E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit, s’ka fonde për të blerë vaksinën

 

Zirina Llambro

Ndryshe nga ç’u deklarua për të siguruar vaksinën, mungon jo vetëm aksesi në treg, por edhe fondet. Janë vetëm 350 mijë dollarë që Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion për sigurimin e një sasie dozash, ndërsa qeveria “qesen” e ka të rezervuar për ta përdorur gjetkë. Fondi i kontigjencës, i cili lihet vetëm për ngjarje të paparashikuara ose situata emergjencash, nuk mund të përdoret për këtë problem. Kjo ndonëse në buxhetin 2009 arrin deri në 15.7 miliardë lekë. Nga këto pjesa dërrmuese prej rreth 9.2 miliardë lekësh janë të përcaktuara si rezerva për rritjen e pagave dhe për investimet publike. Nga sa bën me dije Ministria e Financave, këto para nuk mund të preken, pasi janë të rezervuara për çdo rast të rënies së të ardhurave. Kështu për blerjen e vaksinës qeveria shpreson të sigurojë fonde nga organizatat ndërkombëtare, por ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. “Deri tani ne kemi përdorur vetëm kontigjencën e pagave dhe pensioneve. Kemi përdorur rreth 92% të kontigjencës në përputhje me realizimin e të ardhurave”, u shpreh dje zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu. Ai shtoi se qeveria ka në buxhet nga fondi i kontigjencave vetëm 6 miliardë lekë të paalokuara, por edhe këto nuk mund t’i përdorë dot për shkak të ecurisë së dobët të të ardhurave nga taksat. Ndaj në rast se prekemi nga ndonjë epidemi masive e gripit të derrit, sytë janë kthyer nga të huajt për të gjetur paratë, ose në rastin më të keq përmes borxhit tregtar. “Ne kemi një kontigjencë që nuk është në buxhet, por që është në projektin e gripit të pulave dhe janë 2.5 milionë dollarë të premtuara nga Banka Botërore. Mundësia e dytë është buxheti dhe e treta OBSH-ja”, theksoi Shehu. 
Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë ka vetëm 350 mijë dollarë për blerjen e vaksinës nëse do të mund ta sigurojë pas daljes së saj në treg. Zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, deklaroi dje se ende nuk janë marrë direktivat e OBSH-së për numrin e popullsisë që do të vaksinohet në fazën e parë. “Kemi një fond afërsisht 350 mijë dollarë për të prokuruar kontingjentin e parë të vaksinës për 300 mijë të vaksinuar. Për momentin nuk dimë sa do jetë kostoja e vaksinës, sepse nuk është ende në treg”, tha zv.ministri. Në programin e përfunduar nga Instituti i Shëndetit Publik, të parët që do të vaksinohen do të jenë grupet më në risk, ku bëjnë pjesë gratë shtatzëna, fëmijët dhe të sëmurët kronikë. Por me bumin e kërkesave që ka sot në treg për të blerë vaksinën nga shtetet e prekura nga gripi i derrave, nuk dihen as afatet se kur mund të mbërrijë kjo vaksinë. Nëse vjen pas nëntorit efektshmëria në popullatë nuk do të ishte e madhe. Për rrjedhojë, edhe numri i të prekurve nga gripi i derrave në vendin tonë do të ishte më i lartë. Sa i përket kryerjes së analizave, zv.ministri i Shëndetësisë premtoi përfundimin e laboratorit të virologjisë për mungesë të të cilit analizat kryhen në Bukuresht. “Rikonstruksioni i laboratorit të virologjisë ka filluar që me gripin e shpendëve. Në këtë laborator do instalohen pajisje të fjalës së fundit. Do mbarojë në afat në kohen e caktuar. Fakti që dërgojmë në Rumani analizat, nuk cenon jetën e pacientëve”, tha Ivanaj. Përgjigjet nga ky shtet vijnë pas një jave dhe gjatë kësaj kohe mjekët duhet të vendosin vetë nëse duhet t’i trajtojnë pacientët thjesht për grip të zakonshëm apo me tamiflu, në rast se kanë dyshime të forta për gripin e derrave.

Shkon në 399 numri i të dyshuarve
Çdo ditë në Institutin i Shëndetit Publik (ISHP) përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Sipas buletinit të ISHP-së, në total janë analizuar 399 kampionë. Ndërkohë, ISHP është në pritje të përgjigjes së analizave edhe për 2 raste të tjera të dyshuara për virusin e gripit A (H1N1). Laboratori i Virologjisë në ISHP është pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti. Aktualisht, në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Në këtë laborator kryhet testi i Imunofluoreshencës Direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh. Më të rrezikuarit gjatë sezonit të vjeshtës mbeten të sëmurët kronikë, tek të cilët mund të japë edhe komplikacione gripi. Për ta sipas direktivave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë vaksina është e domosdoshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›