Infrastruktura; Projekte për ndryshimin e qendrës së Durrësit
Projektet e perfeksionimit të infrastrukturës në Durrës pritet të marrin “OK” nga qeveria. Sipas kreut të bashkisë, Vangjush Dako, “disa prej tyre janë shëtitore me plazhe të vogla, disa rrugë dhe lulishte janë projektet që Bashkia e Durrësit kërkon të realizojë gjatë vitit 2009, por ato do të bëhen realitet vetëm nëse këshilltarët e mazhorancës do t’i japin “OK” projektbuxhetit të këtij viti në Këshillin Bashkiak”. Rrëzimi i gjysmës së propozimeve të bashkisë për rritjen e disa taksave vendore në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak më datë 26.12.2008, i ka bërë skeptikë drejtuesit e bashkisë. Sipas tyre: “Të gjitha projektet janë të mbuluara financiarisht, me përjashtim të rrugës së tregut, për të cilën mendohet marrja e ndonjë kredie nga institucionet bankare ndërkombëtare”.
Investimet
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, deklaroi: “Disa prej projekteve që do të realizohen gjatë vitit 2009, janë vazhdimi i shëtitores buzë detit deri në afërsi të Currilave, është njëri prej projekteve më interesante për këtë sezon. Bëhet fjalë për një investim prej 50 milion lekësh. Përveç shëtitores, është menduar ndërtimi i disa plazheve të vogla”. Po ashtu, do të përfundojë së ndërtuari rruga “Taulantia” prej Muzeut Arkeologjik deri te Bërryli me vlerë 35 milion lekë. Ndërkohë që njëri prej akseve më problematike, ai i rrugës së varrezave, tashmë është në fazën e fillimit të rikonstruksionit falë bashkëpunimit të bashkisë me qeverinë. Bashkia ka hartuar projektin e kësaj rruge, ndërsa qeveria ka vënë në dispozicion fondin prej 2,6 milion dollarësh. Është firma e ndërtimit “Salillari” ajo që ka fituar tenderin për ndërtimin e kësaj rruge. Ndërkohë bashkia ka projektuar ndërtimin e rrugëve, shesheve dhe lulishteve në zonën e stadiumit të futbollit me vlerë 1,3 milion dollarë, e cila do të realizohet në 2 vjet.
Projektet
Në planet e bashkisë janë edhe një sërë rrugësh dhe hapësirash të brendshme të qytetit të Durrësit të cilat do t’i nënshtrohen rikonstruksionit si dhe transformimit në lulishte, sipërfaqe të gjelbra dhe kënde çlodhjeje. Për herë të parë që nga koha e funksionimit të saj, bashkia sipas ligjit do t’u drejtohet institucioneve financiare të huaja për të siguruar prej tyre kredi të cilat do të mundësojnë realizmin e disa prej projekteve të rëndësishme. Kështu, do të veprohet për rehabilitimin e sheshit kryesor të Durrësit pas përfundimit të konkursit për përzgjedhjen e projektit. Gjithashtu, me kredi është menduar të ndërtohet rruga paralel me portin detar e cila është në fazën e projektimit. Ndërkohë, për rikonstruksionin e rrugës “Koço Kazanxhi” (rruga e tregut agro-blegtoral) pjesa e pambaruar, me vlerë 88 milionë lekë, tashmë është nënshkruar marrëveshja me BB-në, e cila do të mbulojë 40% të vlerës së projektit në një kohë që bashkia do të financojë 60% të vlerës. Këto fonde bashkia i ka mbartur nga viti i kaluar. Ndërsa në bashkëpunim me UEFA-n do të realizohet ndriçimi i stadiumit të futbollit “Niko Dovana”. UEFA do të investojë rreth 300 mijë dollarë, ndërsa bashkia 15 milionë lekë. Kurse rruga e unazës dhe e tregut industrial ende ka mbetur jashtë planeve të këtij viti. Sipas z. Dako: “Do të mendojmë edhe për këtë aks nëpërmjet ndonjë kredie me bankat ose fondacionet e huaja”.
Bie fluksi
Çdo ditë, 1800 deri 2500 emigrantë nisen nga Durrësi
Duket se fluksi i emigrantëve ka rënie të ndjeshme, pasi shumica e tyre tashmë e kanë lënë Shqipërinë për t’iu drejtuar vendeve të tyre të punës jashtë vendit. Kështu, edhe gjatë 24 orëve të fundit nga porti i Durrësit janë imbarkuar dhe kanë lundruar në drejtim të porteve italiane mbi 1800 emigrantë shqiptarë çdo ditë dhe 865 shtetas të huaj, që në total arrijnë në 16 mijë. Gjithashtu, janë imbarkuar edhe 2620 automjete. Transporti i tyre është mundësuar nga 8 tragete, ku shërbejnë si dogana ashtu edhe policia me rreth 16 sportele. Që nga data 1 janar numri i udhëtarëve, të cilët janë larguar nga porti i Durrësit, arrin në 18 209, ndërsa i makinave 3503. Prej tyre 14 mijë kanë qenë emigrantë shqiptarë dhe pjesa tjetër shtetas të huaj. Përmirësimi i kushteve të motit u ka krijuar mundësi autoriteteve portuale që të punojnë në kushte normale dhe të nisin sipas orareve të grafikut tragetet e linjave. Pak ditë më parë, për shkak të borës së madhe, tragetet u nisën 5 orë me vonesë, pasi u detyruan të presin 17 autobusë të cilët transportonin 1700 kosovarë në drejtim të portit të Durrësit.