Drejtoria e Shëndetit Publik pezullon shpërndarjen e librezave shëndetësore nga inspektorët
Drejtoria e Shëndetit Publik ka bërë publike një strukturë të re për pajisjen e bareve dhe lokaleve me librezë shëndetësore. Nga kjo drejtori bëhet e ditur se shpërndarja e tyre nuk do të bëhet më nga inspektorët e Shëndetit Publik, por nga një zyrë e posaçme që do të ngrihet pranë këtij institucioni. Gjithçka, sipas drejtorit të këtij instituti, Mhill Gecaj, është bërë për të shmangur abuzimet e kryera deri tani. Kjo drejtori ka pezulluar shpërndarjen e librezave shëndetësore nga inspektorët e saj për punonjësit e restoranteve, bareve, apo atyre që tregtojnë produkte të akulloreve.
Udhëzimi
Drejtori Mhill Gecaj ka treguar ndryshimet që janë vendosur të bëhen me procedurat e shpërndarjes dhe marrjes së librezës shëndetësore nga subjektet. Ai shprehet se me një udhëzim të posaçëm është bërë e mundur ngritja e një strukture të re që do të merret me pajisjen e librezave shëndetësore. Procedura e ndjekur më parë për shpërndarjen e librezave është pezulluar. Sipas procedurës së re që do të ndiqet tani e tutje nga kjo drejtori, nuk do të jenë me inspektorët që do t’i shpërndajnë këto libreza, por një zyrë e posaçme që është ngritur me këtë qëllim. "Unë kam ndërprerë në mënyrë të menjëhershme dhënien e librezave nga inspektorët. Është krijuar një zyrë e posaçme pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, e cila funksionon me orar të plotë dhe çdo ditë”, - tha Mhill Gecaj, drejtor i Shëndetit Publik. Sipas tij, tani të gjitha subjektet duhet të paraqiten pranë kësaj zyre për t’u pajisur me librezën shëndetësore.
Kushtet
Jo të gjitha subjektet që duan të marrin një librezë shëndetësore mund ta përfitojnë atë nëse nuk u nënshtrohen të gjitha kërkesave që Drejtoria e Shëndetit Publik ka përcaktuar për sigurimin e saj. Drejtori Mhill Geci shpjegon disa nga pikat që duhet të plotësohen nga baret dhe restorantet për t’u pajisur me librezë shëndetësore. "Që të marrësh një librezë shëndetësore do të thotë që të kesh kryer disa ekzaminime, duke filluar që nga mjeku i familjes, aty ku personi ka kartelën personale”, - u shpreh ai. Personat që duhet të pajisen me librezë shëndetësore duhet të kryejnë ekzaminim laboratorik pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik. Po kështu ata duhet ti nënshtrohen një ekzaminimi radiologjik ose te mjeku pneumolog për të parë nëse kanë vatra tuberkulozi. Sipas drejtorit Geci, askush nuk mund të pajiset me leje shëndetësore nga drejtoria nëse më parë nuk u është nënshtruar këtyre katër ekzaminimeve. Lidhur me problemet që janë vënë re gjatë muajit të kaluar në kushtet higjieno-sanitare të subjekteve, Drejtoria e Shëndetit Publik bëri të ditur se do të intensifikojë kontrollet. Gjatë muajit gusht do të intensifikohen kontrollet në të gjitha subjektet për kushtet higjieno-sanitare në të cilat ato tregtojnë.
Spitali Onkologjik, të sëmurët vuajnë mungesën e ilaçeve të shtrenjta
Në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pacientët, veç dhimbjes dhe krizave të vazhdueshme, vuajnë mungesën e ilaçeve. Të afërmit e pacientëve shprehen se lista e medikamenteve që mungojnë është shumë e gjatë dhe se vetëm disa nga ilaçet që u japin mjekët arrijnë t’i gjejnë falas në farmacinë e Pavijonit të Onkologjikut. Shumicën e tyre e sigurojnë duke i blerë në farmacitë jashtë spitalit. Këtë fakt, nën zë, e konfirmojnë edhe mjekët e këtij pavijoni, të cilët pranojnë se për shkak të mungesës së medikamenteve shpesh janë të detyruar të shtyjnë edhe trajtimet e pacientëve që ndodh të jenë në gjendje terminale. Pacientët ankohen se në spital mungojnë një numër i lartë medikamentesh, si: interferoni, kseloda, doksarubicina, cisplatina, vigona, deksametazoni, oksaliendoksani, bleomicina, taksoteri, ilaçe që kushtojnë nga 100 lekë deri në 2000 lekë. Në listën e barnave të munguara futen qetësuesit, medikamentet e kimioterapisë, mamografisë, ato që merren para ciklit me rreze si dhe ato që parandalojnë të vjellat e shpeshta që ka një i sëmurë me kancer në organet e brendshme. Për trajtimin e këtyre sëmundjeve, numri më i madh i listës së ilaçeve janë shumë të shtrenjta. Ato i kalojnë shifrat 800-1500 euro për një seancë terapie (800 euro kushton kseloda, medikamenti që trajton pacientët më kancer në stomak). Ndërkohë që pacientët janë të detyruar të shpenzojnë shifra të konsiderueshme çdo ditë për t’i siguruar këto medikamente në farmacitë shumë afër QSUT-së. Në farmacinë qendrore të Qendrës Spitalore thonë që këto medikamente do të sigurohen shumë shpejt dhe se janë në proces tenderimi, por pa dhënë data të sakta. Mungesa e barnave është për të gjithë pacientët që vuajnë nga tumore të ndryshme si ai i lëkurës, në kokë, kanceri i gjirit, kanceri në mushkëri, ai në zorrën e trashë dhe i qafës së mitrës. Pacientët që janë ekzaminuar me tumor janë ata që kanë më shumë shpresë për t’u shëruar po që, sipas tyre, mungesa e ilaçeve po e çon sëmundjen në një stad më të zhvilluar dhe më të vështirë për t’u kuruar.
L. Duro
3 Gusht 2010