Ylli Rakipi: “Sulmi ishte mesazh, kërkojmë zbardhjen e ngjarjes”
Drejtori i gazetës “Albania”, Ylli Rakipi, e ka konsideruar me prapavijë dhunën e ushtruar ndaj gazetarit dhe zëvendëskryeredaktorit, Luan Kondi. “Ky sulm barbar dhe kjo dhunë barbare të kujton ca kohë të vjetra, ku presionet ndaj medias dhe gazetarëve përgatiteshin në kulisa dhe ekzekutoheshin natën vonë, në ndonjë cep. Rasti i dhunimit të gazetarit Luan Kondi ndodhi në mes të ditës dhe ky është një mesazh ogurzi”, - ka deklaruar dje Ylli Rakipi gjatë një konference për shtyp në krah të gazetarit të dhunuar, Luan Kondi. Në fund të deklaratës së tij Rakipi ka kërkuar nga organet më të larta shtetërore që të kryejnë detyrën e tyre institucionale dhe të zbardhin motivet dhe rrethanat që çuan në goditjen e gazetarit, si dhe zbulimin e të gjithë ekzekutorëve të dhunës dhe urdhëruesve të tyre. Nga ana e tij, vetë gazetari Kondi ka deklaruar dje për mediat se ky ishte një sulm i papritur për të, i ekzekutuar nga persona të panjohur, të cilët ai nuk i njihte. “Nuk më ka ndodhur kurrë, gjatë gjithë eksperiencës time prej 10 vitesh në gazetari, jo të goditem, por as të ofendohem nga dikush”, - është shprehur Kondi.
Ai u godit mesditën e së premtes, rreth orës 15:00, para mjediseve të gazetës “Albania” dhe Televizionit “Vizion Plus” nga katër persona të panjohur. Sapo ka dalë nga taksia për të hyrë në mjediset e gazetës, njëri prej personave e ka pyetur gazetarin nëse punonte në gazetën “Albania” dhe sapo zëvendëskryeredaktori i ka pohuar se punonte në këtë gazetë, dy prej personave i janë turrur atij duke e goditur me grushte. Pas goditjeve të para Kondi ka rendur pas tyre duke u kërkuar arsyet e këtij veprimi, duke i pyetur se cilin person kërkonin dhe pse po e goditnin. Të katër personat i janë kthyer me dhunë dhe me shumë mllef, duke i shkaktuar plagë të rënda në fytyrë. Personat e panjohur janë larguar më pas me automjetin e tyre, pasi kanë lënë mesazhin se do t’ua tregonin qejfin “atyre të Albania-s”. Zëvendëskryeredaktori i gazetës, Luan Kondi, ka marrë plagë përreth syrit, si pasojë e goditjeve. Pasi kanë kryer sulmin, katër personat janë larguar me automjetin e tyre tip “Mercedes Benz”, ndërsa është mundur të sigurohet targa e tyre dhe u është dhënë strukturave përkatëse policore për të ndjekur hetimin. Fill pas sulmit Kondi ka bërë denoncimin në Komisariatin e Policisë Nr. 3 të kryeqytetit.
21 Dhjetor 2008