Ndrecës që nuk u mbetet hatri po ti quajnë nevrikë të krisur, kanë bërë plane në mendjen e tyre, madje edhe publikisht që çdo të enjte, sa herë të shohin ndonjë deputet apo ministër ti sulen për tu dhënë të paktën ndonjë dackë demonstrative. Në njëfarë mënyre është hapur një tender me prokurim të drejtëpërdrejtë, për këdo që afrohet për tiu bashkuar grupit të Ndrecës prej afër 20 shokësh besnikë, e për të dhënë ndihmën e tij për të telendisur politikanët me grushta dhe fyerje.

Por jo të gjithë ish të përndjekurit ndajnë të njëjtin qëndrim. Ne shyqyr që u përfshimë në listën e dëmshpërblimeve dhe këtë e bënë demokratët që janë në pushtet, pavarësisht se shumë vonë, pohon një nga ish-të përndjekurit që e jep emrin, por mendohet gjatë për ta thënë, (ndaj mund të jetë një emër i sajuar), pasi Ndreca lexon mediat dhe tashmë nuk ja përton kujtdo që i del kundër idealeve të tij. Në fakt është një njeri që ka dalluar mbi të tjerët. Gjuhën kurrsesi nuk e ka mbajtur nën fre, por ka vijuar edhe në forma të tjera demokratike. Para dy vitesh u fut në një grevë të gjatë urie pikërisht për të protestuar për zvarritjen që po bëhej me ish të përndjekurit politikë. Priti dhe ca e në fund, pasi konsumoi çdo metodë demokratike zgjodhi të përdorë dhunën, jo atë krejt ekstreme, por dhunën verbale dhe ndonjë të goditur me grushta. I pari ndër ta ishte Ilir Rusmajli. Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko iu afruan Rusmajlit që shoqërohej nga deputeti tjetër demokrat Fatos Hoxha dhe e goditën duke e rrëzuar përtokë. Kaq mjaftoi që policia tu vinte prangat dhe ti plaste drejt e në komisariat. Nuk kishte provuar më parë prangat e demokracisë, por gjithsesi duart ti shtrëngonin njësoj si ata të diktaturës dhe birucat pak ndryshim kishin. Megjithatë pas dy ditësh arrest, gjykata i la të lirë. Ndreca e të tjerë morën zemër pasi për ta ishte edhe një mënyrë për të shfryrë atë stres të vazhdueshëm dhe mungesës së vëmendjes. Ditët rodhën shpejt dhe grushti i 67-vjeçarit do të provohej nga një tjetër burrë i kollarisur. Qëlloi të ishte Agim Tirana, që sipas Ndrecës në kohën kur ishte arrestuar për agjitacion e propagandë e kishte torturuar. Syri i Tiranës u nxi shpejt nga e goditura dhe nuk kaloi gjatë dhe u lajmëruan edhe një herë punonjësit e policisë së komisariatit nr 1. Erdhën dhe çtë shihnin; ishte i njëjti individ që shoqëruan para pak ditësh. Në të vërtetë duket se do të kenë sërish punë, sepse Ndreca nuk hezitoi të fyente ministrin e Financave Ridvan Bode. Më pas deklaroi se tashmë e ka radhën një tjetër ministër. Nuk tingëlloi mirë për policinë sapo u përmend emri ministër. Ndreca u shoqërua në komisariat për të rrëfyer se cili ministër ishte piketuar prej tij dhe kush ishte grupi që i qëndronte afër, por 67-vjeçari nuk i tregoi shokët Ndoshta i mësuar me torturat e diktaturës. Mirëpo veprimi i tij është mbështetur qoftë edhe nëpër blogje të ndryshme nga shumë njerëz. Nga pjesa më e madhe që e ndjejnë veten të lodhur nga këto 20 vite të demokracisë hibride. Ai që guxoi të flasë, por edhe vërë dorë publikisht mbi elitën politike ishte Gjergji Ndreca, i dënuar me 18 vite burgim në vitin 1984, por i dalë nga skutat e tmerrit pas përmbysjes së komunizmit. Heroi i parë i indinjuar nga rradhët e ish të përndjekurve, ka dhënë shembullin sesi duhet reaguar kur mashtrimi nuk mban më ujë. Dhe për dikë që e ka vrarë frikën që në kohën e diktaturës, gjërat bëhen më të thjeshta.

*Revista Klan

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›