Landfill për mbetjet urbane në Gjirokastër
Ndërtimi një landfilli për përpunimin e mbetjeve urbane në Gjirokastër synon të sjellë përmirësim të ndjeshëm të ambientit dhe pritet të ketë ndikim në rritjen e treguesve turistikë. Lumi Drino, lumi kryesor që buron nga malet greke e hyn në Shqipëri duke u bashkuar më pas me Vjosën për t'u derdhur në detin Adriatik, është aktualisht mjaft i ndotur. Në shtratin e tij derdhen mbetjet urbane të ngurta e deri kimikate. Nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, inxhinier Vangjel Muço, e pranon këtë fakt: "Gjirokastra sot është qendër urbane e Jugut të Shqipërisë dhe, si e tillë, zhvillimi ekonomik gjeneron dhe mbetje të ngurta urbane dhe mbetje të tjera. Për këtë arsye është e rëndësishme ideja e ndërtimit të një landfilli pasi prej vitesh është problem trajtimi mbetjeve urbane". Edhe për specialistin e Shëndetit Publik në Gjirokastër, Xhelo Brahimi, situata e lumit Drino është alarmante: "Gjendja e lumit Drino deri në Virua është me të vërtetë shqetësuese. Të gjitha pikat e shkarkimit të ujërave, edhe i ujërave të zeza, edhe i kolektorëve, sidomos në stinën e nxehtë, është vatër, burim infeksioni për të gjitha sëmundjet". Për Prof. dr. Ladi Hasanin, pedagog në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, situata është shqetësuese edhe në një rrafsh tjetër. Ai flet për rezultatet e studimeve lidhur me dëmtimin strukturës së lumit: "Sidomos në kuptimin e bilancit energjetik është konsideruar si ndryshim i padëshiruar i karakteristikave të ujit, tokës, ajrit e ushqimit, i cili mund të ndikojë në mënyrë të pavolitshme mbi shëndetin, jetesën, aktivitetet njerëzore ose mbi gjallesat". Nga të gjithë aktorët e faktorët në Jug të vendit, situata njihet dhe është konsoliduar mendimi se e vetmja zgjidhje mbetet ndërtimi një landfilli rajonal. Përgjegjësja e zyrës së zhvillim – programacionit në prefekturën Gjirokastër, Ornela Bineri, pohon se tashmë është përfunduar studimi fizibilitetit dhe procesi ka mbërritur në pikën e zbatimit të investimit: "Pika ku është caktuar tashmë landfilli është në Tërbuq. Ai është vend jashtëzakonisht i përshtatshëm për caktimin e landfillit, duke parë përbërjen e tokës, përbërjen gjeologjike të saj, pjerrtësinë e tokës, afërsinë me lumenjtë etj. Mbetjet urbane do të kalojnë përmes tubacionesh përkatëse të pastruara me filtra, që në lumë mos derdhen lëngje të mbetjeve urbane që mund të prishin florën e faunën.
"Ndërtimin e landfillit e ka marrë përsipër një kompani e specializuar italiane. Kryetari këshillit të qarkut Gjirokastër, Arben Culli, pohon se është siguruar nga Bashkimi Europian fondi përkatës: "Investimi është rreth 50 milionë euro. Këtu përfshihen: projekti, ndërtimi i veprës komplet që do të ishte impianti jo vetëm i përpunimit të mbeturinave, por ky impiant do të prodhonte dhe gazin, gazin biologjik që do të përdorej si për energji elektrike dhe për ngrohje të ndryshme”. Ndërtimi këtij landfilli për përpunimin e mbetjeve urbane në rajonin Gjirokastër shpresohet se do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të mjedisit dhe do të ndikojë pozitivisht në rritjen e treguesve turistikë.
3 Gusht 2010