E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoria e Qytetit Studenti heq rezistencat në godina, kundërshtojnë studentët

/>Drejtoria justifikohet me kaldajat. Studentët: Ndizen shumë rrallë   
Drejtoria e Qytet Studentit ka marrë masa për heqjen sa më parë të rezistencave nga çdo dhomë në godinat e këtij qyteti. Këto masa kanë ardhur si pasojë e shpenzimeve të shumta energjetike që pretendohet se ka Qytet Studenti. Drejtoria e këtij të fundit pretendon se  shpenzimet energjetike të studentëve, që ata paguajnë arrijnë në masën 50 milion në muaj. Ndaj si pasojë e këtyre shpenzimeve do të bëhet heqja e mjeteve ngrohëse dhe mundësia e vetme për të gatuar. Drejtoria justifikohet me faktin se i plotëson studentëve kushtet për të mos pasur nevojë për këto mjete. Ata pretendojnë se për ngrohje ekziston sistemi i kaldajave ndërsa për larje janë dushet, por edhe për të ngrënë studentët mund të hanë në mensa.
Kundërshtimi i studentëve
Por studentët nuk shprehin të njëjtat mendime me drejtuesit e Qytet Studentit, dhe për ta heqja e rezistencave është një problem shumë i madh pasi është e vetmja mundësi ngrohje, sepse edhe pse ekziston sistemi i kaldajave, këto të fundit thuajse nuk vihen fare në përdorim. Ky është një problem jo i vogël për studentët, e sidomos për studentet femra, të cilat i përdorin rezistencat më tepër për gatim por edhe për larje. Shumë prej tyre shprehen se nuk janë dakord me këtë vendim që ka marrë drejtoria e Qytet Studentit pasi rezistencat janë shumë të domosdoshme për to. Si do të na hiqen rezistencat kur i kemi tepër të nevojshme? Unë gatuaj në dhomë sepse nuk më leverdis të ha në mensë, veç çmimeve që janë të larta dhe nuk i përballoj dot as nuk mund ti ha ushqimet në mensë, më duken jo cilësore, theksoi Ani studente e vitit të tretë juridik. Më tej ajo shtoi se, nuk është vetëm ushqimi problem, me çfarë do të lahemi, po rrobat ku do ti lajmë? Ne jemi femra dhe është turp të mos lajmë as rrobat tona e të mos gatuajmë vet. Ne nuk i përdorim rezistencat vetëm për ngrohje, pra i përdorim dhe për probleme të tjera, po edhe për ngrohje me çfarë do të ngrohemi në këto ditë të ftohta dimri? Po drejtoria mund të ketë të drejtë se mund të ketë shumë shpenzime, po ne çtë bëjmë? Ata justifikohen me dushet që kanë vënë për tu larë dhe me sistemin e kaldajave për ngrohje, por këto të fundit në të shumtën e rasteve ose më mirë të them nuk punojnë fare,përfundoi ajo. Por Ani nuk është e vetmja studente e revoltuar nga vendimi i Drejtorisë së Qytet Studenti, si ajo ka edhe shumë studente të tjera. Linda një tjetër studente shprehet, Unë iki në shtëpi një herë në muaj dhe i lajë rrobat këtu, po ashtu për të gatuar gatuaj vet por edhe për ngrohje e përdorim rezistencën. Si të mos e përdorim po me çfarë të ngrohemi në këto ditë të ftohta? Kaldajat më të shumtën e herëve nuk punojnë se sa punojnë. Nëse hiqet rezistenca unë nuk di ku të ha, ku të laj rrobat po edhe vet ku të lahem? Dushet me të vërtet janë në punë çdo ditë por me gjithë këto goca në godina mundet që ndonjëherë edhe të mos vijë radha për tu larë. Më ka ndodhur që shpesh të lahem në dhomë. Mund të ketë shpenzime për drejtorinë, por edhe ne skemi çfarë të bëjmë dhe fundja fare kemi paguar një taksë për tu sistemuar këtu. Këto janë kushtet që kemi, unë nuk mund të ha në mensë sepse nuk më leverdis dhe rrobat e kam më mirë ti laj vet se sa në lavanteri. Një studente e vitit të tret fizik shprehet se , nuk më duket fare çudi që thonë se do të na hiqen rezistencat. Kjo gjë ka ndodhur edhe të dy vitet e kaluara që unë kam jetuar këtu, por nuk besoj se do ti heqin. Mund të kenë shpenzime të shumta nuk dyshoj për këtë, por jo aq sa ata pretendojnë. Është shumë problem nëse do të na i heqin sepse ne me ato gatuajmë, lajmë rrobat por lahemi edhe vet shpesh herë. Do të na hapin shumë probleme nëse hiqen rezistencat, sepse të hash jashtë, të lash edhe rrobat në lavanteri  të shkojnë goxha shpenzime. Nuk po marr rastin tim por ka shumë student që vijnë këtu me njëmijë sakrifica, dhe heqja e rezistencave do tu shkaktonte atyre shumë më tepër shpenzime. Por vajzat nuk janë të vetmet kundër këtij vendimi ka edhe djem të cilët nuk janë dakord me vendimin e marrë nga drejtoria e QS. Redi një student i vitit të parë shprehet, nuk e di nëse ato kaldajat që janë të vëna funksionojnë por unë nuk i kam parë asnjëherë të ngrohta në këto ditë që ka qenë shumë ftohtë, nuk ka se si të jemi dakord me këtë vendim. Në këto kushte kur drejtoria e Qytet studentit pretendon se ka shpenzime të shumta energjetike dhe do të heqë rezistencat nga çdo dhomë, studentët janë totalisht kundra dhe e kundërshtojnë me forcë këtë vendim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›