E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranës manipulon publikisht dhunimin e gazetarit Luan Kondi

Deklaratën e përgënjeshtroi pak më vonë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Dhjetëra reagime solidariteti u drejtuan dje në mbështetje të gazetarit të dhunuar

Gazeta “Albania”

Pas dhunës së ushtruar mesditën e së premtes ndaj gazetarit dhe zëvendëskryeredaktorit të gazetës “Albania”, Drejtoria e Policisë së Tiranës është nxituar duke shpallur publikisht se dhuna e ushtruar ndaj Kondit ishte kryer nga një agresor i vetëm “për arsye të dobëta”. Ky deklarim i Drejtorisë së Policisë së Tiranës erdhi pasi ajo shpalli publikisht se kishte ndaluar shtetasin Leonard Zani, për të cilin Policia dyshon se është agresori i vetëm. Ky informacion i shpërndarë nga Policia e Tiranës krijoi konfuzion, ndërsa mënyra se si ky institucion e shpalli rezultatin e hetimit ngelet e dyshimtë. Kjo deklaratë u hodh menjëherë poshtë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e cila njoftoi se hetimet për të zbardhur të gjithë autorët dhe motivet e ngjarjes po vazhdojnë. Dje pritej që gazetari Kondi të rimerrej në pyetje nga hetuesit, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Gjithsesi, krerët më të lartë të Policisë deklaruan se do ta ndiqnin me seriozitet dhe profesionalizëm çështjen.
Deklarata
Ndërsa ishte në pritje për t’u rimarrë në pyetje nga hetuesit, gazetari Luan Kondi është njohur me pretendimin e Policisë së Tiranës, sipas së cilës sulmi ishte kryer për arsye të dobëta. Kondi mohon se e njeh personin e ndaluar nga policia për këtë çështje. Ndërkaq, në përgjigje të këtij konkluzioni të nxituar të Policisë së Tiranës, “Albania” shpërndau dje një reagim në të gjitha mediat, ku qartësonte spekulimin që kishte shkaktuar deklarata e Policisë së Tiranës. Gjatë komunikatës së saj Policia e Tiranës shprehej me termin “agresori”. Gazeta “Albania” kërkon të dijë se si mundi Policia të shpallte vetëm një agresor, ndërsa zëvendëskryeredaktori i dhunuar, Luan Kondi, ka nënshkruar një deklaratë të tijën në Polici, ku ka denoncuar dhunimin nga katër persona. Kjo deklaratë e Kondit mbështetet dhe nga dëshmitarët okularë, të cilët ndodheshin pranë vendit të ngjarjes në momentin kur Kondi është dhunuar. Cilët janë tre personat e tjerë?! Si mundet Policia të mos e konsiderojë dëshminë e Kondit dhe të dalë në konkluzion pa verifikuar më parë nëse personi i ndaluar prej saj (shtetasi Leonard Zani) nuk është duke fshehur persona të tjerë që lidhen me dhunimin e gazetarit?!
Denigrimi
Në deklaratën e djeshme të Policisë së Tiranës ky institucion pretendoi dhe zbardhjen e motivit të ngjarjes, që sipas saj, ishin “të dobëta”. Gazeta “Albania” pyet se si mundet Policia të dalë në konkluzionin se dhunimi i Kondit ndodhi për “arsye të dobëta” në një kohë që vetë Kondi nuk ka lexuar ende dëshminë e personit të ndaluar, e për më tepër, ka deklaruar se nuk i njihte aspak personat që e dhunuan?! Për sa më sipër, redaksia e gazetës “Albania” i hodhi poshtë dhe i quan spekulime dhe keqinformime të dhënat e ofruara nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila ka hedhur në treg një konkluzion të pavërtetë, i cili ka dalë si rezultat i arsyeve që vetëm kjo drejtori mund t’i dijë dhe jo si rezultat i veprimeve hetimore të parashikuara në legjislacionin shqiptar. Reagimi publik i Drejtorisë së Policisë së Tiranës e ka paragjykuar në mënyrë spektakolare ngjarjen dhe ka spekuluar publikisht me të vërtetën, duke hedhur me pa të drejtë në treg versione të cilat cenojnë dinjitetin dhe personalitetin e gazetarit të dhunuar, Luan Kondi. Gazeta përfiton të falënderojë ata dhjetëra qytetarë të thjeshtë, emigrantë dhe personalitete që gjatë gjithë ditës së djeshme kanë ofruar mbështetjen dhe përkrahjen e tyre ndaj gazetarit të dhunuar dhe redaksisë së gazetës.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›