Drejtoria e Policisë së Shtetit hedh poshtë deklaratën e Policisë së Tiranës
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi dje se ende nuk janë zbardhur motivet e ngjarjes dhe se po punohet intensivisht për gjetjen e të gjithë autorëve dhe zbardhjen e arsyeve që çuan në sulmin kundër gazetarit Kondi. “Në lidhje me incidentin e ndodhur natën e mbrëmshme, ku u godit me grushte shtetasi Luan Luftar Kondi, 40 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë, me profesion gazetar, sqarojmë opinionin publik se strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, të angazhuara maksimalisht për të zbardhur tërësisht autorin dhe motivet e këtij incidenti, mundën të identifikojnë autorësinë e kësaj ngjarjeje, i cili dyshohet të jetë shtetasi Leonard Pëllumb Zani, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Aktualisht, shtetasi Leonard Pëllumb Zani ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr. 3 Tiranë. Ndërkohë po punohet nga specialistët e Policisë për të sqaruar rrethanat dhe motivet e ngjarjes. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të shtetasit Leonard Zani do t’i kalojnë Prokurorisë”, - njoftonte dje komunikata e kësaj drejtorie.
21 Dhjetor 2008